Maqedonia, strehë e lakmive të tepruara
Nga Emin Azemi – Maqedonia gjithnjë e më tepër po i ngjan një shtëpie pa pullaz në të cilën të gjithë nga pak po e improvizojnë strehën e lakmive të tepruara për pushtet dhe territore. Gara për të zënë vend sa më shumë në këtë strehë, i ka bërë njerëzit të harrojnë se kanë edhe shtëpi. Gruevski në njërën anë, Ahmeti në anën tjetër, kanë nxjerrë njerëzit e tyre nga shtëpitë për të zgjatur sa më shumë vetullën e strehës mbi lakmitë e tyre.
DIKSURSET KUNDËRTHËNSE ETNIKE: Edhe kjo fushatë zgjedhore në Maqedoni erdhi pa ndonjë risi ligjërimore. Administrimi i një fondi të reduktuar shprehjesh e frazash politike do të jetë edhe kësaj radhe oferta e cunguar e komunikimit me publikun. Prezantimi i platformave elektorale përcillet me një diskurs tashmë të njohur, ku gjithsesi bie ne sy disonanca në mes të asaj që thuhet në publik, asaj çka shkruan në platformën zgjedhore dhe asaj që do të sendërtohet në praktikë.
Diskursi publik i kësaj fushate zgjedhore, në ambientet e pastra etnike, është një kopje e zbehtë e fjalamanisë boshe të fushatave pararendëse, ndërkohë që në ambientet heterogjene etnike ndryshojnë punët. Atje, diskurset kundërthënse publike, përmes mobilizimit të resurseve të mëdha infrastrukturore monoetnike, kanë bërë që Maqedoninë gjithnjë e më tepër ta shndërrojnë në një shtëpi pa pullaz në të cilën të gjithë nga pak po e improvizojnë strehën e lakmive të tepruara për pushtet dhe territore. Gara për të zënë vend sa më shumë në këtë strehë, i ka bërë njerëzit të harrojnë se kanë edhe shtëpi. Gruevski në njërën anë, Ahmeti në anën tjetër, kanë nxjerrë njerëzit e tyre nga shtëpitë për të zgjatur sa më shumë vetullën e strehës mbi lakmitë e tyre. Ky zgjatim i funksionit që ka vatra e shtëpisë dhe zëvendësimi me një strehë për të përmbledhur ambicjet e tepruara të politikëbërësve, ka rrezik ta shpërfytyroj edhe njëherë ndjenjën e përbashkësisë për këtë shtëpi, e cila në v. 2001 për një grime ngeli pa u bë shkrumb e hi.
ÇMONTIMI I MAQEDONISË SË OHRIT: Politika maqedonase e udhëhqur nga Nikolla Gruevski ka kohë që e ka humbur sensin e të qenit bashkë dhe tani mbi një nacionalizëm vulgar po ngre alibinë e rrezikshme të ruajtjes së Maqedonisë nga ata që gjoja deshën ta shkatërrojnë atë në vitin 2001. Ky është edhe burimi i zjarmisë së tij në fjalët plot mllef drejtuar shqiptarëve që ‘’të shkojnë në Shqipëri, sepse këtu është Maqedoni’’. Ekziston pra një prirje permanente e kësaj politike për ta çmontuar frymën dhe karakterin konstitucional të Maqedonisë së Ohrit, për të instaluar mbi të një ngrehinë që do të artikulonte interesa të ngushta politike e oligarkiko-ekonomike. Por, jo pa mëkate janë edhe përfaqësuesit politikë shqiptarë.
Nuk ka ndodhur deri më tani asnjëherë ata t’u vënë kusht kryeministrave maqedonas se me cilën marrëveshje do të hyjnë në koalicion? Me marrëveshjen interne që ata e bëjnë me kryeminstrat maqedonas, në ndonjë restorant të Shkupit, apo me Marrëveshjen e Ohrit. Prandaj edhe atëherë kur kryeministrat maqedonas i shkelin me të dyja këmbët afatet për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005), partitë shqiptare vazhdojnë të mos e prishin terezinë e pushtetmbajtjes në koalicionet e krizave dhe të iritimeve mbi baza etnike e fetare.
Në këtë sens paradigmatik, politika tepër lojale e fragmentare e shqiptarëve të këtushëm, në emër të njëfarë pragmatizmi absurd, ka të ngjarë të përqafojë këtë inxhinjering politik të çmontimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, aq më tepër kur në Maqedoni asnjëherë nuk do të ketë qeveri pa përfaqësues shqiptarë dhe kufiri i lëshuarjes pe i shqiptarëve asnjëherë nuk është vendosur tek linja e përbashkët e interesave kombëtare, por tek pika që nxjerr mesataren e interesave individuale e grupore. Në gjuhën shkencore medicinale kësaj ndryshe i thonë edhe pika e vdekjes, aty ku janë të fokusuara të gjitha bllokadat për të stopuar vijimësinë e jetës. Çdo përpjekje jona për të vendosur këto krahasime në një rubikon asocimesh, do të deshim të jenë të kota dhe të pavlera, por realiteti ngadonjëherë është më i vrazhdë se muret e holla të enëve tona që qarkullojnë opitimizëm dhe pritje boshe për një ndryshim në të mirë të gjërave.
FODULL NË MITINGJE, OPORTUN NË QEVERI: “Ne, dhe vetëm ne, jemi ata që dimë më së miri t’i shpiem përpara projektet madhore të shqiptarëve”. Ky është përafërsisht lajtmotivi i kësaj fushate zgjedhore të partive politike shqiptare, por edhe të fushatave pararendëse. E përbashkëta e partive shqiptare, mbase qëndron pikërisht në saktësinë e tyre psikologjike për të manipluar me pakënaqësitë kolektive të zgjedhësve të tyre dhe ajo që bie në sy është figura e liderit i cili duhet të jetë pa tjetër prezent në çdo miting zgjdhor dhe në çdo ngjarje inauguruese me karakter lokal. Por me këtë prezencë kaq gjithpërfshirëse të liderëve shqiptarë në mikro-gjeografinë politike, sikur harrohet dimensioni i politikëbërjes mbi bazat e koalicionimit bashkëqeverisës me një parti tjetër maqedonase. Asnjë lider partiak shqiptar nuk ka qenë deri më tani i sinqertë për të thënë me gojën plot, se realizimi i programit dhe platformës së partisë së tij, në masë të madhe, varet nga vullneti dhe disponimi i kryeministrit maqedonas. Përkundrazi, nga mënyra e të folurit të tyre dhe nga fodullëku, jo rrallë shqiptarët kanë fituar përshtypjen, se para tyre po flet vetë kryeministri i ardhshëm i vendit, e jo një lider i thjeshtë partiak, që posa ta shkelë pragun e qeverisë bëhet i butë se lepurosh, sepse ashtu po e kërkuakan “interesat e larta” gjeostrategjike. Shqiptarëve pastaj nuk u ngel gjë tjetër, pos të torturohen me dilemën, nëse ata kanë votuar për politikanë që do t’i zgjidhnin hallet e tyre, apo kanë zgjedhur strategë për ta shpëtuar Maqedoninë nga dridhjet tektonike gjeostrategjike. Deri në zgjidhjen e kësaj dileme do të rrjedhë edhe shumë kohë që do të na bënte të durueshëm, së paku për të toleruar atë që ne vetë, pa ndihmën e politikës, s’mundemi ta ndryshojmë.
Autori është publicist nga Shkupi. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”


