Diaspora e Kosovës
Nga Betim Osmani – Shteti i Kosovës ka shumë pasuri… e para që vjen në mendje është pasuria nëntokësore, por nuk duhet të harrojmë kosovarët të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë vendit – diasporën kosovare.
Ka vlerësime të ndryshme, numri i saktë mbetet i panjohur… përafërsisht rreth 1/3 e popullatës së Kosovës gjendet jashtë vendlindjes. Ata lanë vendin në kohë të ndryshme dhe për arsye të ndryshme. Kolektivisht përbëjnë një pasuri të kapitalit njerëzor që është me dobi shumë madhe për token e tyre amtare.
Diaspora e Kosovës ka luajtur një rol kyç gjatë gjitha periudhave; para luftës, gjatë luftës dhe po vazhdon edhe sot. Shumica kontribuojnë në Kosovë në forma të ndryshme duke dërguar remitenca për konsum të përditshëm të familjes, blerje pasurish të patundshme dhe biznese. Pra, po vazhdojnë të shërbejnë si zbutës të krizës ekonomike. Diaspora e Kosovës është shembull suksesi. Përveç remitancave, diaspora jonë gjithnjë ka ndihmuar në avancimin e çështjes së Kosovës në gjithë botën.
Shteti për diasporën – diaspora për Shtetin!
Shqetësuese është fakti që akoma nuk ka plan strategjik zhvillimor për investime në sektorët prodhues si bujqësi, industri dhe sidomos në sektorin e turizmit. Ka pasur dhe ende kemi investime individuale, biznese të suksesshme, por jo në nivelin e mundësive të diasporës tonë.
Vlen të përmendim këtu rolin e pushtetit lokal – mundësia e tyre ligjore për të publikuar dokumente relevante (studime, materiale promovuese dhe fushata informuese) për inkurajim të mëtejmë të diasporës për investime – duhen plane/programe konkrete, pasi nuk di që ka ndonjë plan të detajuar shtetëror.
Komuna e Gjilanit është treguar e hapur për investime nga diaspora përmes partneritetit publiko-privatë. Kjo duhet të zgjerohet dhe të vazhdoj duke forcuar rolin e diasporës në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Praktika e partneritetit publiko-privat në Shtetet e Bashkuara daton rreth vitit 1793 dhe në shumë raste ka mundësuar përfundimin e projekteve që do ishin të pamundura përmes metodave tradicionale të zhvillimit ekonomik.
Në mënyrë që pushteti lokal të siguroj investimet nga diaspora, ata kanë nevojë që të krijojnë një kornizë strategjike dhe ligjore e cila mund të angazhoj diasporën në zona të identifikuara në të cilat mund të kontribuojnë.
Do të doja që në këtë rast, autoritetet lokale dhe Agjencioni i Zhvillimit Regjional – Lindje të promovon rajonin tonë më fuqishëm, sepse besoj se rajoni ynë ofron mundësi shumë të mëdha për investitorët potencial.
(Autori është gjilanas, momentalisht në Lindjen e Mesme)


