Kurteshi : Pushtetarët po pasurohen nga taksat tona
Gjilan – Në protestën e organizuar nga VV në Gjilan para drejtorisë për buxhet dhe financa Ismajl Kurteshi kryetar i VV tha se pushtetarët po pasurohen në kurriz të qytetarëve. Durimit i ka ardhur fundi dhe ne i bëjmë me dije këtij pushteti se vendin nuk e kanë në institucione, por në burg tha Kurteshi. Protesta kaloj e qetë dhe pa incidente.
Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar më herët protesta e VV në Gjilan është zhvilluar para drejtorisë për buxhet dhe financa ku morën pjesë një numër i qytetarëve të cilët shumica mbanin në dorë pankartat me mbishkrimet “Hajnat në burg”,”Të korruptuarit në burg” dhe parulla kryesore “Dorëheqja nuk mjafton”.
Kreu i VV në Gjilan Ismajl Kurteshi ka folur për shumë çështje që lidhen me keqëmenaxhimin dhe keqpërdorimin e pushtetit komunal në shumë fusha. Kurteshi tha se Qemajl Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij janë të korruptuar.”Qemajl Mustafa është një rrenc dhe gënjeshtar derisa pushtetarët po pasurohen nga taksat tona dhe tuajat” tha Kurteshi.
Sipas Kurteshit , kreu i Gjilanit është njëri katër kryetarët e komunave të Kosovës më të pasur e në Gjilan mijëra qytetarë janë të papunë dhe bredhin rrugëve sepse nga privatizimi kanë përfituar vetëm pushtetarët e jo edhe qytetarët e Gjilanit.
Kurteshi duke folur për familjarizimin dhe nepotizmin dhe se Qemajl Mustafa e ka punësuar jashtëligjshëm gruan e tij, vëllaun, kunatën e dhëndrin. “Nuk janë vetëm këto keqpërdorime ekstreme për çka shquhet kreu i Gjilanit. Ai përmes tenderëve po keqpërdor pozitën e tij sepse tenderët nuk jepen sipas procedurave, por me lidhje” shtoj Kurteshi.
Kurteshi tha se 1 metër asfalt në Gjilan kushton 213 euro derisa vetëm për pastrimin e objekteve dhe sigurimin fizik të komunës janë shpenzuar mbi 770 mijë euro dhe kjo tregon se kemi një keqpërdorim ekstrem të buxhetit.
Duke folur për Partneritetin Publiko Privat, Kurteshi ka thënë se edhe tek ky resor Mustafa është i zhytur dhe i korruptuar sepse sipas tij prona e komunës po jepet pa procedura. “S`i të mos quhet keqpërdorim kur vetëm për dreka e darka paguhen 500 euro në ditë. Nga të gjitha këto fakte e dëshmi që po i ofrojmë publikisht jemi në gjendje dhe të gatshëm edhe t`i argumentojmë para çdo prokurorie e hetuesie e cila po flenë në këto raste” tha Kurteshi.
Para pjesëmarrësve ka folur edhe Ragip Abazi në emër të pensionistëve gjilanas i cili tha se kjo kategori është e pakënaqur me qeverisjen lokale.”Luksi i pushtetarëve po rritet çdo ditë kurse shtresa e popullatës po dobësohet e varfërohet”.
Shkodran Rrahmani i diplomuar dhe i papunë ka folur për mënyrën e konkurseve dhe të punësimit me lidhje familjare në komunë”Nuk mund të punësohesh në institucione nëse nuk e njeh kryetarin ose vartësit e tij të PDK-së”.
Tubimi ka përfunduar i qetë dhe pa probleme./rajonipress/


