Fundamenti

Mustafa kërkon nga qytetarët gjilanas që mos të bëhen argat të VV

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Ju ftoj dinjitetshëm që të mos i bëheni argat atyre që me asgjë nuk e meritojnë kujdesin dhe vëmendjen tuaj sepse ju siguroj që përveç ardhjes në pushtet të tillët nuk kanë asnjë vizion e mision tjetër për komunën e vendin. Ju ftoj që në cilësinë e kryetarit të komunës të zgjedhur me besimin tuaj të vazhdojmë ndërtimin e komunës e të vendit dhe të lëvizim kah procesi i rregullt zgjedhor kur do ta ketë rastin secili të tregoje sa din, sa mundet dhe sa donë të bëjë më shumë për ne të gjithë thuhet në një apel të Qemajl Mustafës drejtuar qytetarëve të Gjilanit një ditë para protestës së VV.

Kreu i Gjilanit Qemajl Mustafa duke ju përgjigjur thirrjes se Vetëvendosjes për të protestuar të shtunën ka bërë një apel ku ka dhënë sqarimet e tij pse duhet të injorohet kjo protestë. Rajonipress sjell të kompletuar apelin e Qemajl Mustafës.

E ndjej për obligim që në cilësinë e kryetarit tuaj t’ju them pak fjalë për ftesën e lëvizjes VV për protestën e nesërme në Gjilan (e shtunë, datë 16 Mars 2013).

Protestat e qeta janë akt demokratik dhe janë të lejuara kudo në hapësirat demokratike në glob. Është e drejtë civilizuese dhe progresive të protestosh kundër ndonjë padrejtësie apo dukurie negative që e bëjnë sistemet e ndryshme qeverisëse ndaj individit apo grupit të caktuar.

Por, të nderuar qytetarë, është plotësisht keqpërdoruese, fyese, denigruese dhe në fund të fundit frenuese e bile bile edhe rrënuese për shtetësinë tonë të brishtë nëse dikush (si rasti i lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan) këtë hapësirë e shfrytëzon për plasim të të pavërtetave, për diskreditim, për baltosje e përdhunim të paargumentuar edhe atë me një të vetmin qëllim – ARDHJEN JASHTËLIGJSHËM NË PUSHTET.

Tashmë përfundimisht shpresoj të jemi mësuar se përveç retorikës fyese dhe ftesës publike për të rrënuar krejt atë që ne qytetarët e kemi ndërtuar me paranë tonë për këto trembëdhjetë vite në liri, nuk kemi dëgjuar diçka tjetër të mençme nga kjo lëvizje e cila sot çirrej rrugëve të Gjilanit për të manipuluar dhe për të përfituar sa më shumë publik për protestën e nesërme.

“Katundi që shihet kallauz nuk donë” – thotë populli ynë i mençur.

Interpretuar në kontekstin e realitetit tonë kjo donë të thotë që të arriturat e komunës së Gjilanit (por edhe të komunave tjera të Kosovës bile pavarësisht subjekteve në qeverisje) janë aq të dukshme e të prekshme nga secili qytetar që sadopak e sheh, e dëgjon dhe e prekë realitetin e krijuar sa që të provosh t’a thuash të kundërtën është dëm i pariparueshëm për demokracinë dhe është tepër fyerje e ultë që i bëhet po këtij qytetari. Pavarësisht këtij konstatimi, pikërisht këtë e bën në vazhdimësi mentaliteti i ndryshkur e i bunkerizuar i lëvizjes “Vetëvendosje” në Gjilan.

Deri tashti, ne qytetarët e komunës tonë dhe të Kosovës nuk dëgjuam nga lëvizja VV diçka të mençme e bindëse si alternativë e përshpejtimit të zhvillimit të demokracisë e të zhvillimit tonë ekonomik e shpirtëror.

Është e “natyrshme” sjellja e tillë e lëvizjes VV sepse kjo e ashtuquajtur “lëvizje demokratike” udhëhiqet nga mentalitete të frustruara të cilat të udhëhequra nga ideja se janë maja e shqiptarisë dhe e mundësisë e dijes shtetëformuese kanë hyrë në aso qorrsokaku saqë vetëm çirrjet “revolucionare” (të mësuara nga filmat me tematikë socrealiste të hapësirës së bllokut komunist) dhe prishja e rendit publik dhe bërja e ndonjë sherri mund t’i identifikojë që janë “atje diku në qorrsokak”.

Bota demokratike, në krye me SHBA dhe BE (lexo: dje, zonja Ashton) e irrituar nga sjelljet fyese të saj nuk i konsideron dhe nuk i fton në asnjë takim të rëndësishëm për Kosovën.

E dini pse të nderuar qytetarë?

Sepse BE dhe SHBA nuk kanë gjuhë, nuk kanë kohë dhe nuk kanë energji për të humbur me një opsion politik të zhgënjyer, zhgënjyes e të humbur larg në kohë dhe në hapësirë. Por, e vëzhgojnë me vigjilencë sepse mund të bëhet patjetër i dëmshëm dhe me rrezik. Këso raste njeh historia e lëvizjeve politike e shoqërore.

Qytetarë të nderuar,

Nesër jeni thirrur nga lëvizja VV që të protestoni kundër rritjes së taksave, keq qeverisjes, nepotizmit e keqmenaxhimit të bugjetit.

Ju siguroj me të gjitha përgjegjësitë e mundshme se lëvizja VV po provon me ju manipulua dhe jeni ftuar të protestoni plotësisht në adresë të gabuar sepse komuna e Gjilanit nga viti në vit e ka shkarkuar qytetarin nga taksat e ngarkesat e administratës:

Secilin vit që nga viti 2004 e kemi bërë uljen e vazhdueshme të tatimit në pronë (ndonjë vit edhe deri në 15 e 20%) prandaj, rritja që e ka aplikuar qeveria sivjet në bashkëpunim me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN), me Bankën Botërore (BB) dhe me Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK) nuk është asgjë tjetër përveçse kthimi në lartësinë që e kemi pas aplikuar në fillim të ngarkesës së familjeve dhe bizneseve me tatimin në pronë në vitin 2003. Në fund të fundit, ne qytetarët jemi krijuesit e shtetit tonë dhe ai nuk mund të bëhet pa kontributin tone në arkën e shtetit. Prej nga shteti i paguan rrogat për arsimin, shëndetësinë, administratën, policinë, armatën, … Prej nga subvencionet, investimet për rrugët, shkollat, ambulantat, ujin, energjinë, …

Komuna secilin vit i ka zvogëluar taksat në të gjitha shërbimet në administratë e taksën vjetore për biznesin e nga ky vit (2013) e kemi hequr në tërësi (pra, kemi “0” taksë për biznesin).

Komuna e ka ulur në minimum taksën e ndërtimit dhe shpesh ajo është qesharake (po e zëmë në Prishtinë kjo taksë është së paku trefishi i taksës së Gjilanit).

Në komunë ka QEVERISJE TË MIRË të cilën qytetari tashmë e njeh dhe kjo qeverisje është e konstatuar me matjet që i bën në vazhdimësi MAPL, USAID, UNDP, qeveritë mike që e mbështesin shumë komunën si Zvicra, Danimarka, Luksemburgu, etj.

ARKATANA

Lëvizja VV po mundohet ta konvertojë qeverisjen e mirë dhe ta shndërrojë para syve të popullit në qeverisje të keqe sepse kështu e kërkon dioptria e saj dhe interesi i saj rrënues në këtë komunë dhe më gjerë.

Por, e kemi një porosi për këtë lëvizje fatkeqe për veten e saj dhe për të gjithë ne; le të ketë kujdes se POPULLI BAR NUK HAN dhe PO KY POPULL MIRË I DIN ANGAZHIMET DHE MUNDËSITË E KOMUNËS QEVERISË SË SAJ dhe fyhet tepër lehtë.

Jemi të bindur që kjo lëvizje “revolucionarësh” padrejtësisht dhe pa argumente po mundohet t’ia bëjë gropën pushtetit të fituar legalisht dhe ndershëm nga qytetari i komunës por gjithashtu jemi të bindur që në këtë gropë do të bie vet përfundimisht.

Në komunë ka larg më pak nepotizëm se që instaloi lideri lokal i lëvizjes VV këtu në Gjilan duke punësuar familjarë për një sezon sa ishte drejtor arsimi (brenda dy viteve):
Një arsimtar me SHLP të anglishtes sh.f. “S. Hallaqi”
Një arsimtar të matematikës me SHLP në sh.m.”Marin Barleti”
Një rojtar në çerdhen “Ardhmëria 1” pa konkurs e pastaj e ka pranuar me konkurs
Një arsimtare të biologjisë në njërën nga shkollat tona
Dy djemtë (njërin në PTK e tjetrin në AKI)
Ombudspersonin e Kosovës përmes Kuvendit të Kosovës

Është ky po i njëjti “lider” të cilin e qitëm në tregun politik të komunës e të Kosovës sa ishte te ne në PDK po nuk na e hante se nuk na e hante pazari. Sa herë që ka shkuar në ndonjë pozicion në institucione ka shkuar si i emëruar por jo i zgjedhur (si prefekt i emëruar nga UÇK në qeverinë e përkohshme në Gjilan, si post deputeti i dhuruar nga partia me listë të mbyllur, etj…).
Është ky po i njëjti “lider” i cili e okupoi karrigen e deputetit me votat e PDK kur i erdhi radha në vitin 2009 por nuk e lëshoi karrigen deri në zgjedhjet e vitit 2010 edhe pse iku nga PDK pasiqë e kishte mbjellur e shkrryer mirë

Është ky po i njëjti “lider” i cili edhe pse në zgjedhjet e fundit për deputet në vitin 2010 mori vetëm 2800 vota (afërsisht 30% të votave të subjektit të tij) ende sot e kësaj dite rrinë pa marre në karrigen e të parit të tij.

KY NJERI DHE KJO LËVIZJE NA MBAN NEVE LIGJËRATA DHE QIRRET PËR DEMOKRACI, DREJTËSI E BARAZI?! – VLERËSOJENI JU VET QYTETARË TË NDERUAR.

Për fund që të mos lodheni duke lexuar fraza të tepërta ju garantoj qytetar të nderuar se:

Qemajl Mustafa nuk është pjesë e asnjë manipulimi, keqtrajtimi, keqpërdorimi, kushtëzimi, korrupsioni e shantazhimi të askujt dhe nuk është pjesë e abuzimit me paranë publike dhe me rregullat e ligjet.

Qemajl Mustafa është i sigurt se kurdo që ka patur shenja apo argumente për keqpërdorime e abuzime në komunë e ka drejtuar çështjen me kohë në organet e rendit e të drejtësisë.

Për Qemajl Mustafën hetimet janë aspekt i rregullt kudo në komunat tona dhe nisen përherë nga hipotezat dhe dyshimet për tejkalime e shkelje të mundshme por janë ndonjëra nga hetuesitë e gjykatat tona sikur edhe ndonjëra nga mediumet tona që mizën e bëjnë buall dhe më në fund si rëndom JU del si ajo thënia “u dridh bjeshka e polli miun”.

Për Qemajl Mustafën sfilatat që i bën ndonjë hetuesi, gjykatë apo medium shpesh janë mjet për diskreditimin e personaliteteve janë mosdije, por edhe sipas porosisë dhe shijes së dikujt. Kjo sqarohet herët ose vonë pavarësisht që kemi lëngatë të thellë të sistemit të drejtësisë (e keni dëgjuar çfarë tha ambasadorja e SHBA para pak ditësh për sistemin tonë të drejtësisë?!).

Për Qemajl Mustafën sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ka dështuar vetëm pse nuk ka dënuar meritueshëm por shumë më shumë sepse ka dënuar pameritueshëm dhe ka vënë në sprovë njerëz totalisht të pafajshëm.

Qemajl Mustafa është i hapur që të ballafaqohet në secilën arenë me secilin sepse e njeh mirë vetën e tij, angazhimin e tij, kontributin e tij por edhe ndonjë lëshim e të metë të tij.

Qytetarë të nderuar,

Ju ftoj dinjitetshëm që të mos i bëheni argat atyre që me asgjë nuk e meritojnë kujdesin dhe vëmendjen tuaj sepse ju siguroj që përveç ardhjes në pushtet të tillët nuk kanë asnjë vizion e mision tjetër për komunën e vendin.

Lëvizja VV po manipulon dhe po punon sipas principit “Qëllimi e arsyeton mjetin”.
Mos e lejoni që ne qytetarët e komunës tonë të mirë, tolerante, demokratike, të bukur e me trend të fuqishëm zhvillimi të jemi mjeti për realizimin e qëllimit të mbrapshtë të kësaj lëvizje të stërbajatuar “revolucionarësh” të ndryshkur së cilës në mungesë të argumenteve për ballafaqim në arenat demokratike i ka mbetur vetëm rruga dhe zhurma e fyerjet që ajo po i prodhon përditë.

Qytetarë të nderuar,

Ju ftoj që në cilësinë e kryetarit të komunës të zgjedhur me besimin tuaj të vazhdojmë ndërtimin e komunës e të vendit dhe të lëvizim kah procesi i rregullt zgjedhor kur do ta ketë rastin secili të tregoje sa din, sa mundet dhe sa donë të bëjë më shumë për ne të gjithë.

Ju faleminderit për durimin që patët për të më lexuar!

Mund të ju interesoj: