Kuvendi Komunal miratoi projektin për themelimin e Muzeut
Gjilan – Kuvendi Komunal i Gjilanit, në vazhdim të seancës së dytë të këtij viti, ka shqyrtuar dhe miratuar projekt-propozimin për themelimin e Muzeut Komunal, të cilin e ka paraqitur Veton Nevzadi, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, i cili ka thënë se Gjilani si qendër rajonale ka nevojë të ketë një institucion të tillë, ku do të ruhen dhe ekspozohet artefaktet e gjetura, duke nënvizuar se që tani ekzistojnë mbi 200 të tilla, por besohet se kjo trevë esetë edhe më e pasur me këtë lloj të trashëgimisë.
Për këtë qëllim janë identifikuar edhe tri objekte të mundshme, për t`i shndërruar në muzeu, siç janë shkolla e muzikës, objekti i tashëm i kryetarit të Komunës si dhe objekti ku është e vendosur LDK-ja. Duke i ftuar këshilltarët komunalë që ta përkrahin këtë projekt, Nevzati ka thënë se qytete më të vogla se Gjilani, kanë muzetë e tyre.
Edhe vendimmarrësit komunalë, në parim u pajtuan se Gjilanit i mungon një muze, por opozita (LDK), nëpërmjet përfaqësuesit të saj Sadudin Berisha, ka thënë se themelimit të një muzeu rajonal i mungon baza ligjore, prandaj ky subjekt nuk e ka votuar propozimin, ndonëse është pajtuar në konstatimin se Gjilani ka nevojë të ketë një muze.
Shkëlqim Latifi (PDK), tha se Gjilani ka vlera për të ekspozuar, prandaj i duhet të themelojë pa vonesë muzeun. Në favor të themelimit të muzeut është deklaruar edhe Sokol Haziri (AAK), por ka kërkuar që kjo të bëhet në përputhke me procedurat, derisa Arianit Sllamniku ka preferuar që muzeu të vendoset në objektin ku e ka selinë LDK-ja, duke thënë se pranë tij është ndërtuar edhe Kulla e Sahatit, por ka hasur në reagimin e këtij subjekti politik.
Duke u ndërlidhur me problematikat e ngritura nga këshilltarët komunalë, Veton Nevzadi ka thënë se Kosova e ka ligjin për muze. Edhe Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal ka thënë se Gjilani duhet të bëhet me muze, ndërkaq është detyrë e Drejtorisë së Kulturës që të merret me mënyrat se si do të realizohet ky projekt.
Kurse Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, tha se muzeu duhet të themelohet si institucion komunal, pavarësisht se do të funksionojë si muze i tipit rajonal, meqë Gjilani është qendër e Anamoravës. Ai i ka ftuar këshilltarët që ta miratojnë projektin dhe nisma të ecën përpara.
Kuvendi Komunal miratoi unanimisht vendimin për ndarjen e bursave dhe shpërblimeve për studentë të dalluar, të cilin e arsyetoi Bujar Nevzati, drejtor për Arsim. Ai ka thënë se DKA dhe Komiteti i Arsimit janë pajtuar që sivjet të ndahen 80 bursa dhe 20 shpërblime, sipas kritereve të parapara.
Sadudin Berisha kërkoi që përparësi t`u jepet drejtimeve deficitare dhe kjo të saktësohet edhe në propozim-vendim. Shkëlqim Latifi, ka thënë se kriteret janë shqyrtuar dhe pranuar në Komitetin e Arsimit, ku janë përmendur edhe drejtimet që duhet të kenë përparësi. Sami Hoxha, vota e të cilit u kontestuar nga këshilltarja e LDK-së, Bahrije Veseli, për shkak se ai është zgjedhur drejtor shkolle, ka thënë se komisioni për ndarjen e bursave dhe shpërblimeve, gjithmonë ka punuar sipas kritereve të DKA dhe KA.
Njëherësh, Kuvendi miratoi edhe vendimin për formimin e komisionit për ndarjen e bursave dhe shpërblimeve, që mbetet në përbërjen e kaluar, me përfaqësues nga PDK, LDK e AAK.
Po ashtu, vendimmarrësit miratuan edhe vendimin për emërimin e komisionit për përcaktimin e listës së lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve dhe busteve, prej 7 anëtarëve që do të jenë nga PDK, LDK, AAK, AKR dhe G/3, sikurse miratoi edhe vendimin për emërimin e këshillit, me përbërje të njëjtë të subjekteve politike, për vlerësimin e meritave historike e shoqërore të personaliteteve dhe ngjarjeve nga territori i komunës së Gjilanit, tërësia etnike shqiptare dhe më gjerë.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, ka thënë se lokacionet do të caktohen në bazë të rregullores. Ai ka kërkuar prej subjekteve politike, që në komision dhe këshill të dërgojnë njerëz profesionistë, sepse duhet të vlerësojnë në një çështje mjaft të ndjeshme.
Kurse Qemajl Mustafa, kryetar i Komunës, tha se te Varrezat e Dëshmorëve është një lokacion, që mund të definohet si hapësirë për varreza të njerëzve të merituar, të cilët kanë dhënë kontribute të veçanta në shoqëri.
Përndryshe, në fillim të kësaj seance, Sokol Haziri (AAK) ka përsëritur kërkesën për heqjen e kushtëzimit të disa shërbimeve komunale me pagesën e faturave të ujit dhe mbeturinave, duke thënë se vendimi është i kundërligjshëm si dhe ka kërkuar themelimin e këshillave lokale dhe ka marrë premtime nga kryesuesi Izmi Zeka se kjo çështje do të diskutohet në seancën e ardhshme.
Sadudin Berisha (LDK) kërkoi informatë për tollovitë që janë shkaktuar këtyre ditëve para administratës komunale, ku, siç ka thënë ai, qytetarët po maltretohen me disa numra, duke pritur në rend për të marrë një shërbim, kurse Arianit Sllamniku ka shtuar, duke thënë se administrata ka dështuar në ofrimin e shërbimeve sipas sistemit të ri të punës./rajonipress/


