Kontestohet pozita e Sami Hoxhës si këshilltar komunal
Gjilan – Në seancën e së premtes ka pasur polemika të nxehta mes Sami Hoxhës dhe kreut komunal Qemajl Mustafa. Këshilltarja e LDK-së Bahrije Veseli e ka përkujtuar Izmi Zekën se Sami Hoxha nuk ka të drejtë as të flas e as të votojë meqë nuk është këshilltar komunal pasi është i emëruar si drejtor në Gjimnazin “Zenel Hajdini”. Mustafa ka ndërhyrë dhe ka thënë se vota e Hoxhës është e pavlefshme, derisa vet Sami Hoxha tha se askush nuk mund t`ia ndalojë diskutimin në Kuvend.
Seanca e së premtes e Kuvendit Komunal ku janë aprovuar disa vendime të aprovuara edhe nga Komiteti për Politikë dhe Financa ka plasur me një konflikt bukur i nxehtë mes Qemajl Mustafës dhe Sami Hoxhës.
Në fakt derisa është votuar për trashëgimin kulturore Bahrije Veseli këshilltare e LDK-së ia ka tërhequr vërejtjen Izmi Zekës si kryesues i Kuvendit se nuk ka të drejtë vote Sami Hoxha, këshilltarë komunal nga PDK-ja pasiqë sipas Veselit , Sami Hoxha tashmë është emëruar drejtor në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan.
Reagimi i Veselit është përkrahur edhe nga Qemajl Mustafa i cili ia ka tërhequr vërejtjen Sami Hoxhës se vota e tij është e pavlefshme meqë dy herë i ka shkruar letër.”Mos e keqpërdor pozitën se nuk ke të drejtë vote” ishte reagimi i Mustafës drejtuar Hoxhës.
Por, Sami Hoxha ka reaguar tepër gjakftohtë.” Unë ende s`kam dhënë dorëheqje nga pozita e këshilltari komunal dhe askush nuk mund të ma ndalojë diskutimin a votimin. Ka të tjerë që më shumë se unë e kanë shkelur ligjin” tha Hoxha.
Izmi Zeka ndërkaq si kryesues i Kuvendit nuk ka reaguar dhe në heshtje e ka tejkaluar këtë problem, derisa në një moment sërish ka reaguar Sadudin Berisha i cili ka kërkuar nga Zeka që t`ia ndalojë diskutimin Sami Hoxhës./rajonipress/


