Mustafa: Barazia gjinore është obligim – nuk është dhurim
Gjilan – Qemajl Mustafa në një pritje që u ka bërë grave për nder të 8 marsit tha se gruaja zënë vend të rëndësishëm në jetën institucionale e shoqërore. Gruaja duhet vet të imponohet dhe të jetë pjesë e pandashme e të gjitha zhvillimeve. Gjilani nuk qëndron keq sa i përket barazisë gjinore tha Mustafa.
Kreu i Komunës Qemajl Mustafa ka organizuar pritje për nder të marsit , ditës së gruas. Duke i uruar grave pjesëmarrëse këtë festë , Mustafa tha se roli i gruas në shoqëri është i pazëvendësueshëm. “Gruaja është shtylla kryesore dhe ajo duhet të bëjë më shumë edhe vet, të imponohet ashtu siç janë imponuar Nëna Terezë, Jozefina Topalli, Atifete Jahjaga, Rita Ora, Majlinda Kelmendi e shumë femra të tjera të suksesshme në hapësirat shqiptare”.
Mustafa tha se këto gra të suksesshme nuk i ka shtyrë shoqëria përpara, por kanë pasur guximin dhe vet janë prezantuar dhe në fund kanë arritur edhe rezultate.
Mustafa tha se Komuna e Gjilanit sa i përket barazisë gjinore qëndron mirë sepse në shumë drejtori ka gra të punësuara.
Megjithatë, Mustafa tha se po veprojmë edhe më tutje për forcimin e pozitës së femrës në shoqërinë tonë. Ai tha se ekziston ligji për barazinë gjinore 2004/2 , pastaj ekziston programi i Kosovës për barazi gjinore, ekziston programi i Kosovës kundër dhunës në familje – lexojeni me kujdes dhe plani i veprimit 2011 – 2014.
Komuna po e harton strategjinë kundër dhunës në familje 2013-2018 – merrni pjesë në hartimin e sidomos ne zbatimin e saj. Mustafa ka kërkuar nga gratë që të marrin guximin dhe të bëhen pjesë e ndërtimit të shtetit të Kosovës.
Kurse, Drita Klaiqi zyrtare për barazi gjinore tha se Komuna e Gjilanit po bënë përpjekje maksimale që tash e tutje të mos flas për standarde , por për kriteret e avancuara të gruas shqiptare ashtu siç veprohet kudo në botë./rajonipress/


