Marrëveshjet verbale të Brukselit
Nga Milaim Shefkiu – Edhe një raund negociator ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përfundoi pa marrëveshje konkrete. Edhe një “deja vu” nga Brukseli, në një teatër monoton me të njëjtin skenar, me të njëjtit aktorë, sfondi i pandryshuar dhe, thënë ndryshe, gjithçka e njëtrajtshme. Ky takim i ngjasoi lojërave monotone të futbollit, kur asnjërës palë nuk i duhet fitorja, por thjesht loja.
Edhe kryeministri Hashim Thaçi dhe ai serb Ivica Daçiq, në raundin e gjashtë shkuan me ngarkesa politike dhe me probleme të dyanshme.
Hashim Thaçi dy ditë para bisedimeve u përball me një “agresion” politik nga ligjvënësit kosovarë. Disa e quajtën “tradhtar”, ndërsa disa të tjerë ia bënë me gisht se “po gabon po lëshon pe”.
Pra Thaçi nuk është më si ai i pari, kur nga Kuvendi mori mbështetjen e të gjithë deputetëve, me përjashtim të atyre të “Vetëvendosjes”, për të biseduar me Serbinë. Thaçi me komoditetin opozitar shkoi në Bruksel dhe në katër raundet negociuese, procesin e drejtoi relativisht mirë edhe pse nuk pati marrëveshje konkrete, përveç konkretizimit të disa marrëveshjeve teknike të vitit të kaluar, që ishin konstruktuar nga zëvendësja e tij, Edita Tahiri. Në raundin e pestë negociator, procesi u vështirësua sepse bisedimet tashmë po i silleshin “rrethit të nëntë” të Dates, veriut të Kosovës.
Fillimisht procesi i pajtimit nisi me krijimin e një asociacioni për komunat e veriut. Në fillim ky asociacion të duket si një OJQ, ashtu siç e interpretoi kryeministri Hashim Thaçi, por brenda këtij koncepti duket se ka diçka më të madhe, siç thoshte një lider kontrovers dhe kuisling i Kosovës “një dreq i madh”.
Brenda këtij koncepti (asociacioni…) Serbia synon ta krijojë një autonomi për veriun dhe në këtë mënyrë ta krijojë infrastrukturën për ndarje, në një periudhë të mëvonshme.
Në këtë çështje edhe vetë ndërmjetësja e BE-së, baronesha Catherin Ashton, pret marrëveshje dhe natyrisht lëshim pe nga Prishtina, por jo ashtu siç po pretendon Beogradi.
Kryeministri Hashim Thaçi duket se nuk është në gjendje dhe nuk do të pranojë autonomi për veriun. Kjo për faktin se nuk e ka mbështetjen e partive opozitare, të cilët e akuzuan atë se në raundin e pestë ka tejkaluar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, duke dalë përtej Ahtisarit. Madje deklaratës së tij se “po duhet të marrë vendime të rëndësishme”, ata i thanë se “nuk ka fare nevojë për kësi vendime nëse nuk janë në interes të Kosovës”.
Përveç humbjes së mbështetjes nga krahu opozitar, Thaçi ka filluar ta humbasë edhe mbështetjen e disa deputetëve nga radhët e partisë së tij. Madje kryeparlamentari Jakup Krasniqi ia dërgoi një selam pak para se të hyjë në bisedime, duke i thënë: “Mos e shkel Kushtetutën”. Ndërsa në të njëjtën ditë partneri i koalicionit, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, i kërkon kushte për vazhdimin e partneritetit qeverisës, ose do ta braktisë atë. Pacolli thotë se nuk janë realizuar premtimet e tij për reformë kushtetuese, prandaj i kërkon disa kushte shtesë, ose thotë se nuk është në gjendje të bashkëveprojë me të.
Pra përkundër gjithë këtij presioni, Hashim Thaçi nuk ka qenë dhe vështirë se do të jetë i gatshëm për vazhdimin e bisedimeve dhe realizimin e kompromiseve. Deklarata që u dhanë pas takimit të gjashtë se gjoja bisedimet kanë qenë konstruktive, duken si diçka rutinore. Kjo, sepse dallimet janë akoma të mëdha dhe vështirë se do të ketë përparim në këtë domen.
Në anën tjetër kryeministri serb, Ivica Daçiq, njihet në opinionin serb si “palaço” i cili brenda një dite tri herë i ndërron deklaratat. Përkundër kryeministri Thaçi, i cili e ka bagazhin e luftës, atij nuk i besojnë as strukturat paralele e kriminale në veri, por as presidenti Nikoliq. Marrëveshjet me këtë të fundit do të jenë sikurse marrëveshjet e kaluara që Serbia kurrë nuk i ka realizuar.
Deklarata e kryeministri Thaçi se janë marrë vesh “verbalisht” për shpërbërjen e plotë të të gjitha strukturave të sigurisë në veri, do të mbetet e tillë dhe e parealizueshme. Daçiq është nxënës i Millosheviqit edhe pse i dobët. Mësuesi i tij sa herë që ka folur për paqen, mendja i ka shkuar të lufta. Kështu e ka interpretuar Richard Holbrook, ish-diplomati amerikan. Edhe Daçiq sa herë flet për heqjen e strukturave serbe forcon MUP-in në Mitrovicë.


