UBT

Pritjet para sporteleve si në kohën e UNMIK-ut?

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Sistemi unik i integruar dhe ndërrimi i formularëve kanë shkaktuar vonesa në procedim të dokumenteve në gjendjen civile thotë Arban Dubova drejtor i administratës së përgjithshme në Gjilan. Qytetarët të tmerruar me këto pritje që ua kujtojnë kohën e UNMIK-ut.

Para zyrës së administratës së përgjithshme ditëve të fundit kanë filluar të krijohen rreshta të gjatë e pritje disa orësh për të kryer qytetari ndonjë punë të rëndomtë në nxjerrjen e dokumenteve.

Qytetarët janë të tmerruar nga këto pritje të panevojshme. Salihu një qytetar nga Zhegra tha për rajonipress se ka dy orë që pret në radhë për të hyrë brenda. “Kjo më kujton kohën e UNMIK-ut kur për një dokument kemi pritur nga katër e pesë orë. Shpresoj të mos zgjas shumë kjo situatë sepse është tmerr të persësh aq gjatë. Paramendojeni sikur të ndodhë kjo në kohën e mërgimtarëve” shprehet ai.

Shumë nga qytetarët që ka kontaktuar rajonipress kanë shfaqur brengën se faji kryesor për tërë këtë komplikim ndodhet në Prishtinë, megjithatë hiq pa akuza nuk ka mbetur as administrata e Gjilanit.

Arben Dubova drejtor në administratën e përgjithshme për rajonipress ka një shpjegim për tërë këtë tollovi para sporteleve. Sipas tij duke filluar nga data 19 shkurt 2013 në tërë Kosovën ka filluar së aplikuari softueri i integruar i gjendjes civile dhe po nga kjo datë kanë filluar të aplikohen formularët e rinj për certifikata të gjendjes civile.

Mobi Casa

Dubova thotë se përkundër faktit se softueri i cili ka filluar të aplikohet është sistem tejet i avancuar duke ofruar siguri dhe kualitet në punë, megjithatë për rrethanat tona, ky lloj sistemi ka shkaktuar vonesa në procedim të dokumenteve për arsye se për lëshimin e një dokumenti kërkohet që e tërë baza e të dhënave të jetë e kompletuar me shënime në shkallën 100%.

“Kërkesa e programit për rikonfirmim të shënimeve personale për të gjithë qytetarët gjithashtu është një faktor tjetër i cili e ka ngulfatur mjaft punën e shërbimit të gjendjes civile në tërë vendin. Këto vonesa të shkaktuara nga faktorët e lartpërmendur janë të përkohshme pasi që rikonfirmimi i shënimeve kërkohet vetëm një herë edhe atë herën e parë me rastin e nxjerrjes së dokumentit, ndërsa herët tjera qytetarët do ta kenë shumë më lehtë dhe do ta kenë mundësinë që të nxjerrin dokumente kudo në zyrat e gjendjes civile në Kosovë” tha Dubova.

Sipas tij në rritjen e numrit të kërkesave gjithashtu ka ndikuar mjaft edhe ndërrimi i formularëve të gjendjes civile me ç`rast të gjitha certifikatat e lëshuara para datës 19 shkurt 2013 pothuajse janë të pavlefshme pasi që tani më në vend të tyre lëshohen ekstrakte të gjendjes civile.

Dubova sqaroj se nga data 19 shkurt 2013 në të gjitha komunat e Kosovës është ndërprerë, gjegjësisht është tërhequr nga përdorimi softueri i vjetër i gjendjes civile dhe me këtë hap praktikisht është pamundësuar shtypja e çfarëdo lloj dokumenti jashtë sistemit të ri të integruar.
“Të gjitha këto ndryshime janë bërë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) pasi që gjendja civile është kompetencë e bartur nga MPB-ja te komunat, ndërsa autoritetet dhe zyrtarët komunal vetëm kryejnë shërbime sipas ligjeve në fuqi dhe udhëzimeve të MPB-së. Fluksi i madh i qytetarëve ka detyruar menaxhmentin e drejtorisë së administratës që të ndërmarrin masa për të përballuar këtë situatë, duke rritur numrin e zyrtarëve të angazhuar në proces dhe të shtrënguar nga kjo gjendje nga data 4 mars 2013 në Shërbimin e Gjendjes Civile ka filluar të aplikohet sistemi i numrave ekstern, gjegjësisht shpërndarja e numrave para se palët të hyjnë në objektet e administratës në mënyrë që të krijohet rend dhe rregull në ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjithë dhe gjithashtu duke krijuar mundësi optimale për punë normale të zyrtarëve brenda sporteleve” ka sqaruar Dubova.

Sipas Dubovës aktualisht në shërbimin e gjendjes civile lëshohen deri në 200 dokumente brenda ditës, mirëpo kërkesa e madhe e qytetarëve për tu pajisur me dokumente megjithatë po shkakton radhë dhe pritje të gjata.”Me këtë rast kërkojmë nga të gjithë qytetarët mirëkuptim dhe i lusim ata që të respektojnë rregullat e vendosura nga drejtoria sepse kjo është mënyra e vetme për ofrim të shërbimeve kualitative dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë” tha ai./rajonipress/

Mund të ju interesoj: