Në Kosovë s’ka vullnet politik për ta luftuar korrupsionin
Korrupsioni dhe krimi i organizuar vazhdojnë të paraqesin kërcënimin kryesor për sundimin e ligjit në Kosovë.
Krahas pamundësisë së shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin e Kosovës dhe kërcënimit që paraqet ky aspekt për sigurinë dhe konsolidimin e ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë dy shtyllat kryesore që po pengojnë procesin e shpejtë dhe të drejtë të liberalizimit të vizave.
Përfaqësues të Lëvizjes “FOL”, në një konferencë për media, ku publikuan raportin vjetor “Monitoruesi i Korrupsionit 2012”, i cili paraqet të gjitha aktivitetet e institucioneve përgjegjëse, për luftimin dhe parandalimin e korrupsionit për periudhën janar-dhjetor 2012.
Fidan Kalaja nga Lëvizja FOL, tha se lufta kundër korrupsionit, jo vetëm që ende është e bazuar në premtime publike pa asnjë mbështetje në veprime praktike, por ajo ka marrë dhe një tjetër dimension, duke e konsideruar luftën dhe politikat anti-korrupsion, vetëm si kriter dhe presion i bashkësisë ndërkombëtare dhe duke mos marrë parasysh rrethanat dhe nevojat kontekstuale.
Sipas tij ky niveli i lartë i korrupsionit nëpër institucionet publike, ka shkaktuar dhe humbjen e besimit të qytetarëve në këto institucione.
Po gjatë kësaj periudhe Kalaja thotë se është vërejtur mungesa e vullnetit politik nga ana e liderëve të institucioneve qeverisëse, sa i përket luftimit të korrupsionit.
Ndërkaq, Armend Mazreku, i cili prezantoi të gjeturat e raportit “Monitoruesi i korrupsionit”, tha se ky raport politikash dëshmon mungesën absolute të seriozitetit të institucioneve publike, për ta parandaluar dhe luftuar korrupsionin.
Sipas të gjeturave të këtij raporti, Qeveria e Kosovës përgjatë vitit 2012 ka nxjerrë vetëm 5 vendime në luftë kundër korrupsionit: a) miratimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit Kundër Korrupsion për vitin 2013-2017; b) themelimi i Komisionit Ekzekutiv (në të cilën përfshihen Politikat Anti-Korrupsion dhe Gjyqësori); c) shkarkimi i dy anëtarëve të bordeve, njëri anëtar i Bordit të Drejtorëve të KUR “Hidrodrini”, SH.A. Pejë, si dhe tjetri anëtar i bordit të drejtorëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK); d) miratimi i projektligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Përfituar me Vepër Penale; f) miratimi i dy koncept dokumenteve: hartimi i projektligjit për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, si dhe hartimin e projektligjit për plotësim- ndryshimin e ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.
Më tej, sipas këtij raporti gjykatat e rregullta komunale të Kosovës, kanë trashëguar nga vitet paraprake gjithsej 197 lëndë. Po këto gjykata gjatë gjithë vitit 2012 kanë pranuar në punë gjithsej 169 lëndë, ndërkaq si lëndë në punë që janë në proces të shqyrtimit janë gjithsej 366. Gjykatat e rregullta komunale gjatë 2012 kanë zgjidhur gjithsej 148 lëndë. Ndërkaq, në fund të periudhës raportuese, kanë mbetur gjithsej 218 lëndë të pazgjidhura.
Ndërkaq, sipas statistikave të prokurorisë, të ndërlidhura me fushën anti-korrupsion, rezulton që ato kanë trashëguar nga vitet e mëparshme gjithsej 802 lëndë. Gjatë po kësaj periudhe 1 vjeçare janë pranuar 376 lëndë të reja. Janë ngritur 140 propozim-akuza dhe 132 aktakuza. Rastet e zgjidhura sipas numrit të personave janë 770, ndërsa kanë mbetur pa u zgjidhur rreth 990 lëndë. Në fund të periudhës raportuese kanë mbetur pa u zgjidhur 265 kallëzime penale.
Kurse sipas statistikave të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion (DHKEK), e cila vepron në kuadër të Policisë së Kosovës, rezulton që gjatë viti 2012 janë kryer hetime ndaj 157 personave, 56 janë arrestuar, 129 janë dërguar në Prokurori me kryerës të njohur, 1 rast është dërguar në prokurori me N/N dhe 19 raste të tjera janë dërguar me raport të Prokurorit.


