Fatet e lidhura me shtetin e Kosovës
Nga Blerim Shala – Të gjithë ne jemi shtetas të Kosovës, të gjithë e dimë se pa rend dhe pa ligj, pa vullnetin e shprehur lirisht të votuesve, pa institucione demokratike, nuk ka dobi për ne, për familjet tona, për shtetin e Kosovës.
Pakkush ka mundur të besojë, me 17 shkurt të vitit 2008, kur Kosova u shpall shtet, që pesë vjet më pas, në shkurtin e vitit 2013:
1. Kosova nuk do të jetë anëtare e OKB-së, e OSBE-së dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare.
2. Kosova nuk do të njihet prej të gjitha shteteve anëtare të BE-së, apo që pesë prej tyre sot e kësaj dite do të refuzojnë të pranojnë realitetin e ri në Kosovë.
3. Veriu i Kosovës do të jetë tutje i kontrolluar nga Serbia, që do të thotë që Kosova nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë si duhet sovranitetin në gjithë territorin e vet.
4. Qytetarët e Kosovës do të jenë më të izoluarit në Botë sa i përket mundësisë së udhëtimit pa viza, duke përfshirë këtu edhe udhëtimin në shtetet e Bashkimit Evropian.
5. Sportistët kosovarë në masë të madhe nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në garat më të rëndësishme sportive, në radhë të parë, në Olimpiada.
6. Kosova C (që në ndërkohë e ndryshojë emrin në “Kosova e Re”), nuk do të nisë të ndërtohet dhe që një shtet që ka rezerva linjiti në vlerë prej 80 miliardë Eurove do të harxhojë dhjetëra miliona Euro çdo vjet për të blerë rrymë në rajon.
7. Shkalla e korrupsionit do të jetë shumë më e madhe se sa që ishte në vitin e parë të pavarësisë.
8. Gjendja sociale do të jetë më e keqe se sa që ishte në dimrin e parë të pavarësisë.
9. Shkalla e shpresës së qytetarëve që shteti i Kosovës do të jetë më e ulëta tash, kur shënohet pesëvjetori i ekzistimit të shtetit të Kosovës.
10. Institucionet e tanishme qendrore të Kosovës do të jenë me defekte të shumta, të cilat janë kryekëput pasojë e manipulimit të madh të zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 2010. Demokracia kosovare, kurrë nuk ka qenë më e kontestuar, më e dëmtuar, më e lodhur, më e rrezikuar se sa sot.
Numërimi i temave problematike (madje, shumë problematike), do të mund të ecte tutje.
Natyrisht, do të mund të ndodhte, me qasjen e cila gjithsesi preferon një ekuilibër dashamirës, edhe renditja e arritjeve të Kosovës në pesë vitet e kaluara.
Është e vërtetë që Kosova është njohur prej 96 shteteve anëtare të OKB-së, që ka hyrë në FMN, në Bankën Botërore, së fundit edhe në BERZH.
Është e saktë që gjasat tani janë më të mëdha se më parë që më në fund të ndodhë integrimi i Veriut të Kosovës, që të hyhet në një proces gjithsesi të mundimshëm (nuk duhet pasur iluzione që ky proces do të jetë ndryshe), të normalizimin disavjeçarë të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili do të duhej të krijonte rrethana më të volitshme për anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Liberalizimi i vizave do të ndodhë, nëse jo në vitin 2014, në vitin 2015, gjithsesi.
Mbase, “Kosova e Re” do të nisë të ndërtohet në vitin 2014, etj.etj.
Rrogat në sektorin publik kanë pasur një rritje sinjifikative.
Poashtu, pra, edhe numërimi i këtyre arritjeve do të mund të ecte tutje.
Autorët e Listës së parë dhe kësaj të dytës, siç mund të merret me mend, do të mund të vazhdonin në pafundësi përplasjen për validitetin e secilës njësi (matëse) që dëshmon çka kemi bë, çka kemi bërë gabim, dhe çka nuk e kemi bërë (e është dashtë të bëhet), për të qenë bile pak më mirë se sa që objektivisht jemi, në këtë të diele të 17 shkurtit të vitit 2013, kur shënojmë ditëlindjen e pestë të Republikës së Kosovës.
Përplasjet e këtilla mbërthehen prej emocioneve të shumta, prej përllogaritjeve të cilat shpijnë në të katër anët e mundësive të pashfrytëzuara nga e kaluara.
Në fakt, gjëja më e keqe me të cilën ne si politikë, si vend, si shoqëri përballemi në këtë pesëvjetor është mungesa kronike e gatishmërisë që në mënyrë të gjakftohtë, të vlerësojmë gjendjen e Kosovës, në të gjitha aspektet e mundshme, dhe që pastaj, të synojmë të krijojmë një konsensus, çfarë e kemi pasur në vitet 1989-1992, 1998-2000, 2005-2007, se çka duhet të bëjmë me vendin tonë, me Kosovën.
Thjeshtë, diç e tillë mungon sot.
Mbase, nuk ka temë të vetme në këtë politikën e varfër kosovare, gjithnjë në degradim e sipër, e cila është në gjendje t’i bëjë bashkë sot politikën, shoqërinë civile, mediat.
Ta marrim shembullin e organizimit të zgjedhjeve të lira dhe demokratike në Kosovë. Nuk është vështirë të mbërrihet tek një formulë e cila do të shtonte ndjeshëm gjasat që në Kosovës të kthehet një normalitet në mbajtjen e zgjedhjeve. Por ja që kanë dalë në shesh variante të shumta se çka duhet bërë tash e tutje në këtë drejtim, dhe aty gjen fare pak pika të përbashkëta unifikuese.
Shteti i Kosovës është Një, ne jemi shumë, si politikanë, si parti, si OJQ, si media, si qytetarë, gjithsesi, tek e mbrama.
Demokracia është poashtu Një, gjithkund në Botë është e njëllojtë, dhe dihet se çka nënkupton ajo. Nuk mund të ketë disa interpretime të domethënies së demokracisë.
Sundimi i Ligjit poashtu është i qartë, kudo në sistemit që njohin dyzimin e Demokracisë dhe Liberalizmit. Luftimi i korrupsionit poashtu.
Përgjegjësia formale, reale, objektive, morale është pjesë e pandashme e Demokracisë, kudo në Botë.
Është kjo pra kjo një ‘Listë’ e tretë, e cila në parim do të duhej të bashkonte politikën, qeveritarët dhe opozitarët, analistët dhe qytetarët e thjeshtë, sepse të gjithë ne jemi shtetas të Kosovës, të gjithë e dimë që pa rend dhe pa ligj, pa vullnetin e shprehur lirisht të votuesve, pa institucione demokratike, nuk ka dobi për ne, për familjet tona, për shtetin e Kosovës.
E fati jonë është pandashëm i lidhur me fatin e shtetit të Kosovës.
Këtë duhet thënë në këtë përvjetor të Republikës së Kosovës.
(Blerim Shala është Nënkryetari i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazetën “Express”)


