De Biasi në Spanjë për Valdet Ramën
Prishtinë – Trajneri i Përfaqësueses së Shqipërisë, Gianni De Biasi, do të udhëtojë të dielën në Valladolid për të përcjellë nga afër paraqitjen e mesfushorit kosovar Valdet Rama (25). Rama është grumbulluar për ndeshjen që Real Valladolidi do të zhvillojë në shtëpi kundër Atletico Madridit. Ai i është bashkuar skuadrës së La Ligas spanjolle në afatin kalimtar të janarit.
“De Biasi do të udhëtojë personalisht për të ndjekur lojtarin. Ai shpreson ta shohë atë në veprim”, ka thënë një burim nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Vetë futbollisti pati deklaruar disa javë më parë se do të vinte me vrap në Përfaqësuesen e Shqipërisë dhe se ishte kontaktuar nga Federata e Futbollit e Shqipërisë.
“Kam folur me drejtuesit e federatës edhe sa isha në Orebro. Unë jam i gatshëm të luaj për kombëtaren. Shpresoj ta arrij këtë duke u paraqitur mirë te Valladolidi. Jam i bindur se kam çfarë t’i ofroj kombëtares. Luaj në dy krahët, por edhe në mesfushë. Kam përcjellë ndeshjet e kombëtares dhe e di se jam i vlefshëm”, ka thënë më herët Rama për gazetën.
Me Ramën, De Biasi do të kishte një element të ri në përfaqësuese, pasi ai mund të luajë si sulmues krahu dhe luan mirë me dy këmbë. Është lojtar mjaft teknik e i shpejtë.
Rama ishte në stol të hënën në ndeshjen që Valladolidi e barazoi pa gola në udhëtim me Betisin. Ai më herët ka luajtur për përfaqësuesen e Kosovës, ndërsa karrierë ka bërë kryesisht në Gjermani. Në këtë vend është rritur si lojtar. Në dy vitet e kaluara ishte pjesë e Orebros së Suedisë. (koha)


