Fundamenti

Thaçi: Ne nuk jemi perfekt, por jemi më të mirët

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi është duke i përshëndetur mysafirët dhe delegatët e pranishëm.”Vazhdojmë të mbesim gardian të të gjithë shqiptarëve. Ne menduam, punuam, luftuam dhe krijuam miq që të fillonte Epoka e Re. Epoka e ndryshimeve edhe për ne, si komb. Epoka e lirisë kombëtare dhe rendit demokratik. Epoka e Shpresës, Besimit dhe Lirisë. Ne të gjithë bashkë e kishim këtë ëndërr. Një ëndërr për Kosovën tonë, për kombin tonë, për lirinë dhe paqen përkrah kombeve të lira. Për Kosovën në të cilën të gjithë do të bënim jetë të sigurtë. Një ëndërr ku ne, lirshëm mund të vendosnim për të ardhmen tonë. Një vend ku fëmijët tanë mund të rriten, edukohen dhe të përparojnë, si kudo në botën demokratike. Një vend ku fati ynë do të ishte në duart tona, jo në duart e të tjerëve”, tha Thaçi.

“Ne, bashkë, e kemi ndërtuar shtetin dhe po qeverisim për jetë më të mirë. Shteti i Kosovës sot është i njohur nga rreth 100 shtete. Ne kemi filluar qeverisjen me rrugët me baltë. Tani kemi një nga sistemet më të zhvilluara rrugore në rajon. Infrastrukturë moderne me mbi 1500 km. Po përfundojmë punimet në afat rekord në ndërtimin e Autostradës më moderne në rajon, që lidh Kosovën dhe Shqipërinë”, theksoi Thaçi.

“Në vitin 2007 nxënësit i kemi gjetur duke mësuar në kontejnerë. Ne këto 5 vite e kemi ndërtuar mbi 130 shkolla të reja dhe shumë të tjera kemi renovuar. Përpos zhvillimit të Universitetit te Prishtines, ne kemi themeluar ate “Ukshin Hoti”, Universitetin “Haxhi Zeka” të Pejës. Në tetor të këtij viti do të hapet Universiteti i Gjilanit, “Kadri Zeka” si dhe ai i Gjakoves “Fehmi Agani”. Ne kemi filluar të qeverisim me Kosovën në errësirë. Tani kemi projekte për Kosovën 24 orë me rrymë. Ne kemi filluar qeverisjen me paga të ulëta për nëpunësit tanë publikë, mjekët, infermierët, mësuesit. Mbi 50 % për mësimdhënësit shkollave të mesme. Për punëtoret universitarë mbi 100%. Për policët 60%. Për infermierët, 80%. Për gjykatësit dhe prokurorët mbi 150%. Për pjesëtaret e FSK-së, 40%. Për zjarrfikësit 50%. Për familjet e dëshmorëve, invalidët e luftës mbi 50%. Për pensionistët mbi 40. Ne kemi bërë gjithë këtë pa shkaktuar borxh kombëtar. Ne kemi bërë shumë ndryshime, e këto ndryshime ne i kemi bërë së bashku”, tha ai.

“Synimi ynë si lidership i PDK-së është për t’u siguruar që qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë të kuptojnë se çfarë kemi arritur, çka përfaqësojmë ne, dhe ku duam ta çojmë vendin. Historia e PDK-së është historia e Kosovës. Mos harroni se vetëm pesë javë pasi që jemi votuar për të udhëhequr vendin, Kosova shpalli pavarësinë e saj. Historia e Kosovës është histori e secilit qytetar që punoi dhe sakrifikoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Ne përkushtohemi për krijimin e mundësive për të rinjtë tanë. Perkushtohemi për krijimin e vendeve të reja të punës dhe ne përkushtohemi për kujdes të veçantë për të moshuarit. PDK nuk është lodhur me qeverisje, por do të vazhdojë të qeverisë edhe më tej”, deklaroi Thaçi.

“Ne nuk jemi perfekt, por jemi më të mirët ne skenën politike të Kosovës. Dhe, nëse Ju besoni, ashtu siç besoj unë, se ne mund ta bëjmë këtë ëndërr realitet, atëherë Kosova ka nevojë për përkushtimin tuaj, vizionin tuaj dhe punën tuaj të palodhshme. Së bashku, në do ta përmbushim këtë synim!. PDK-ja ka dijen, guximin, fuqinë që synimet e çdo qytetari t’i bëjë realitet. PDK-ja ka përgjegjësinë për ta bërë këtë. PDK do ta udhëheqë vetveten në këtë rrugë dhe bashkë me qytetarët do të rrugëtojë drejt së ardhmes. PDK respekton të kaluarën. PDK është parti e vizionit për të ardhmen. Për Kosovën me marrëdhënia të mira me fqinjët. Për Kosovën paqësore në rajon. Për Kosovën në Bashkimin Evropian, në NATO dhe OKB. Faleminderit!”, përfundoi Thaçi.

19:00

Djali i Ukshin Hotit, i cili u duartrokit në këmbë nga të gjithë të pranishmit, prezantoi nje dokumentar kushtuar siç u tha njeriut të paqes dhe luftës, Hashim Thaçit.

18:50

Edi Rama: Thaçi dhe PDK janë në rrugën e duhur

Konventen e PDK’se, e ka përshëndetur edhe Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai nuk e la pa e përmendur kontributin e UÇK-se ne çlirimin e Kosovës.

“Hashim Thaçi dhe PDK janë në rrugën e duhur”, tha Rama.

Ai theksoi se shqiptarët do të bashkohen në Evropën e bashkuar.

18:30

Mustafa: Uroj që Thaçi të nënshkruaj Bashkimin Kombëtar

Lideri i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa ndezi atmosferën në sallë, pasi që në fjalimin e tij uroi që Hashim Thaçi të vazhdojë të jetë kryeministër i Kosovës dhe kryetar i PDK-së.

“Uroj që të jeni edhe nënshkruesi i parë i Bashkimit Kombëtar”, tha Mustafa, derisa u prit me ovacione të mëdha nga të pranishmit.

Ndersa, punimet e kuvendit i kane përshëndetur edhe politikanë te tjerë shqiptarë nga Shqiperia, Maqedonia, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi.

18:19

Zëvendëskryeministri shqiptar, Ilir Meta, njëherësh Kryetar i LSI’së, ka lavdëruar udhëheqjen e PDK’së për Kongresin, derisa ka rikujtuar se kjo parti doli nga lufta e UCK’së.

Ali Ahmeti, Kryetar i BDI’së, ka thënë se PDK kaloi nëpër vështirësi të mëdha, por ia doli t’i kryej obligimet kombëtare.

“Suksese juve, suksese Kosovës”, ka thënë ai.

Kuçi: PDK ruajti kohezionin nacional

Në fjalën e tij, Nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi i ka përshëndetur delegatët e PDK’së dhe mysafirët.

“PDK e ka ruajtur kohezionin nacional”, ka thënë ai.

“Partia Demokratike e Kosovës dhe të gjithë ne jemi testuar shumë, më shumë se çdo parti tjetër politike në këtë vend. Me krenarinë më të madhe mund të them se me punën tonë të përbashkët arritëm që sfidat t’i kthejmë në mundësi, arritëm që të gjitha vështirësitë t’i kthejmë në inspirim kryesor për të mirën e vendit tonë dhe mbi të gjitha vendimet e vështira i shndërruam në besime për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Kuçi duke shtuar se në këtë proces zgjedhor të PDK-së kanë marrë pjesë mbi 60 mijë anëtarë të PDK-së.

Të pranishmëve iu ka drejtuar Teuta Sahaciu, Nënkryetare e LDK’së, e cila ka uruar për një kuvend të mbarë.

Nis Kongresi i PDK’së

UBT

17:30 Ka nisur Kongresi i Gjashtë Zgjedhor i PDK’së, pjesa solemne, ku do të mbajnë fjalime drejtuesit e kësaj partie dhe të mysafirëve te ftuar me këtë rast.

PDK gati për kongresin e VI-të

Gjatë orëve të pasdites së sotme, nis seanca solemne e Kongresit të VI të PDK-së, në të cilën pritet të marrin pjesë Lulzim Basha, Edi Rama, Ali Ahmeti, krerët e shumë partive në vend si dhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Blerand Stavilecin, zëdhënës i PDK-së ka thënë se gjatë ditës së sotme do të mbahet pjesa solemne e kongresit. “Është bërë një skenarë ku do të ketë fjalime të mysafirëve të ftuar këtu pastaj edhe pjesa tjetër e një raporti përmbledhës e një lloj historiku i së kaluarës i PDK-së që nga themelimi e sidomos me theks të veçantë pjesa e viteve të qeverisjes. Ndërsa në ditën e dytë do të jetë pjesa e punës, ajo zgjedhore ku do të zgjedhet kryetari por edhe Këshilli nga ku do të dal edhe Kryesia”, ka thënë ai.

Stavileci ka pranuar se janë ftuar edhe krerët e partive të tjera të Kosovës por edhe të atyre jashtë saj, e siç thotë, pothuajse të gjitha e kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Seanca solemne e PDK-së fillon sot në orën 17 e 30, kurse të dielën do të mbahet pjesa e dytë e Kongresit duke filluar prej orës 9 e 30, në të cilën pritet të zgjedhet Kryesia e punës, Këshilli Drejtues i partisë, komisionet e ndryshme, por pritet të zgjedhet edhe kryetari i partisë.

Deri më tash janë zgjedhur 32 kryetarë të degëve. Ne mesin e tyre 9 janë zgjedhur drejtpërdrejt nga kuvendet e degëve, për shkakun se kanë qenë vetëm nga një kandidat i propozuar, ndërkaq të tjerët janë zgjedhur me këtë procedurën e gjatë – kuvendi, këshilli, kryesia dhe në fund kryetari.

PDK ende nuk e ka përfunduar procesin zgjedhor edhe në tri degë – Prishtina, Prizreni dhe Gjilani, ndërkaq në degën e Vitisë ende nuk është mbajtur kuvendi i partisë, për shkak se ata ende nuk kanë mundur t’i bëjnë përgatitjet e nevojshme për mbajtjen e tij.

PDK-ja në vitin e kaluar i ka filluar zgjedhjet e brendshme dhe deri më tani ka mbajtur zgjedhje në 634 seksione dhe në 777 nëndegë dhe në 37 degë.

Edhe Hyseni bojkoton Kongresin e PDK-së

Pas kryeparlamentarit, Jakup Krasniqit, mos pjesëmarrjen e tij në Kongresit të VI të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e ka konfirmuar dhe anëtari tjetër i kryesisë së kësaj partie, Hydajet Hyseni.

Ai në një prononcim për Kosovapress ka pohuar se s’ka dashur të prononcohet në lidhje me pjesëmarrjen e tij apo jo deri në çastin e fundit, duke pritur përpjekjet që do ta tejkalonin këtë situatë. Megjithatë, ai ka pohuar se tashmë ka vendosur që të mos marrë pjesë dhe se arsyet, sipas tij, do të bëhen të ditura së shpejti. Hyseni madje ka thënë se as nuk ka marrë as ftesë nga partia e tij për pjesëmarrje në kongres dhe se atij të shtunën i është bërë vetëm një telefonatë ku është ftuar të jetë pjesëmarrës.

“Kam vendosur. Nuk do të marr fare pjesë në kongresin e PDK-së, që po quhet kongres. Kam dashur të pres deri në fund. Arsyet për mos pjesëmarrje janë parimore dhe teknike. As ftesat nuk janë shpërndarë dhe unë nuk kam marrë as ftesë. Sot kam pasur një linje telefonike nga partia ku jam ftuar. Kjo flet për funksionimin demokratik në këtë proces”, ka thënë Hyseni për Kosovapress.

Ndryshe nga Hydajet Hyseni, anëtari tjetër i kësaj partie, Nait Hasani do të jetë pjesëmarrës në këtë kongres. I kontaktuar nga “Kosovapress”, ai ka thënë se do të marrë pjesë në Kongresin e VI të partisë së tij. “Po do të marr pjesë në Kongresin e VI të PDK-së“, ka thënë shkurt ai.

Vitia dhe Malisheva marrin pjesë në Kuvend

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Viti nuk ka arritur të mbajë Kuvendin Zgjedhor dhe në Kongresin e PDK-së, i cili mbahet sot do të përfaqësohet me delegatë të vjetër, ndërkaq drejtues të PDK-së në Viti akuzojnë njëri- tjetrin për dështimin e Kuvendit Zgjedhor.

Kryetari i Vitisë, Nexhmedin Arifi, ka thënë për Kosovapress se arsye për mos mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor në Komunën e Vitisë janë, Xhevat Bislimi dhe Daut Xhemajli, duke refuzuar të flas se për çfarë pengesash bëhet fjalë. Ai megjithëkëtë ka potencuar se do të marrin pjesë në Kongresin e Partisë Demokratike të Kosovës me 10 delegatë të cilët kanë qenë edhe më parë.

“Edhe pse nuk kemi arrit të mbajmë Kuvendin Zgjedhor të partisë në Komunën tonë, do të marrim pjesë në Kongresin Zgjedhor me 10 delegatë që kanë qenë edhe më parë. Kuvendi Zgjedhor në Komunën tonë ka dështuar pikërisht për fajin e Xhevat Bislimit dhe Daut Xhemajlit”, ka thënë Arifi.

Mirëpo, ndryshe nga Nexhmedin Arifi, mendon Xhevat Bislimi, anëtari i kryesisë së PDK-së, i cili ka thënë për Kosovapress se Arifi, nuk ka të drejt të flas në emër të PDK-së, pasi që nuk është në strukturat e PDK-së, tash e 3 vjet.

“Nexhmedin Arifi nuk ka të drejtë të flas në emër të PDK-së, sepse ai që tri vjet nuk është në PDK. Ai e ka keqpërdor mandatin të cilin ia ka dhënë PDK-ja. Atë mund ta pyesni vetëm për problemet dhe aferat korruputive dhe rastet e tij me Gjykatën Komunale, sepse ai është i zhytur në korrupsion. Ai ka shantazhuar dhe kërcënuar anëtarët e PDK-së dhe ai pikërisht ka penguar mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor në Viti”, ka thënë Bislimi.

Ai ka shtuar se me pajtimin e Kryesisë së PDK-së në qendër, janë pajtuar që Kuvendi Zgjedhor në këtë Komunë të mbahet pas Kongresit të PDK-së.

Përveç problemeve me Komunën e Vitisë, PDK-ja në Kongresin Zgjedhor, hyn edhe pa nënkryetarin e saj, Fatmir Limajn, i cili gjendet në paraburgim.

Hisni Kilaj, kryetar i Malishevës, ka thënë për Agjencinë e Lajmeve Kosovapress se dega e PDK-së në Malishevë, me gjithë mungesën e liderit të vet, do të marrë pjesë në Kongresin e PDK-së , duke mohuar zërat që në këtë degë të kenë ndodhur përçarje.

I pyetur nga Kosovapress për mungesën e Fatmir Limajt në këtë Kongres, Kilaj ka thënë se Fatmir Limaj megjithatë mbetët numri 2 i PDK-së. Sipas tij, dega e PDK-së në Malishevë do të merr pjesë në Kongresin Zgjedhor të PDK-së me 28 delegatë.

Gjatë ditës së djeshme, sekretari i PDK-së, Jakup Krasniqi ka konfirmuar se nuk do të jetë pjesë e këtij Kongresi.

Ndryshe, përveç Vitisë, që nuk ka arritur as të mbajë Kuvendin Zgjedhor, PDK-ja nuk ka arritur të zgjedh kryetarin as në degën e Prishtinës, Gjilanit dhe Prizrenit. /kosovapress/