Kusari-Lila: Nëse PDK-ja s’na plotëson kërkesat, largohemi!
Koalicioni qeverisës mes PDK-së dhe AKR-së mund të përfundoj në fillim të shkurtit nëse kryeministri Hashim Thaçi nuk i përmbushë kërkesat e AKR-së për reforma ekonomike dhe postet ministrore, paralajmëron zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila.
Por sipas Adem Grabovcit të PDK-së për këtë çështje shumë shpejt do të vendosin Thaçi e Pacolli.
Zëvendëskryeministrja Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar të mërkurën për “Tribuna Shqiptare” se AKR do të vazhdojë bashkëqeverisjen me PDK-në vetëm nëse kjo e fundit i plotëson kushtet për të cilat janë pajtuar në fillim të koalicionit.
“Në njëfarë forme, me krijimin e hapësirës, tash pas largimit të ministrit Agim Çeku dhe pas akumulimit të disa pakënaqësive të cilat nuk kanë të bëjnë aq shumë me postet qeverisëse ose ministrore sa kanë të bëjnë me pakënaqësinë tonë për zbatimin e reformave ekonomike, kemi ardhur tek një pikë shumë serioze dhe kjo pikë është një trajtim shumë serioz i koalicionit, por jo vetëm në raport të posteve por edhe në raport të zbatimit të reformave. Deri tash ne kemi zbatuar reformat ekonomike për aq sa na është dhënë hapësira por gjithashtu kanë ekzistuar siç e dini edhe pakënaqësi dhe ndeshje nganjëherë mes resorëve të ndryshëm në kuadër të koalicionit, që ne i kemi vlerësuar si të panevojshme”, tha Kusari-Lila.
Ajo tha se në situatën e krijuar, do ta bëjnë zgjidhjen më të mirë të mundshme.
“Në rast se ne nuk do të gjejmë zgjidhje për një zbatim të programit, atëherë ne me siguri që kërkojmë nga partneri i koalicionit t’i plotësojë pozitat të cilat ne për momentin i kemi dhe t’ia dorëzojmë detyrën tonë dhe ne të vazhdojmë aktivitetin tonë si parti politike”.
Ajo tha se nëse AKR largohet nga Qeveria, atë e bënë më shumë për mos hapësirën që të zbatohet në tërësi programi ekonomik sesa për postet ministrore.
Kusari-Lila tha se çështja e vazhdimit apo jo të koalicionit me PDK-në do të dihet shumë shpejt. (ORAinfo)


