UBT

Kurti: Forcim i opozitës, jo koalicion me LDK-në

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” Albin Kurti ka thënë se takimi i djeshëm me Isa Mustafën synon të forcojë bllokun opozitar në Kosovë.

Por aktualisht sipas tij nuk mund të flitet për një koalicion me LDK-në, pasi sipas tij kanë shumë dallime konceptuale.

“Besoj që ishte një takim i mirë, sepse edhe pak bëhen dy vjet që ne jemi në Kuvendin e Kosovës dhe ne takohemi për herë të parë. Besoj që ju e dini se Lëvizja “Vetëvendosje” ka qenë e gatshme dhe e interesuar për këso takimesh,por për një koalicion tash për tash as që mund të flitet. Kjo nuk është diskutuar. Kemi dallime të mëdha,por pajtohemi në disa çështje”- ka thënë Kurti, në një intervistë për rtv 21.

Kurti thotë se lëvizja “Vetëvendosje” nuk është fajtore pse deri më tash nuk ka pasur një opozitë të fuqishme në Kuvend.

“Është situata ajo e cila po na bënë neve të dukemi ekstrem sepse posaçërisht PDK-ja e ka futur Kosovën në Pazar dhe e ka zbritur pazarin për toke. Nuk është faji jonë pse nuk ka pasur bashkëpunim opozitar”-ka vlerësuar ai.

Lideri i Vetëvendosjes Kurti vazhdon të insistojë që bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërpriten.
“Kompromisi i ardhshëm për Kosovën nuk do ta ketë si përfundim autonominë e veriut pasi autonomia do të jetë vetëm fillimi. Prandaj kjo duhet të ndalet”, është shprehur Kurti.

Uji Dea

Lëvizja “Vetëvendosje” akuzon qeverinë se e ka harruar Luginën e Preshevës.

“Asnjëherë Lugina e Preshevës nuk është trajtuar në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Ju i keni parë ato mbledhjet e qeverisë të cilat janë të hapura për mediat. Ju e keni parë se çka ndodh por e keni parë edhe se çfarë nuk ndodh nuk ndodh që Lugina e Preshevës të jetë temë aty, asnjëherë”-ka thënë më tej ai.

Në këtë intervistë Kurti flet edhe për raportet që partia e tij i ka me ndërkombëtarët.

“Duhet t’i pyesni të huajt pse nuk bashkëpunojnë me neve sepse ne jemi të gatshëm.

Kush tha që ne jemi antievropianë e antiamerikanë. E bëri një ambasador i cili na e solli një president me sms-a dhe një presidente me zarf. Unë jam takuar edhe me ambasadorin Dell por unë nuk bëhem servil i askujt. Nuk bëhem sepse në jemi në rrugën e drejt që bazohet në parimet demokratike”, ka thënë Kurti. (ORAinfo)