Politika e krimit mban peng Republikën
Mënyra se si po pozicionohen liderët e partive politike në Kosovë, duke u shndërruar në figura të pazëvendësueshme dhe pa konkurrencë në drejtimin e subjekteve të tyre, madje duke i shndërruar ato gati në prona private, si ata në pozitë dhe në opozitë, po shihet nga analistët politikë si një sjellje e njerëzve të dehur nga pushteti dhe për pushtet, nga lakmia për t’u pasuruar, qoftë edhe kriminalisht, që kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit.
Pushteti i ka “dehur” protagonistët politikë
Mënyra se si po pozicionohen liderët e partive politike në Kosovë, duke u shndërruar në figura të pazëvendësueshme dhe pa konkurrencë në drejtimin e subjekteve të tyre, madje duke i shndërruar ato gati në prona private, si ata në pozitë dhe në opozitë, po shihet nga analistët politikë si një sjellje e njerëzve të dehur nga pushteti dhe për pushtet, nga lakmia për t’u pasuruar, qoftë edhe kriminalisht, që kurrë nuk dëshirojnë të bien e as të ndahen nga karrigia e pushtetit.
Analistët vlerësojnë se të tillët dëshirojnë të qeverisin e të sundojnë gati si mbretër e autokratë të një vendi dhe nuk ua lëshojnë vendin të tjerëve, por duan të qeverisin në pafundësi, duke mos u pajtuar asnjëherë që të ikin këto figura politike, të cilat u janë bërë tepër monotone dhe irrituese edhe vetë qytetarëve. Për pasojë të një kapjeje të tillë masive të shtetit nga politika e inkriminuar, edhe qytetarët po e shohin se realisht, po të mbahen zgjedhjet këtë verë, asgjë nuk do të rregullohet në të mirë të tyre, por vetëm partitë do t’i ndërrojnë partnerët, derisa edhe mënyra e qeverisjes do të jetë e njëjtë, kriminale, si deri më tani.
“Mbretërit” partiakë
Prof. Muhamet Kelmendi thotë se në Kosovë politikanët kanë krijuar udhëheqje të karakterit mbretëror dhe gati krejtësisht të paprekshëm, prandaj nuk ka ndryshime reformatore. “Pse është kjo kështu? Në kuadër të analizës së bërë dalin se janë disa faktorë themelorë. Së pari, është interesi karrierist, i cili po u siguron politikanëve jetë të gjatë në pushtet. Së dyti, është në pyetje interesi financiar i karakterit korruptiv dhe kriminal, duke u lidhur vetëm pas financave dhe përfitimeve dhe së treti është ndërtimi i partisë mbi bazën e tillë, ku lideri është i paprekshëm dhe i vetëm në udhëheqje. Faktet e përmendura janë të tilla që edhe në zgjedhje nuk del shpeshherë ndonjë rezultat tjetër, përveç atij që e ka përcaktuar subjekti politik. E tërë kjo është në dëm të ndërtimit të vendit mbi bazën demokratike, sepse nuk ka gjë të tillë, por vetëm formë. Kuptohet se kjo shkon çdo herë në kurriz të qytetarëve dhe atë në formë të ashpër ku shumica punojnë për një grumbull të vogël të politikanëve të korruptuar”, u shpreh Kelmendi.
Ai ka thënë se, duke qenë kështu, i tërë shteti shndërrohet në subjekt të shfrytëzuar, ku nuk funksionon as sistemi i drejtësisë dhe askush nuk përgjigjet as para ligjit. “Po jua përkujtoj faktin se futja e korrupsionit dhe krimit në administratë, në Polici, në Prokurori, në Gjykata, deri edhe në arsim e në shëndetësi ka bërë çrregullim të madh në vend. Atë nuk e përmirëson procesi i ri zgjedhor, por vetëm zbatimi i ligjit, hartimi dhe zbatimi edhe i ligjit antimafi dhe një lloj “Veting”-u edhe në vendin tonë. Tani, se a ka forca që do ta bëjnë këtë mbetet të shihet”, tha prof. Muhamet Kelmendi.
Qëllimi arsyeton mjetin
Sipas politologut Hidajet Ahmeti, politika është mjeti përmes së cilës mund të bëhen ndryshimet e mëdha socio-ekonomike, por jo politika të shndërrohet në mjet për t’u pasuruar e për t’i dhënë privilegje vetes. “Duhet ndërtuar një standard që politika të konsiderohet si mjet për t’i shërbyer popullit, e cila buron nga populli dhe përkthehet në shërbim të tyre”, theksoi ai. “Është e çuditshme se teoria psikologjike e pushtetit u shkon shumë për shtati politikanëve karrieristë të Kosovës, të cilët çdo mekanizëm të pushtetit e kanë shndërruar për interesa personale, klienteliste e nepotiste, me qëllimin e tyre për të plotësuar egon e tyre për pushtet, të cilën nuk e kanë gëzuar as edhe njëherë. Sipas kësaj teorie, personat te cilët në moshën e fëmijërisë kanë qenë persona të nëpërkëmbur, të injoruar, vetjakë, në momentin që fitojnë pak pushtet nuk zgjedhin mjete për të plotësuar egon e tyre, e cila në rininë e tyre ka mbetur e zbrazët. Potencialisht, këta persona janë shumë të rrezikshëm për shoqërinë, e në veçanti për shoqëritë në tranzicion, pasi çdo mekanizëm të pushtetit e shndërrojnë në favore personale e klienteliste, duke u munduar që me çdo kusht të jenë autoritarë për të plotësuar egon dhe ambiciet e sëmura për pushtet”, tha Ahmeti.
Ai ka pohuar se një shembull i tillë i keq i politikëbërjes po funksionon edhe në Kosovë. “Rasti i politikanëve në Kosovë është përtej kësaj teorie, pasi perandoritë e tyre pushtetare janë nderuar në mënyrë sofistikuar dhe sistematike dhe pikërisht komoditeti i tyre rrjedh nga ky organizim kriminal i instaluar në politikën kosovare. Sipas teorisë së tyre, “qëllimi arsyeton mjetin”, që do të thotë ardhja e tyre në pushtet arsyetohet në çdo formë, edhe atëherë kur përdorin mjete kriminale për ta arritur qëllimin e pushtetit”, tha Hidajet Ahmeti.
Të pangopur dhe lakmitarë Edhe analisti politik, Skënder Mulliqi vlerëson se partitë politike gati krejt që nga pas lufta kanë mbetur me struktura të njëjta politike dhe jo rastësisht me qëllim të mbajtjes së pozitave të larta, së pari në parti dhe pastaj edhe në pushtet. “Logjika e tyre nuk ka qenë kurrë e shëndoshë, që të punohet ndershmërisht për shtetndërtim dhe mirëqenie të qytetarëve, por ka qenë logjikë për t’i mbushur xhepat me paratë e taksapaguesve, të cilët po heqin të zitë e ullirit për t’i dalë matanë muajit. Shumica sot po jetojnë keq në Kosovë pikërisht se kjo elitë politike në pushtet, por edhe disa krerë opozitarë, janë kapur fort për karrige pushtetare, janë kapur për zhvatje, hajni, uzurpime dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me kriminalitete të llojllojshme dhe korrupsion të nivelit galopant. Këta nuk i lëshojnë pozitat e larta në shoqëri, sepse janë të pangopshëm. I kanë tejkaluar me hajni komunistët e vjetër, sepse nuk u hiqet lakmia pas të mirave materiale deri në pafundësi”, tha Mulliqi.
Sipas njohësit të skenës politike kosovare Ali Hertica, sistemi demokratik e multi-etnik në Kosovë nuk po shkon në drejtim të formimit të shtetit ligjor, por të kapjes së pushtetit për interesa e korrupsion financiar të klaneve dhe klientelave të ngushta kriminale të lidhura me subjektet politike me ndikim. “Ky lloj mentaliteti është tek ata që kurrë nuk e kanë pasur vullnetin e shtetit dhe interesin e zhvillimit të shtetit sipas kërkesave të popullit, por vetëm se si të pasurohen”, është shprehur ai. “Është shumë e pritshme që qytetari të vetëdijesohet dhe këta mbretër të politikës një ditë të afërt do të jenë të dënuar keq, sikur që kanë qenë shumë shembuj të ngjashëm edhe në vende të tjera në tranzicion”, tha Hertica./kosova sot/


