Në katrahurë
Nga Arben Idrizi – Ne të gjithë jemi qytetarë që do të ulemi para televizorit për të ndjekur fushata zgjedhore e debate të ndryshme politikanësh që nuk kanë asgjë për të thënë as për të bërë për vendin tonë. Megjithëse të shqetësuar pafundësisht për vendin tonë, prapëseprapë do të na zërë gjumi.
Pas debatit televiziv mes Macronit dhe Le Penit, gazeta italiane La Repubblica kishte intervistuar intelektualë të ndryshëm francezë, ndër të cilët dhe M. Houellebecqun. Me humorin e tij fin, Houellebecq tregoi se ishte përgatitur ta përcillte debatin, por pastaj e gjithë ajo kotësi e kishte vënë në krizë, e kur kaplohet nga kriza, rrëfehej autori, zakonisht e zë gjumi. Me pak fjalë, ndërkohë ia kishte futur gjumë për shtatë palë qejfe. Natyrisht, kjo nuk e vë në dyshim aspak shqetësimin e Houellebecqut për vendin e tij, përkundrazi.
Çka po mendoja unë pas kënaqësisë së batutës është se, ja, parimisht, një autor gjenial si ai duhet të ulet para televizorit dhe të presë në ankth çfarë do të thotë dikush që nuk ka asgjë për të thënë.
E megjithatë, bash ata që nuk kanë asgjë për të thënë mund të vijnë në krye të vendit, të kenë pushtetin dhe të qeverisin edhe me jetët tona.
***
Tash që kërkohen zgjedhjet e parakohshme me ngulm te ne, e dimë se pashmangshmërisht do ta gjejmë veten në situatën e njëjtë.
Me javë të tëra, ekranet televizive, hapësirat mediale, hapësirat publike hapësirat private, e tëra do të jetë e vërshuar nga fushata zgjedhore dhe ato debate politikanësh që nuk kanë asgjë për të thënë, të cilat do të na vënë në krizë, respektivisht në gjumë. Fushata zgjedhore dhe debate politikanësh, të cilët gjenden në skenën politike kosovare qysh prej përfundimit të luftës, me ta njëjtat premtime që nuk mbahen kurrë, me të njëjtën gatishmëri mashtrimesh, me të njëjtën hipokrizi; për të njëjtat vjedhje, për të njëjtat skandale, për të njëjtat spekulime, për të njëjtat keqpërdorime; duke e zvarritur vendin drejt një humnere dhe kaosi, duke e varfëruar shoqërinë dhe duke ia humbur çdo shpresë për një të ardhme për të qenë.
Një palë zgjedhje të reja me të njëjtët politikanë të korruptuar, të dyshuar për krime të ndryshme, e bile edhe për vrasje.
Nuk po them se thjesht duhet të na zërë gjumi, meqë nuk kemi çfarë të bëjmë. Sigurisht, ne nuk kemi kë tjetër të votojmë. Kushdo që t’i fitojë ato, tash apo pas përfundimit të mandatit të rregullt, do të jetë e njëjta gjë. Asnjë ndryshim substancial, asnjë shpresë për të ardhmen. Ka gjasë që, si në fillim të këtij mandati, vendi të përfundojë në një ngërç tashmë të rëndomtë politik, në pamundësi të krijimit të qeverisë së re. Mund të shkojnë muaj e muaj të tërë në kërkim të një qeverie, e cila nuk do të arrihet thjesht sepse interesat banditeske të partive politike do të vlejnë më shumë, natyrisht, se interesat e vendit. E edhe kur të krijohet qeveria e re, mund të ndodhë përsëri që, si në këtë mandat, inatet dhe banditizmi pozitë-opozitë të bëjë që i tërë mandati të shkojë huq, pa mundur të merret as edh enjë vendim i vetëm për të mirën e vendit.
***
Një ilustrim i mirë i gjithë kësaj katrahure është edhe dita e sotme. Sot është Dita e Europës. Në Europë, kudo, festohet simbolikisht. Në Kosovë sot është ditë pushimi në sektorin publik, ndërsa sektori privat nuk e ka këtë të drejtë. Sektori publik e ka, sepse këtë e kanë mundësuar këta politikanë që e kanë mjeruar këtë vend; këta politikanë që nuk kanë asgjë për të thënë as asgjë për të bërë për të mirën e përbashkët. Vetëm për veten. Këta politikanë që na bëjnë të festojmë për një ditë të një vendi në të cilën nuk mund të lëvizim të lirë.
Ironike, apo jo?
Festojmë një ditë në të cilën ndihemi të përbuzur dhe të nëpërkëmbur pikërisht falë këtyre politikanëve. Festojmë një ditë në të cilën jemi të izoluar dhe të shkretuar pikërisht për shkak të veprimeve dhe vendimeve të këtyre politikanëve.

