ARKATANA

Biblioteka e Opfikonit pasurohet me libra shqip

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Derisa klube, shoqata dhe organizata shqiptare në Zvicër kanë shënuar dhe po vazhdojnë të shënojnë 100-vjetorin e shtetit shqiptar me koncerte dhe manifestime festive në Zvicër, shoqata kulturore shqiptare „Glatt-Alb“ në Opfikon ka zgjedhur të shënojë këtë datë duke dhënë një donacion librash shqip për Bibliotekën e qytetit.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe kryetari i qytetit të Opfikonit, Paul Remund.

Duke përshëndetur këtë iniciativë, ai tha se kjo ngjarje paraqet një hap me rëndësi në integrimin e shqiptarëve në Opfikon.

„Integrimi më i mirë është kur vjen nëpërmes librit, dijes dhe kuluturës“, tha Remund.

Ai ka falënderuar shoqatën “Glatt-Alb” për pjesëmarrjen në festivalin e ushqimeve tradicionale „Food Festival 2012“, të organizuar nga Komuna e Opfikonit.

Të pranishmit i përshëndeti edhe drejtori i Drejtorisë së Shkollave në Opfikon, Hans Zolliker dhe Peter Buhrer, aktivist në jetën politike dhe shoqërore në këtë komunë.

Ndryshe, donacioni i dhënë nga shoqata „Glatt Alb“ përmban libra për fëmijë, tituj që kryesisht janë në gjuhën shqipe.
Gjithsej janë 66 tituj të librave të ndryshëm, duke filluar nga libra të ilustruar për fëmijë, lektura shkollore, romane, novela, autobiografi, publicistikë, histori.

ARKATANA

Furnizimi i librave është mundësuar nga shtëpia botuese nga Prishtina “Botimet Koha“.

Shoqata shqiptare „Glatt-Alb“ të hyrat nga Food Festival Opfikon, i cili është mbajtur në muajin shtator, i ka siguruar librat shqip që i janë dhuruar bibliotekës së qytetit Opfikon.

Të pranishmit i ka përshëndetur Sebehat Zylfiji, kryetare e shoqatës, e cila i ka falënderuar të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në këtë ngjarje të dhurimit të librave për bibliotekën e qytetit në Opfikon.

Të pranishmit kanë shkëmbyer mendime lidhur me kulturën dhe traditën shqiptare.

Kjo ngjarje është projekti i shtatë i organizuar gjatë këtij viti nga shoqata kulturore shqiptare “Glatt-Alb”.

Të gjithë të interesuarit për këto libra shqip mund ta vizitojnë Bibliotekën e qytetit në Opfikon, në mënyrë që të njihen nga afër me përmbajtjen e tyre.(albinfo)