Një vepër poetike me vrushkujt emocionalë të zemrës e dufet e shpirtit të tij të pasur
Gjilan – E theksoj që në fillim, se u mirëprit me dashamirësi kërkesa e poetit Shefik Arifi, për të kryer procesin redaktues të këtij vëllimi poetik. Autori është me shpirt të madh dhe me ndjesi të pasura njerëzore, nga burojnë vargje poetike, që kanë burim vrushkujt emocionalë të zemrës e dufet e shpirtit të tij të pasur.
Autori pas dy librave të tij me poezi, vjen për lexuesit me një libër të ri që titullohet: “Nektarët e një mërgimtari“.
Ky krijues me një shtrirje të admirueshme në shoqëri, di të japë e di të marrë nga mjedisi e nga natyra, nga përditshmëria në zhvillim të pandërprerë. Madje ky krijues arrin me vetëdije të fokusojë detaje, subjekte, fabula e gjithçka i lypset për gatitjen e krijesës së vet shpirtërore. Kanë qenë të pikasura e me emocione të ngjeshura mbresat e grumbulluara, ndaj me të vërteta e me të përvetësuara dalin vargjet përmes fjalës së shkruar. Fjala poetike, si mjet komunikimi ndjesor- emocional i ka në vetvetë të gjitha mjetet e volitshme për t’ia arritur synimit parësor të paramenduar. Synimi thelbësor i poetit është paraprak dhe i qenësishëm për tu prezantuar, i arritur dhe sa më i përvetësuar nga të tjerët si luga me mjaltë e jo si një frut që të mbetët në grykë.
Poezitë e krijuesit Shefik Arifi, trajtohen me një pathos të veçantë, ku mendimet rrjedhin lirshëm e me një shpërthim spontan të natyrshëm, që përligj trevën nga ku ka origjinën. Herë ndeshim vargje të thjeshta e të bukura, herë elegji, herë përshkrime portretesh me madhështi,dashuri e respekt, ku përparësi i jepet bukurisë shpirtërore të tyre. Dallohet njëhershëm se poezitë kanë fabul e nuk janë ndërtuar mbi ndonjë boshati përhumbëse. Gjithashtu në to nuk mungon figuracioni i këndshëm , që nga vlerat artistike të vargëzimit që jo rrallë të mrekullon.
Rëndesa e fjalës poetike vjen duke u rritur nga poezia në poezi. Njëkohësisht autori është i vetëdijshëm për mesazhet që do të përcjellë. Ato jepen bukur dhe qartë si një melodi që iu shkon ëmbëlsisht e ledhatueshëm lexuesve të thjeshtë dhe jo vetëm atyre. Vërehet në to malli e dashuria për vendlindjen, kur përshkruan bukur e me mjeshtëri krahina dhe njerëzit e saj. Hap pas hapi në vëllim autori përshkruan e shpalos vlera artistike, duke e ngritur në art çdo gjë të thjeshtë e të bukur, që kënaq e lumturon lexuesit që do të lexojnë me endje e dashuri. Aty gjen terrenin më të favorshëm për të trajtuar emocionalisht dhe estetikisht temën e preferuar për gjithkënd, atë të dashurisë.
Vet titulli i librit është mjaft poetik e shumë shprehës. Pra poezitë e këtij libri kanë përbrenda dashuri, por edhe brenga apo mall, prej buron edhe loti i përligjur i shpirtit të pasur njerëzor. Këto poezi trajtohen nga një këndvështrim prej artisti e prej poeti të mirëfilltë përjetimet e përsëritura të njerëzve në ecuri të pandërprerë. Pra, autori na vjen me poezi të shkruara bukur, të frymëzuara e të startuara nga hojet e zemrës me ndjenjë, frymëzim e me mjaft element të statistikës poetike të trajtuara me kujdes e merak.
Duke parë me tendencë ecurinë ngjitëse në lëmin e poezisë, shpreh bindjen se autori Shefik Arifi do përthithë lexues të shumtë,të cilët nuk do ti lërë ata të zhgënjyer. Dallohet lehtësisht se shumica e poezive, veç fjalëve të kursyera e me intensitet mendimi, e ka në natyrë të tij paraqitjen estetike befasuese e tërheqëse./ Çano Nora – Gjirokastër./rajonipress/


