Eko Higjiena

Opozitari Hashim Thaçi

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Nga Lavdim Hamidi – Pas 6 vjet qëndrimi nën rrezet e diellit të qeverisjes, Hashim Thaçit ka nisur t’i dalë ngjyra. Atij po i përgatitet terreni për t’iu kthyer qeverisjes nën hije.

Këtë “favor” të heqjes së privilegjeve që ia ofroi për disa vjet pushteti po ia mundëson ish-partiaku, dikur krahu i tij i djathtë, Fatmir Limaj, i cili javë më parë edhe publikisht deklaroi se nuk është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës dhe se do ta krijojë një subjekt të ri politik bashkë me kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, e disa zyrtarë tjerë të partisë.

Jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen në qershor, apo më së largu në shtator, Limaj i dha goditje të fortë partisë së Thaçit edhe në zgjedhjet e fundit lokale, ku ia mori nga duart Malishevën, Komunën e “zagarëve” dhe kontribuoi që ish-partia e tij t’i humbë zgjedhjet edhe në Lipjan.

Ky trend i humbjes së votave do ta përcjellë Thaçin edhe në të ardhmen, pasi që nuk do t’i ketë përkrahë në fushatë për zgjedhjet nacionale dy figurat kryesore të partisë, Krasniqin e Limajn, përkatësisht dy kandidatët që morën më shumë se 100 mijë vota në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007.

Limaj pavarësisht se vazhdon ta ketë në qafë një proces gjyqësor që është iniciuar nga prokurorët e EULEX-it, si i dyshuar për korrupsion dhe me një bagazh jo shumë të pastër në qeverisje, megjithatë pritet t’i marrë jo pak vota PDK-së në nivel vendi, ashtu siç i mori së fundi në Malishevë dhe në qendra të ndryshme të Kosovës.

Ndoshta, Thaçi dhe zyrtarët e tjerë të lartë të PDK-së e kanë vështirë të pajtohen se vetëm pak muaj i ndajnë nga heqja e luksit dhe privilegjeve që u jep pushteti, por ata e dinë fare mirë çka i pret në raste të tilla. Shembull e kanë atë që pasoi me LDK-në pas ndarjes në dysh, ku pushteti u sigurua për opozitën e atëhershme.

LDK deri para “kuvendit të karrigeve”, nga i cili dolën shumë zyrtarë dhe simpatizantë të pakënaqur që iu rreshtuan një subjekti të ri, Lidhjes Demokratike të Dardanisë me në krye Nexhat Dacin, ishte partia më e madhe në vend.

Me formimin e LDD-së, LDK me automatizëm ra në vend të dytë, duke e nxjerrë PDK-në partinë numër një, me ç’rast Thaçi e mori mandatin për ta formuar Qeverinë.

KKVITI

Primatin e partisë më të madhe në vend PDK e ruajti edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010.

Edhe pse PDK nuk e përjetoi epilogun e “karrigeve”, çarja e thellë brenda emrave më me ndikim në parti u shfaq pas aferës “Pronto”.

Tatëpjeta e partisë më të madhe në pushtet u konfirmua me zgjedhjet lokale të vitit 2013, me ç’rast humbi komuna që as s’do të besonte se do t’i rrëshqisnin nga duart. Madje humbi edhe Mitrovicën, prej nga vijnë njerëzit më me ndikim në parti.

Dhe jo vetëm kjo, skandalet që i prodhuan dhe që po vazhdojnë nga figurat kyçe të PDK-së nuk mund të zbehen aq lehtë në sytë e votuesve. Duke i shtuar kësaj edhe akuzat e rënda për korrupsion që dolën brenda vetë zyrtarëve të partisë, janë sinjal i fuqishëm për rënien në vazhdimësi të saj.

Ky ambient politik i pafavorshëm për PDK-në, është mundësi perfekte që do ta shfrytëzojnë partitë opozitare, që secila prej tyre të përvetësojnë nga një copë të elektoratit.

Natyrshëm në këtë mënyrë, Thaçit do t’i trasohet rruga drejt qeverisjes nën hije.

Dorën në zemër, PDK para se të vinte në pushtet ka qenë opozitë shumë më e fortë se LDK sot. Në këtë të keqe të mundshme për PDK-në, megjithatë ekziston një e mirë. Ta pastroj strukturën pas rënies nga pushteti.