Ditët e hapave të vendosur
Nga Adriatik Kelmendi – Ka kohë që mbase s’kemi parë ndërmarrje të hapave kaq të vendosur sa po shohim këto ditë në Kosovë – vendosmëri nga Limaj e Krasniqi, vendosmëri nga EULEX-i, dhe vendosmëri nga studentët… me ide për të ecur përpara
KUR NJË ISH-KRYEPARLAMENTAR kishte vendosur ta lëshonte partinë më të madhe dhe të krijonte një të veten, kjo ndikoi që ajo parti më e madhe të mos gëzonte më një epitet të tillë. Në zgjedhjet e ardhshme LDK-ja për herë të parë pas 18 vjetësh themelimi – u mund.
A do ta shohim një skenar të njëjtë me protagonist kryeparlamentarin e sotëm në zgjedhjet e ardhshme? Gjasat janë të mëdha që Jakup Krasniqi të jetë për PDK-në ai që doli të jetë Nexhat Daci për LDK-në në vitin 2007.
Tash, kur Fatmir Limaj përfundimisht gjeti kurajën të divorcohet nga PDK-ja, me çfarëdo përllogaritjeje, kjo del të jetë tronditja më e madhe e cila i ka ndodhur partisë së Hashim Thaçit që nga themelimi.
Thaçi, Krasniqi e Limaj kanë qenë gjithë treshja që ka simbolizuar PDK-në. Ikja e dy numrave dy të partisë vështir se do të mund të kompensohet me ndonjë figurë tjetër, sa i përket përkrahjes së elektoratit në terren. Kjo u vërtetua edhe me minitestin e dyshes në zgjedhjet e fundit lokale, kur ia morën PDK-së Malishevën dhe e dëmtuan edhe në komuna të tjera.
Në kontekstin edhe të rritjes së LDK-së, dëmi që mund t’ia shkaktojë PDK-së partia e re e Krasniqit dhe e Limajt mund të jetë e mjaftueshme për ta çuar këtë të fundit në opozitë.
Në anën tjetër, pëshpëritet se kjo parti e re mund të shkojë në një koalicion mu me LDK-në. Edhe Krasniqi, edhe Limaj, dy herë kur kanë qenë ministra kanë qenë në qeveri koalicioni të përbashkëta me LDK-në. Kështu që një ribashkim nuk do të ishte gjithaq i panatyrshëm.
Duket se Krasniqi, me një matematikë të këtillë, e sheh mundësinë e fundit që ta realizojë aspiratën e tij për t’u bërë president, teksa Limaj gjithnjë e më tepër po e shfaq hapur ambicien për t’u bërë ministër i brendshëm.
E Isa Mustafës një kombinim i këtillë do t’ia rriste gjasat për t’u bërë kryeministër.
Sidoqoftë, e thashë, tash për tash, asnjëri nga këta protagonistë nuk e ka folur hapur mundësinë e një bashkëpunimi të këtillë.
Vetëm… e kanë pëshpëritur!
DIKUSH E QUAJTI “arrestim historik” vënien prapa grilave të djalit të presidentit Ibrahim Rugova. Mirëpo, besoj se kjo do të ishte e vërtetë sikur të bëhej fjalë për djalin tjetër të presidentit historik. Në rastin e sugarit, Ukës, ky lajm i ngjan një kronike të paralajmëruar. Sado e rëndë për ne si shoqëri – e më rëndë s’ka sesa të arrestohet për krim të organizuar i biri i njeriut simbol të shtetësisë së vendit – lajmi nuk është fare bombastik.
“Kryetari i partisë (Rugova) është i përfshirë po ashtu në një strukturë mafioze familjare, një ‘Kozanostra familjare’”, po më thoshte Bujar Bukoshi në një intervistë për “Rubikon” të 26 janarit 2005, teksa fliste për ato që i quante struktura mafioze të LDK-së (shih librin “Kapërcimi i Rubikonit drejt pavarësisë”, fq 64).
Akuza të njëjta ishin përmendur edhe herë të tjera, nga shumë anë, të cilat shpesh i thoshin ato me gjithë konsideratën e lartë për dr. Rugovën.
E sidomos Uka e cenoi rëndë kredibilitetin dhe shpërfaqi krizë të madhe identitare kur vendosi të hynte në politikë dhe për shumë pak muaj u bë rekordmen absolut i sllallomit politik: nga LDK-ja, te Lista e vetë Bukoshit, pastaj bashkë në AAK, e me të fituar mandatin e deputetit, nëpërmjet të AKR-së, duke u përfshirë në mazhorancën e udhëhequr nga PDK-ja.
Tash, unë hezitoj ta shpall dikë fajtor pa e bërë këtë një gjykatë kompetente dhe dua të shpresoj se Uka do të dalë i pafajshëm. Mirëpo, jo për kredibilitetin e tij, pasi që ai vështir se mund ta kthejë atë, por për tonin – të shoqërisë. Meqë edhe pas dy-treqind vjetësh, kur të mësohet për themelimin e shtetit të Kosovës, do të vazhdojë të përmendet se i biri i presidentit të Pavarësisë ishte dënuar për krim të organizuar.
PËR KRIM TË ORGANIZUAR, por kësaj radhe të luftës, ndodhën edhe dy arrestime të mëdha të serbëve të fuqishëm në veri të Kosovës. EULEX-i duket se përfundimisht e ka kuptuar se ku ndodhet dhe se për çdo veprim duhet të ketë njëfarë lloj balance politike, në qoftë se do të veprojë me kredibilitet në Kosovë.
Tash, kur nga Beogradi ka marrë dritën e gjelbër, ndodhën edhe dy arrestime që, sërish, nuk është se befasuan kënd. Oliver Ivanoviqi dhe Dragolub Delibashiqi ishin përmendur vite me radhë si të dyshuar për vrasje dhe dëbime të shqiptarëve, me qëllim të spastrimit etnik të veriut.
Mirëpo, a janë këta të vetmit të dyshuar?
Natyrisht se jo. Së këndejmi, në javët e muajt në vazhdim do të shohim sigurisht edhe vazhdimin e arrestimeve të kësaj natyre në veri, për të vazhduar pastaj në “jug”.
Ka edhe në “jug” të dyshuar që përmenden për krime nga më të ndryshmet për vite me radhë. Vetëm se duket që deri tash nuk kishte ardhur ai momenti i duhur politik… i cili duket se ka ardhur tash.
Edhe balancën e ka mësuar EULEX-i.
Edhe dialogu po vazhdon në Bruksel.
E edhe MSA-në po pritet ta nënshkruajmë në pranverë.
Brukseli, thonë, është bukur teknik sa i përket përmbushjes së kritereve. Dhe kërkon rezultate konkrete, jo fjalë.
S’PO MUND TA BESOJ se vetë Ibrahim Gashi s’po do që ta lëshojë postin e rektorit! Më tepër duket se s’po e lënë të lëshojë rrugë.
Mirëpo, kështu s’po i bëjnë shërbim as vetes, as Gashit, se UP-së e Kosovës jo se jo.
Largimi i Gashit, tash, kur është dëmtuar rëndë kredoja e tij akademike me botimet jashtë dhe sidomos me CV-në e famshme – është i pashmangshëm.
Sa më parë – me pasoja shumë më të vogla si për “ata”, si për Gashin, si për UP-në, e gjithsesi për shtetin.
…se kjo punë s’ka shpëtim, veç vonim!
adriatik@kohavision.net
Twitter: @adriatikk


