KKVITI

Përralla për universitetin

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Për të gjithë ata që i përkasin brezit të ri ose të mesëm, Prishtina ishte një qytet i universitetit dhe prandaj koncepti për kryeqytetin e ka marrë kuptimin e tij. Nëse sot futesh ne rrjetet sociale dhe në më popullorin prej tyre, në Facebook, gati gati është e pamundur që të gjesh njerëz që nuk e kanë logon e UP-së si pjesë të shkollimit të tyre.

Prandaj edhe këtu do të shihej një koncept i një kryeqyteti që i ka pushtuar të gjithë ardhacakët e tij, ndër të tjerë edhe për shkak se shumica absolute e tyre janë bërë prishtinali të përhershëm ose të përkohshëm.

Universiteti i Prishtinës sigurisht se është më i ri se sa ai i Tiranës, i Shkupit, ose i Podgoricës, dhe është krejt çilimi në raport me universitetet e cilitdo qytet everopian. Por për Kosovën dhe njerëzit e saj, Universiteti i Prishtinës i ka një mijë vjet ndoshta, sepse është vetë jeta e një kombi përgjysmë, është kultura dhe dija e tij, është qytetërimi dhe historia e një shteti të ri.

Nuk e di se për të satën herë ky Universitet është shndërruar në një histori për të gjithë, por akoma nuk është krejtësisht e qartë si ndodhi që sivjet, ose këto 10-15 ditë, me ose pa arsye, për motive politike ose puro akademike, për interesa meskine apo për patriotizëm shtetëror, ky universitet të shndërrohej në një rrëfim popullor, përrallë popullore, storje mediatike nacionale, apo edhe më shume temë debati e një komuniteti që s’para merr vesh shumë nga universiteti!

Magjepsësi më i madh është ai që është magjepsur deri në atë pikë sa të marrë vetë fantazmagoritë e tij për shfaqjen personale. A nuk është ky rasti i Universitetit? Për më shumë se një javë kupola e institucionit më të lartë të arsimit në vend u shndërruaa në hapësirë të gjimnastikës së mëngjesit. E çuditshme…meqë shqiptarët nuk njihen si popull që e praktikon o e ka në traditën e tij gjimnastikën.

‘Studentët’ e Vetëvendosjes, ‘fansat’ e mëdhenj të Universitetit, dhe studentë të tjerë realë e fiktivë, disa nga shoqëria civile e ngjyrave dhe e interesave të ndryshme, profesorë “rebelë” e politikanë, qytetarë por dhe të tjerë që mund edhe ta duan me mish e me shpirt universitetin, kishin vendosur që të luanin ‘dramën’ në një skenë ambientale. “Shpirti i studentëve’ shpërtheu dhe shkëlqeu në rolin e tyre. Shpirti i “miletit politik” thanë, por ç’rëndësi ka kjo!

UBT

Universitetet në gjithë tokën e tyre kanë një planet të padukshëm të jetës së mendjes. Janë shoqëri të ndryshme, mikrokozmose të vetë shoqërive kulturore.

Universitetet , sigurisht shfaqin një shumëllojshmëri të gjerë të kurseve, të interesave e të mënyrës së të qenit. Studiues, shkencëtarë, artistë, përkthyes, e më së shumti njerëz të politikës sot, janë intelektualët që e bëjnë të padukshëm këtë planet të dijes. Megjithatë , ajo që e bën të shkëlqyer jetën universitare është vetëm përkushtimi efektiv për jetën e mendjes.
A është e mundur që është çoroditur mendja universitare në Prishtinë, dhe përtej gjithandej në Kosovë.

Shenjat flasin se matrapazët janë futur edhe në pazarin e dijes. Por a ka derman kjo punë dhe si i bëhet që mbi 50 për qind e profesoratit të Universitetit të Prishtinës, të kenë bërë pazar me dijen që nuk e kanë! Më në fund a është e mundur që kjo çështje të zgjidhet me ” mendjen politike të sokakut”, të parlamentit, të shoqërisë civile, të qeverisë, apo të vetë profesorëve matrapazë.

Në gjithë këto ditë, nuk kishin si të mos vëreheshin skandalet e shtresuara me vite në UP e që po plasin përditë. Por në gjithë këto ditë s’kishte se si të pëlqehej qasja dhe përplasja e dhjetëra grupeve kundër këtij institucioni, apo fushata mediatike “pro&contra”.

Të gjithë atyre burrave e grave të kësaj shkolle, si të gjithë ata skllavë të dijes a të politikës, të ndershëm e të pandershëm, që kanë njohur fuqinë apo edhe plotfuqinë, që janë ngritur e kanë rënë, po për shkak të dijes apo të trupit, do të duhej t’u çirrej pelerina, t’u deshifroheshin tatuazhet e simbolet, që mund t’i kenë shumë prej tyre. Nuk ka një rektor që mund të identifikohet me një universitet. Lufta ndaj një njeriu nuk mund të përkthehet në një luftë kundër llojit, pavarësisht se cilat janë arsyet për ta luftuar atë.