Sovraniteti i dyfishtë
Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Rëndësia e ushtrimit të sovranitetit ka bërë që kjo të konsiderohet një ndër kriteret për përcaktimin nëse një entit i caktuar mund të quhet shtet. Pra, ekzistimi i një territori, apo i vijave kufitare, nuk mjafton, nëse shteti nuk ushtron sovranitetin e vetë mbi po atë territor.
Shteti mund ta bëjë këtë në mënyra të ndryshme, por kryesisht duke e shtrirë pushtetin e institucioneve të veta mbi atë territor. Dhe pushteti i institucioneve tregohet fillimisht duke zgjedhur ato institucione në zgjedhje të lira e demokratike.
Ato institucione që dalin nga vota e lirë, pastaj e kanë për detyrë të funksionojnë në atë territor, përndryshe dështon sovraniteti.
Qysh nga përfundimi i luftës, askush nuk e kontestoi se Kosova nuk po ka mundësi të shtrijë funksionimin e institucioneve të saj edhe në veri të vendit. Në fakt, në fillim as nuk kishte institucione të Kosovës, meqë të gjitha funksionet i takonin UNMIK-ut, ndërkaq me kalimin e kohës ato u ndërtuan gradualisht, gjë që kulmoi me shpalljen e pavarësisë e cila rezultoi me themelimin e të gjitha institucioneve që i ka një shtet i pavarur, përfshirë këtu edhe ato institucione që merren me politikë të jashtme e siguri, si dy fusha që tregojnë elemente të një shteti sovran.
Këto institucione, megjithatë, pavarësisht a ishin të sigurisë apo të tjera, sërish nuk shtrinë kompetencat e tyre në veri. Qytetarët tashmë me qindra, në mos me mijëra herë kanë dëgjuar arsyetime të ndryshme se pse ndodhi kjo, dhe do të duhej një analizë shumë më e gjatë se kjo kolumne për të treguar ku gabuan institucionet e Kosovës dhe çka do të duhej ndërmarrë që kjo gjendje mos të kalonte e paprekur nga viti në vit. Por, ky nuk është qëllimi i kësaj kolumneje. Qëllimi është të trajtohet gjendja e tanishme dhe një rrezik eminent, pra ai i mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në territorin e Kosovës.
Serbia ka shpallur zgjedhjet e saj të jashtëzakonshme parlamentare në mars të këtij viti. Si çdoherë, ata thjeshtë deklarohen se zgjedhjet do të mbahen në tërë territorin e Serbisë, por kushtetuta e tyre e trajton edhe Kosovë si pjesë të po atij territori, që nënkupton se Serbia shpallë zgjedhje edhe për Kosovën. Këtu natyrisht nuk e kam fjalën për të drejtën e qytetarëve të Kosovës me shtetësi të dyfishtë (pra edhe të Serbisë) që të votojnë për zgjedhjet nacionale serbe, sepse një e drejtë e tillë njihet si praktikë ndërkombëtare në shtetet demokratike. Votimet e tilla zakonisht ndodhin në përfaqësi diplomatike ose konsullore, kur shtetet kanë marrëdhënie diplomatike. Mirëpo, nuk lejohet mbajtja e fushatave ose çfarëdo lloj organizimi tjetër zyrtar zgjedhor të një shteti në territorin e shtetit tjetër, gjë e cila ka ndodhur në Kosovë sa herë Serbia organizonte zgjedhjet e saj.
Paralajmërimet që Serbia do të vazhdojë me avazin e vjetër po i dëgjojmë tani edhe pse po bëhen gati dy vite që kur ka filluar një dialog politik në nivel kryeministrash, i cili së paku sipas kryeministrit të Kosovës ka për qëllim që ta largojë Serbinë nga Kosova, e në veçanti nga veriu i Kosovës. Kjo po ndodhë, po ashtu, kur Kosova e Serbia tashmë kanë arritur një marrëveshje, e trumbetuar si historike, e cila trajton (fatkeqësisht) vetëm zgjedhjet që i organizon Kosova, por jo edhe zgjedhjet që i organizon Serbia. Dhe kjo po ndodhë përderisa Kryeministri Thaçi, zëvendëskryeministrja Tahiri e anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritarë, çdo ditë mburren brenda e jashtë Kosovës se me marrëveshjen ‘historike’ të 19 prillit kanë arritur ta kthejnë sovranitetin e Kosovës në veri dhe ta largojnë sovranitetin e Serbisë nga po kjo pjesë. Por tani që po diskutohet mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, po këta zyrtarë heshtin.
Në fakt, nganjëherë heshtja e tyre do të duhej të vlerësohej më shumë se sa fjalët e mëdha e premtimet që i japin çdoherë për t’i shkelur më pastaj. Por në këtë rast, heshtja e tyre mund të nënkuptojë se ata mund të jenë marrë vesh në Bruksel që t’i mbyllin sytë para veprimeve të tilla të Beogradit. Ne nuk kemi si ta dimë e as nuk mund ta përjashtojmë një mundësi të tillë meqë Kryeministri ka kohë që nuk raporton në Kuvendin e Kosovës dhe as nuk u përgjigjet medieve në pyetje lidhur me këtë çështje. Por, nëse këto zgjedhje lejohen, dhe nëse Serbia përsëri i mbanë ato në territor të Kosovës, qoftë edhe vetëm në një fshat, qoftë edhe me ndërmjetësim të OSBE-së, kjo do të hedhë në ujë gjithçka që Kryeministri apo dikush tjetër mund ta quajë sukses të dialogut Kosovë-Serbi.
Kjo, në të vërtetë, do të ishte sukses i madh për Serbinë, por assesi jo për Kosovën. Mbajtja e këtyre zgjedhjeve e kthen veriun e vendit, dhe çdo cep tjetër ku mund të mbahen ato, në territor me sovranitet të dyfishtë. Kjo do të thotë që dialogu lëre që nuk e ka larguar Serbinë nga Kosova, por për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë Thaçi, vetëm po e legalizon prezencën e saj në Kosovë.
(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)


