UBT

Prodhimi i të papunëve

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Ibrahim Rexhepi – Edhe sikur sot të tërhiqej rektori Ibrahim Gashi, gjendja në Universitetin e Prishtinës, e as në sistemin arsimor të Kosovës nuk do të ndryshonte për asgjë. Aty sërish do të avancohen njerëzit me CV e vlera akademike të dyshimta dhe krejt do të dirigjohej nga politika.

Çështja e rektorit Ibrahim Gashi, apo e krejt Rektoratit të UP-së nuk është problem vetëm i një ministrie, i Qeverisë së Kosovës, apo i një grupi të studentëve që kanë vendosur të protestojnë derisa Gashi të jep dorëheqje. Ky është problem i krejt Kosovës, përkatësisht i perspektivës së qytetarëve të saj. Madje, nën këtë kontekst, ai mbetet edhe problem i rëndë e i pashërueshëm për ekonominë e vendit.

Kjo duket qartë kur kemi parasysh cilësinë e mësimit që bëhet në këtë universitet, (por as ato private nuk janë hiq më të mira), mënyrën se si përgatitet rinia për të hyrë në tregun konkurrencës, si edhe profilet që shkollohen aty, përkatësisht politika e regjistrimit të brucoshëve. Të gjitha këto më shumë i ngjasojnë një biznesi fitimprurës, duke përfshirë këtu edhe notat e titujt akademik, se sa një përpjekjeje që gjeneratën e re ta bëjnë gati për tregun punës, jo vetëm në vend, por edhe më gjërë.

Këto të liga që prej fillimit po e përcjellin UP-në. Aty, si staf akademikë gjetën vend individët që erdhën nga gjiri i subjekteve politike, ka pasur raste që avancuan me nota të falsifikuara, apo që krejt ciklin e studimeve ta përfundojnë në afat rekord, ndonëse rrallëherë dukeshin në sallat ku mbaheshin ligjëratat, apo ku studentët iu nënshtroheshin provimeve. Për kuriozitet mund të përmendet edhe rasti kur një zyrtar i lartë shtetërorë për mbrojtjen e temës së diplomës në fakultet shkoj me xhip qeveritar dhe i përcjellë nga truprojat!

Ky është pra universiteti i jonë publik, ku rektorët e tij u caktuan nga politika, apo ata gjatë tërë mandatit të tyre para dite ishin në rektorat, e pas dite në parti; ku ata vetvetes dhe njerëzve rreth tyre u siguruan përfitime materiale- troje e shtëpia, lejuan që fondet e caktuara për publikime shkencore të shpenzohen për udhëtime zyrtare, që me këto para të blihen shpërblimet sikur në pazar, apo edhe të përfitojnë avancime akademike duke prezantuar publikime në revista të dyshimta e anonime, si ndodhi me rektorin aktual.

KKVITI

Këtu gjithmonë duhet pasur parasysh se këto gjëra nuk ndodhën pa dijenin e strukturave menaxhuese të Rektoratit, të cilat asnjëherë nuk morën fuqi që ta pastrojnë oborrin e qendrës që duhet të jetë për dituri.

Po ashtu, duhet përkujtuar se ka pasur raste kur pedagogë të UP-së ishin pjesë e akteve kriminale, apo kur në banesat e tyre në vend të librave janë gjetur armë. Ndërkaq, sado që auditori gjeneral nuk hyn aq shumë në thellësi të mënyrës se si përdoret paraja publike në këtë UP, megjithatë, të gjeturat e tij janë shqetësuese.

Në asnjë mënyrë nuk dua të vihem në mbrojtje të rektorit Gashi dhe të strukturave aktuale të rektoratit. Posaçërisht kur është e qartë se ardhja e tij ndodhi pas një marrëveshje që bënë partitë politike, pastaj se gjatë mandatit të tij u zbuluan skandalet me shitjen e notave dhe të indekseve, e deri te publikimet në revistën indiane, madje me temat që nuk janë në fushën e angazhimeve të tij. Mirëpo, edhe sikur ai sot të jep dorëheqje, gjërat në UP nuk do të ndryshojnë. E reja e krejt kësaj do të ishte largimi i një individi dhe ngadhënjimi i kërkesës së disa studenteve, të cilët në protesta shoqëroheshin edhe nga njerëzit prej politikës. Por, këto, t’i quajmë fitore, nuk do ta pastronin ambientin universitar të kontaminuar nga falsifikimet, pazarllëqet, kuazivlerat dhe amoralitetet e tjera.

Prandaj, problemi esencial qëndron diku tjetër, jashtë kampusit universitar. Ai është brenda strukturave politike dhe brenda institucioneve të pushtetit, të cilët nga distanca dirigjuan me të gjitha zhvillimet në universitet dhe në rektorat. Njësoj do të rrjedhin punët edhe nëse rektori Gashi jep dorëheqje, apo shkarkohet. Studentët, madje jo vetëm ata që po protestojnë, së bashku edhe me stafin e ndërgjegjshëm akademik, por jo vetëm të një partie politike, duhet të insistojnë për ndryshime esenciale . Kjo duhet të nisë nga përgjegjësia e të gjitha strukturave qeverisëse e manxhuese në universitet, e deri te institucionet shtetërore, të cilat ishin kreatore të politikës së fundosjes. Dhe krejt kjo me qëllim të forcimit të integritetit të UP-së dhe ngritjes së cilësisë së punës. Në këto rrethana, të cilat vështirë se mund të arrihen, universiteti vërtetë do të krijonte kuadro për treg, e jo të papunë me diplomë universitare.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)