FIDANISHTJA

Demokracia, të drejtat fetare dhe ekstremizmi

/ 6 minuta lexim
ARKATANA

Nga Përparim Sadiku – Në rendin shoqëror demokratik e drejta për tu shkolluar dhe edukuar, e drejta për të punuar dhe e drejta për të predikuar besim fetar është e drejtë e zgjedhjes së lirë dhe e mbrojtur me ligje ndërkombëtare.

Myslimanët e Kosovës duhet të kenë të drejtë të shkollohen dhe të punojnë në institucione shtetërore edhe atëherë kur ata dëshirojnë ta respektojnë në përpikëri fenë e tyre. Ligjvënësit në shtetin e Kosovës mbi bazën e një trajtimi profesional-njohës me rregullat e islamit kuranor, të një projekt-modeli nga ndonjë shtetet evropian me përvojë të tillë shoqërore, duhet të nxjerrin një ligj i cili ja garanton të drejtën femrës myslimane për tu shkolluar dhe punuar edhe atëherë kur ajo ka zgjedh të jetë e mbuluar me veshje fetare, madje nga këto të drejta nuk duhet të jetë i diskriminuar askush nga predikuesit e feve në mesin e shoqërisë kosovare…

Mësim-besimi, çoftë për fenë islame e edhe për atë krishtere dhe të tjera në shtetin e Kosovës ka mjaftë hapësirë për tu zhvilluar. Objektet fetare, si Xhamia e Kisha dhe bibliotekat që ekzistojnë brenda dhe jashtë këtyre objekteve fetare janë të mjaftueshme për tu informuar me materien e akësecilës fe, madje në shumicën e objekteve fetare po mbahen orë mësim-besimi për ata/ato që dëshirojnë të kenë njohuri për fenë e caktuar, varësisht nga zgjedhja e tyre individuale.

Ligji mbi zhurmën nuk duhej t`i njëtrajtonte gjithë zhurmët njësoj. Tingujt që lëshohen nga objektet fetare, që kanë si qëllim sinjalizimin e besimtarëve për shërbime të caktuara nuk duhet konsideruar si zhurmë e rëndomtë, pra tingujt e ezanit dhe kambanave nuk duhet nivelizohen me zhurmën e diskotekave, kafebareve apo nga ndonjë gjë tjetër që prodhon zhurmë, madje kjo edhe mund të jetë fyerje. Megjithatë aplikimi i këtij ligji nuk nënkupton ndalimin as të ezanit e as të kambanave, përkundrazi një konformitet dhe sinkronizim edhe për këta tinguj fetar duhet të ekzistoj në veçantinë e tyre, shembuj të tillë kemi edhe nga shtetet e Lindjes dhe të Perëndimit. Do të ishte mrekulli sikur në të njëjtën kohë dhe me të njëjtin nivel të zërit të dëgjohet zëri i tingujve fetar!…

Fundit këto janë edhe disa ndër shumë sfidat e shoqërisë kosovare për të ndërtuar një shtet demokratik ku respektohen liritë dhe të drejtat e njerëzve pa dallim feje, kombi e race.

Ekstremizmi fetar nuk ka bazë popullore

Disa predikues fetar në Kosovë, kësaj radhe predikues të fesë islame, por jo shumica e myslimanëve, sidomos pas luftës së vitit 1999 i kaluan përmasat e kërkesave si e drejtë e pakontestueshme jetësore e një njeriu të lirë. Madje ata shkuan aq larg sa filluan ta vlerësojnë dhe ta kontestojnë edhe Historinë e Kombit Shqiptar në tërësi.

Këta “mysliman të vërtetë” filluan të etiketojnë dhe vlerësojnë edhe figurat kontribuese të kombit shqiptar, çofshin ata heronj, njerëz të pendës apo edhe të bamirësisë, duke e mveshur kontributin e tyre kombëtar me atë fetar. Këta “mysliman të vërtetë” u treguan edhe predikues ekstrem duke i fyer dhe nënçmuar figurat kombëtare për të vetmin fakt se ata/ato ishin predikues të feve tjera, siç është rasti me figurën bamirëse të Nënës Terezë dhe figurën atdhetare të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Këtyre u duhet thënë:

ARKATANA

“Historia e Kombit Shqiptar nuk fillon e as nuk përfundon me ju, dhe se rezistenca sublime nëpër shekuj e shqiptarëve karshi okupatorëve në mbrojtje të identitetit kombëtar nuk ishte dhe nuk duhet të shikohet sipas kontekstit fetar, aq më pak për të gjykuar Historinë e Kombit Shqiptar të drejtë kanë historianët, që edhe ju mund të jeni një nga ata, por jo ta vlerësoni historinë sipas bindjeve fetare, por sipas të bëmave kombëtare, sado të pakta apo të shumta qofshin ato, madje as edhe historia e islamit ndër shqiptar nuk fillon e nuk përfundon me ju “myslimanë të vërtetë”.

Këta “mysliman të vërtetë” dikur provuan e që asnjëherë si qytetar të rëndomtë nuk mundën të ndërtojnë karrierë politike në Kosovë, tash provojnë që kinse nëpërmjet epitetit “mysliman i vërtetë” të bëjnë karrierë politike me ndikim në shoqërinë tonë. Misioni i tyre është i importuar nga jashtë dhe ka premisa të prishjes së tolerancës ndërfetare mes shqiptarëve. Sjellja e tillë e tyre po krijon huti në mesin e shoqërisë, por edhe në mesin e myslimanëve dhe po bënë të krijohet antipati ndaj fesë islame… Këta “mysliman të vërtet” sjelljen prej fetari e kanë “fjalë goje”, ndërsa qëllimin mision!

Tentativa e ekstremizmit fetar në shoqërinë kosovare dhe shqiptare në tërësi nuk ka bazë popullore, përkundrazi populli shqiptar ka kultivuar me shekuj një ambient bashkëpunimi tolerant ndërfetar për lakmi. Pra në shek. XXI duhet ndërtuar një shoqëri, ku toleranca mes njerëzve pa dallim feje, kombi e race është mision, të tjera misione nuk i shërbejnë as fesë islame, e më së pakti i shërbejnë kombit

Luftëtarët shqiptar në frontet e Lindjes argat të misionit properëndimor!

Luftërat në shtetet e lindjes asgjë nuk kanë të bëjë me rrezikim apo mbrojtje të islamit, përkundrazi atje zhvillohet luftë ideo-politike dhe synimi është për ta futur regjimin demokratik perëndimor në mesin e shoqërive të Lindjes…

Luftëtarët kosovar, shqiptar në tërësi, por edhe gjithë ballkanasit që luftojnë në frontet e Lindjes janë argat të misionit properëndimor!… Ata luftëtar që sot janë në frontin e luftës në shtetet e Lindjes janë të motivuar në forma të ndryshme, madje edhe sipas bindjeve ekstreme fetare, por edhe sipas interesave komerciale. Në shtetet e lindjes zhvillohet luftë për të rrëzuar pushtete, që janë kundër frymës demokratike dhe kundër atyre njerëzve që nuk mendoj si ta, dhe këto luftëra synim kanë ardhjen në pushtet të pushteteve demokratike properëndimore.

Nuk ka dyshim që pushtetet e Lindjes, disa të përmbysura tashmë, e në disa që ende qëndrojnë në pushtete si në Siri e gjetiu janë e ishin totalitare, madje shumë të egër dhe shtypës mizor ndaj shoqërive të tyre, dhe depërtimi i ideologjisë dhe rendit shoqëror demokratik do të ishte me interes për jetën e popullit të Botës Lindore..