Eko Higjiena

Lutfi Haziri duhet të ndalë fushatën dhe të fillojë qeverisjen me institucionet e komunës

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Riad Rashiti – Edhe pse kanë kaluar dy muaj të plotë nga përfundimi i zgjedhjeve lokale, kryetari i komunës i cili ka fituar zgjedhjet, ende po vazhdon me sjellje, angazhim dhe fjalor të fushatës elektorale.

Qeverisjet e reja zakonisht pas 100 ditëshit të saj të qeverisjes me institucione, vlerësohen për angazhimin dhe performancën e tyre në realizimin e programit të tyre zgjedhore me të cilin ka fituar besimin e votuesit. Ndërsa Lutfi Haziri ka hyrë në muajin e tretë dhe ende nuk e ka bërë ekipin qeverisës në ekzekutivin e komunës, ende nuk ka emëruar drejtorët, ndërsa si pasojë edhe puna e Kuvendit Komunal ende nuk është në nivelin e duhur, ku ende nuk ka kryer detyrat elementare lidhur me miratimin e rregulloreve që do të duheshin të respektoheshin nga janari si dhe asnjë vendim tjetër i rëndësishëm dhe i domosdoshëm ende nuk është marrur nga ana e Kuvendit Komunal.

Sjellja dhe angazhimi i i tij si kryetari i komunës për këtë periudhë dhe fjalori i tij politik është plotësisht i njëjtë sikurse në fushatën zgjedhore, vetëm se ka ndryshuar selinë e partisë së tij, ku zyrën e kryetarit të komunës e ka shndërruar në seli të LDK-së, ndërsa seancat e Kuvendit Komunal po i organizon sikurse Kuvendet e punës së LDK-së në teatër.

Nga papërgaditja e tij për të qeverisur me komunën dhe me qëllim të largimit të vëmendjes nga kjo, ai për çdo ditë merret me ish qeverisjen e cila për gjashtë vite udhëhoqi me sukses institucionet e komunës së Gjilanit.

Organizimi i flakës së Janarit e tregon më së miri këtë, ku dallimi ishte shumë i madh në krahasim me vitet tjera.

Ndërhyrja nga ana e kryetarit të komunës Lutfi Haziri për anulimin e vendimit të jurisë për dhënien e çmimit “Fest Flaka” Enkeleda Arifit, është plotësisht veprim politik dhe fushatë politike. Ndërhyrja e drejtpërdrejtë e kryetarit të komunës në vlerësimin e komisionit profesional të Drejtorisë të cilën vet ai e udhëheq dhe anulimi i vendimit të jurisë është konflikt ligjor i tij dhe është më i madh se sa konflikti i interesit të cilin ai e ka ngritur.

Mobi Casa

Kryetari i komunës ka mundur ti rekomandoj jurisë shqyrtimin e vendimit të tij, por asesi të ndërhyjë vet drejtpërdrejtë, sepse ai është larg profesionalizmit të kulturës dhe muzikës. Por Enkeleda Arifi është parë nga kryetari i komunës në këtë rast si aktiviste dhe kandidate për Këshilltare Komunale nga radhët e PDK-së dhe sigurisht i ka penguar që ajo të marr vlerësimin meritor nga juria dhe nga publiku i cili e duartrokit atë përherë, për performancën e saj përmes këngës shqipe.

Lutfi Haziri nuk po e shmang konfliktin e interesit që e ka në derë të tij, ku ne, në seancë të Kuvendit Komunal i kemi treguar se ku e ka, sepse Këshilltarja Komunale nga radhët e LDK-së Florina Jerliu është plotësisht në konflikt të interesit sipas ligjit nr.04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, sepse në të njetën kohë ajo është edhe zëvendës drejtoresh në shkollën fillore “Thimi MItko”, e me ҫka bie ndesh me këtë ligj sipas të cilit në nenin 7 pika 8 thotë: Zyrtari i lartë nuk duhet të lejoj që interesat e tij private të bien në konflikt me funksionin e tij.

Ai duhet të shmang konfliktin e interesit pavarësisht nëse ai është real, apo i mundshëm. Neni 8 pika 1, Zyrtari i lartë ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë brenda afatit ligjor, dhe në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit të tij të interesit, pika 2, Në rast se zyrtari i lartë është në dyshime për ekzistencën apo jo të një konflikti interesi të lidhur me të, ai duhet të këshillohet sa më parë me udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës, ndërsa pika 3, Çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit. Gjë që kryetari i komunës Lutfi Haziri nuk e bënë por edhe e mbronë këtë rast konflikti.

Ne seancë e fundit të Kuvendit Komunal unë kam ngritur këtë çështje të konfliktit të interesit, por kryetari i komunës nuk ka lejuar zyrën ligjore të bëjë interpretimin ligjor dhe të përgjigjet në këtë pyetje, por ka dalur vet dhe ka mbrojtur qëndrimin se ajo nuk ka konflikt interesi sepse ajo është certifikuar nga KQZ-ja, por ai e di mirë se KQZ nuk merret me vlerësimin nëse është apo jo në konflikt të interesit, mirëpo me këtë merret Agjensioni Kundër Korrupsionit, ku ne kërkojmë dhe do të kërkojmë nga ky institucion që të vlerësojë këtë çështje të konfliktit.

Kryetari i Komunës duhet më në fund të fillojë qeverisjen me institucionet komunale dhe të realizojë nëse e ka kuptohet, programin zgjedhor me të cilin edhe e ka marrë besimin e votuesve në Gjilan dhe e ka edhe obligim të paraqesë edhe para Kuvendit Komunal si program qeverisës të tij me institucionet komunale për katër vitet e ardhshme, ai duhet të merret edhe me respektimin e ligjit dhe rregulloreve të Kuvendit Komunal, të parandalojë konfliktin e interesit për zyrtarët komunal dhe Këshilltarët Komunal, sepse vetëm në muajin dhjetor 2013 janë dënuar nga Gjykata Themelore tre Këshilltar Komunal nga radhët e LDK-së për mos deklarimin e pasurisë në Agjensionin Kundër Korrupsionit, njëri prej tyre sot udhëheq edhe grupin më të madh politik të këshilltarëve të LDK-së në Kuvendin e Komunës, ndërsa dy prej tyre kanë përfunduar mandatin.

Riad Rashiti, Këshilltar Komunal nga radhët e PDK-së