Kuvendi e hëngri karremin
Nga Ibrahim Rexhepi – Me hapjen e debatit për mënyrën e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë, Kuvendi i Kosovës ra në grackën që ia përgatitën grupet caktuara të interesit.
Nuk është e dyshimtë vetëm mënyra e shitjes së Fabrikës së Amortizatorëve të Prishtinës. Të tilla janë edhe mbi 500 kontrata të nënshkruara për privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore. Madje, është për t’u dyshuar edhe procedura se si shteti konfiskoi objektet në pronësi shoqërore- si Pallati i Shtypit, ish-Shtëpia e Mallrave, apo objekti i Bankës së Bashkuar të Kosovës. Ka shumë arsye që flasin për mungesën e korrektësisë dhe të ligjshmërisë në punën që ka bërë të dikur AKM-ja, e tash edhe AKP-ja.
Mirëpo, Kuvendi i Kosovës sikur nuk i sheh këto çështje. Ai, javën e kaluar e futi në agjenci vetëm një rast – mënyrën e privatizimit të Fabrikës së Amortizatorëve në Prishtinë. Mirëpo, mbeti e paqartë se cila ishte e veçanta e kësaj fabrike, ashtu që ajo të jetë temë për debat: rëndësia që kishte për zhvillimin ekonomik të Prishtinës, lokacioni në të cilin shtrihet ajo, kundërthëniet e shumta që mbretërojnë për blerësit e kësaj pasurie, ndërrimi i destinimit dhe shndërrimi i reparteve prodhuese, dikur në depo, e tash edhe në studio, apo fuqia e grupeve të caktuara, të cilat kanë ndërlidhur ndonjë interes me këtë fabrikë dhe me mënyrën e privatizimit të saj.
Fillimisht të themi se blerës të kësaj fabrike, e shitur si “new co” janë vëllezërit Devolli, që kanë në pronësi njërën prej kompanive më të fuqishme private në Kosovë. Ata kanë blerë edhe disa fabrika të tjera, kanë përfituar tenderë të shumtë për kryerjen e shërbimeve me interes publik dhe, pa dyshim se kanë ambicie që edhe më tutje të vazhdojnë me rritjen e kapitalit dhe shtrirjen e dominimit në treg. Asgjë nuk duket e dyshimtë në këtë ecje, e as në aspiratat që mund të ketë një biznes privat, sado që ka indikacione që zbehin imazhin ndërtuar nga devollët. Mirëpo, nëse ka dyshim se diçka nuk është në rregull, dihet se kush duhet të merret me këtë çështje- janë institucionet me përgjegjësi për hetime dhe për ndjekje. Këtu më së paku ka vend për deputetët e Kuvendit të Kosovës. Ata duhet të insistojnë në zbatimin e ligjit. Ndërkaq, nëse ka dyshime se ata që duhet të bëjnë hetime janë nën ndikimin e devollëve, apo se prapa tyre qëndrojnë individ me ndikim në institucionet e pushtetit, atëherë të hapet debati për të korruptuarit dhe të shiturit në mesin e tyre, si edhe në institucionet që kanë marrë mandatin nga Kuvendi i Kosovës.
Pa dyshim se Fabrika e Amortizatorëve që në fillim ka merituar vëmendje të posaçme, meqenëse ishte një potencial me mundësi të mëdha për zhvillim. Ajo ka mundur lehtë të kapet me rrethanat e reja në treg, meqenëse në tërë botën po futet kapital i madh për zhvillimin e industrisë për përpunimin e metaleve dhe në atë për prodhimin automobilave. Amortizatori edhe në shekullin 21 iu duhet makinave. Ndoshta ai është më i përsosur se para 3-4 decenieve, por këto të arritura mund të përvetësohen. Rast i njëjtë është edhe Fabrika e Autopjesëve në Pejë. Madje, dëmi më i madh është bërë kur ato trajtoheshin si zinxhirë të Fabrikë së Automobilave në Kragujevc. Fabrikat kosovare tash nuk do të ishin të lidhura me këtë prodhues, por me kërkesat e tregut. Mirëpo, tash është vonë të flitet për këtë, meqenëse me shitjen e fabrikave, krejt pajisjet u shitën si skrap.
Këtu qëndron problemi i krejt privatizimeve që ndodhen në Kosovë. Pra, dëmi është shumë më i madh se një fabrikë. Kjo është arsyeja pse deputetët duhet të ndryshojnë qasjen ndaj këtij procesi, e të mos merren me raste individuale, meqenëse në këtë mënyrë injorojnë krejt ankesat e tjera, duke dëgjuar vetëm zërin e një shoqate sindikale, bëhen të shurdhër përballë problemeve që i kanë 70-80 mijë veta që privatizimi i la pa punë.
Pra, obligimi i Kuvendit të Kosovës është i qartë përballë procesit të privatizimit. Është në rregull që të hapet një proces hetimor për krejt procesin, por ai nuk mund të bëhet nga deputetët, meqenëse ata nuk kanë përgatitje dhe eksperiencë profesionale. Për këtë të angazhohet një agjenci e pavarur audituese. Ndërkaq, deputetët të merren me ligjet dhe ligjshmëritë. Posaçërisht pse të gjitha parregullsitë po dalin edhe për shkak të ligjeve të këqija që ata i miratuan, se i dhanë mandat të paprekshëm Odës së Veçantë, lejuan që “Trepça” të mbetet larg ndikimit të institucioneve shtetërore, që qeveria e AKP-ja të mos merren fare me rastin e Fabrikës së Tubave të Ferizajt, apo që agjencia përgjegjëse për privatizim të funksionojë me legjitimitet të dyshimtë…
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës Tribuna)


