UBT

Një hajni “Intelektuale”

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Nga Imer Mushkolaj – Të marrësh pronën intelektuale të dikujt tjetër dhe ta paraqitësh si tënden nuk është vetëm problem etik, por edhe veprim i dënueshëm me ligj. Unë e bëra këtë, për të ngritur shqetësimin e madh për epideminë e “hajnisë intelektuale”.

Nuk munda të vendos nëse në kolumnen e kësaj jave duhej të shkruaja për procesin e liberalizimit të vizave, propagandën e paskrupullt të ndonjë partie politike, “transparencën” e kryeministrit në Facebook apo “shkencën” e DR’ve të universitetit. Pastaj, isha i zënë edhe me të tjera punë të rëndësishme, kështu që vendosa që të kërkoj ndihmë nga interneti, në mënyrë që ta përfundoj këtë shkrim. Dhe, si e porositur, mu shfaq kolumneja e një kolegu, e botuar në një revistë të njohur. Një shkrim me disa këshilla të dobishme për përdoruesit e rrjeteve sociale, të cilin vetëm duhej ta përktheja. Për dhjetë minuta kolumnen e kisha gati dhe është kjo këtu:

Shtatë këshilla si t’u mbijetoni rrjeteve sociale

1. Mos shkruani atë që nuk do të dëshironit ta shihnit nesër në gazetë, bashkë me fotografinë tuaj.

Mendoni për pasojat, para se diçka të shkruani në profilin tuaj. Shumë anonimë janë bërë të njohur falë budallallëqeve të tyre.

2. Mos jini i pranishëm në rrjetet sociale, nëse s’mund të jeni aktiv.

Sikurse edhe në komunikacion, dekoncentrimi në rrjetet sociale mund t’ju kushtojë. Nëse jeni nervoz, i dehur a i mërzitur, shmanguni nga rrjetet sociale, ashtu siç do t’i shmangeshit timonit të makinës.

3. Gjithçka që shkruani dhe publikoni do ta lexojnë dhe shohin më së pari dhe më së shumti ata, të cilëve nuk ua keni dedikuar atë. Mos shkruani dhe përkrahni asnjëherë diçka që dikujt nuk do t’ia thonit në fytyrë. Sepse, edhe nëse ai nuk e sheh, gjithmonë do të gjendet dikush që do t’ia thotë çfarë ju mendoni, madje do ta shtrembërojë mendimin tuaj. Është e papranueshme që pastaj të ankoheni se i keni bërë “like” diçkaje ose keni komentuar vetëm sa për të qenë pjesë e një grupi. Ai/ajo do ta mbajë mend çfarë keni thënë për të, edhe pse mendimi juaj ndoshta mund të fshihet nga rrjetet sociale.

Fundamenti

4. Mos i lejoni të tjerët t’ju shkruajnë statuset tuaja. Ka njerëz që refuzojnë t’i përdorin rrjetet sociale, por janë pjesë e tyre nëpërmjet shokëve e miqve, të cilët mund të publikojnë fotografi të përbashkëta. Ka të tjerë që i thonë dikujt t’ua hapë një profil dhe t’ua mirëmbajë atë. Kjo ka të bëjë sidomos me njerëzit publikë. Paramendoni sa e shëmtuar është që dikush të shkruajë në emrin tuaj, shpesh t’ia huq në emrin tuaj, të dërgojë mesazh në emrin tuaj.

5. Paraqituni ai që jeni në të vërtetë, e jo rrejshëm. Mos i lejoni vetes të jepni këshilla mjekësore ose juridike, nëse nuk jeni mjek ose jurist. Natyrisht, rrjetet sociale na japin mundësinë që shpesh të paraqitemi ata që do të dëshironim të ishim, njerëz idealë. Ama, aspak nuk është e moralshme të gënjejmë për gjëra që nuk i kemi dhe nuk i dimë.

6. Kuptoni të tjerët, njerëzit në rrjetet sociale dinë ta teprojnë edhe kur të lëvdojnë, edhe kur të shajnë. Mos u tregoni të ashpër me të tjerët kur mendoni se ata po e teprojnë apo po ju ofendojnë. Sepse, mund të ndodh që edhe ju ndonjëherë të jeni të tillë dhe është absurde të pritni që ata do të jenë të qetë dhe të sjellshëm ndaj jush.

7. Pranojeni gabimin, nuk mjafton vetëm ta fshini atë nga profli. Është e pamundur që nga interneti të fshini diçka plotësisht dhe përgjithmonë. Gjithnjë do të paraqitet ndonjë memorie, në të cilën ajo që keni shkruar do të ruhet, përkundër dëshirës tuaj. Po që se fshini diçka, pa pranuar se keni bërë gabim, atëherë kjo don të thotë se po përpiqeni t’iu shmangeni pasojave për gabimin e bërë. Por, kjo nuk do të bëjë punë. Përkundrazi, veç sa do ta thelloni budallakinë tuaj.

Këto këshilla mund të jenë të dobishme për ju që i lexuat, por mënyra se si ua prezantova unë ato është absolutisht e dëmshme. Thjesht, unë keqpërdora punën e tjetërkujt dhe e paraqita si timen. Unë vodha, bëra plagjiat. Nuk e tregova emrin e autorit, as revistën ku shkrimi është botuar së pari. E përvetësova pronën intelektuale të tjetërkujt pa pikën e marres. E ky nuk është problem vetëm etik, por edhe veprim i dënueshëm me ligj.

Fatkeqësisht shumë media – kryesisht online, pastaj studentë, profesorë, studiues, shkrimtarë, regjisorë, skenaristë, këngëtarë e kreatorë bëjnë kështu si unë. Vjedhin punën e tjetërkujt, e paraqesin si të veten dhe përfitojnë nga ajo. Pa pikën e marres. Pa treguar të paktën se e kanë “huazuar”. Një dukuri e pështirë që është përhapur me të madhe dhe gjithandej. Një epidemi hajnie e turpi.

PS. Këtë shkrim e bëra vetëm për të treguar se me çfarë lehtësie mund të vidhet puna e tjetërkujt dhe ata që veprojnë kështu duhet të ndëshkohen. Përndryshe, kolegut tim i tregova se do t’ia “marr” kolumnen, por i thashë se nuk do t’ia përmend emrin as revistën ku punon. Në këtë mënyrë ia lashë të hapur mundësinë që të më padisë për plagjiat dhe unë do të doja që ai të bëjë një gjë të tillë. Ashtu siç do të dëshiroja të ndëshkohen të gjithë “hajnat intelektualë”.