UBT

Mbi të pamundshmen e mundshme

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Arben Idrizi – Kur e pamundshmja bëhet e mundshme, vetëkuptohet, nuk është se thjesht ndodh një e keqe, e momentit, e cila i ngatërron vetëm persona a grupe të caktuara, në të vërtetë përmbyset vetë rendi i vlerave.

Lajmet e këqija në vendin tonë janë të rëndomta. Po bash pse janë të rëndomta, për mua janë më shqetësuese. Është më shqetësues lajmi se hetimet për trafikimin me organe gjatë luftës, të drejtuara nga një gjykatë ndërkombëtare, do të kenë për të dyshuar kryesor kreun e shtetit. Dhe se, nga ana tjetër, brenda në vendin tonë, sipas akuzave të ambasadorit gjerman, gjë që e dinim prej herës duke e ngrënë në kurrizin tonë, politikanët ndikojnë fuqishëm mbi drejtësinë.

***

Mbase më shumë se një herë, në këtë hapësirë të shkrimeve të mia, kam thënë se është turp për shoqërinë tonë dhe për vetë Historinë kush e ka nënshkruar pavarësinë e vendit, duke aluduar në shumicën e personaliteteve historike, ushtarake dhe politike, e sidomos në ato më të lartat, meqë, edhe për bindjen time intime, s’janë tjetër veçse ca kriminelë të pështirë.

Ka që mund të më thonë se s’ka pikë rëndësie ai nënshkrim, si një akt formal, ceremonial, përkundrazi, rëndësi ka gjithë ai proces që ka bërë të mundshme ardhjen e pavarësisë, veprimet, besimi, shpresa, vuajtjet dhe vdekjet e gjithë atyre qenieve të panjohura, që nuk e kanë nënshkruar atë akt formal.

Mundet se kanë shumë të drejtë dhe do të doja të kishin shumë të drejtë.

Mirëpo, sa di nga Historia, ajo transmeton në radhë të parë idealet, veprimet, idetë dhe mesazhet e pikërisht atyre nënshkruesve, atyre të njohurve. Ndërsa gjithë ata jonënshkrues, Historia vetëm sa i ka bluar si mokra kokrrat e padallueshme të panumërta të misrit, për t’i hedhur në kutinë e madhe të moçme të miellit. Natyrisht, pavarësinë e sollën gjithë ato qenie të mjera të bekuara, mirëpo e nënshkruan dhe e bënë të vlefshme këto personalitete që për bindjen time intime s’janë pos ca kriminelë.

Veprimet, idetë, mesazhet e këtyre personaliteteve nënshkruese, sa kemi parë e sa kemi dëgjuar, sa na është dëshmuar aq e aq herë, janë krimi, plaçkitja, korrupsioni, vjedhja, persekutimi, mashtrimi, injoranca, urrejtja…

FIDANISHTJA

Kështu është dhe është kështu jo pse ky është një vend i çudive. Këto gjëra edhe ndodhin dhe këto gjëra ndodhin, siç do të thoshte me aq natyrshmëri ai pikolinoja i Hrabalit, për ta bërë të pamundshmen të mundshme.

Të tillët e bënë të pamundshmen të mundshme. Krimin, në kohë lufte e paqeje, parimisht të pamundshëm, e bënë të mundshëm dhe keqpërdorimin, vjedhjen, plaçkitjen e fondeve emergjente (Tre përqindëshit dhe Vendlindja thërret), të mbushura me paratë e emigrantëve, punëtorëve e tërë atyre varfanjakëve zemërbardhë që donin t’i dilnin në krah atdheut me aq sa kishin e fondet e tjera të pasluftës, parimisht të pamundshme, i bënë të mundshme dhe uzurpimin, plaçkitjen e pronës publike e të të mirave të përbashkëta, parimisht të pamundshme, i bënë të mundshme dhe haraçin, korrupsionin, nepotizmin, shantazhimin, mitmarrjen, parimisht të pamundshme, i bënë të mundshme dhe pasurimin e paligjshëm, parimisht të pamundshëm, e bënë të mundshëm dhe ndërtimet pa leje, parimisht të pamundshme, i bënë të mundshme dhe krimin në arsim, parimisht të pamundshëm, e bënë të mundshëm dhe vjedhjen e votave, manipulimin e zgjedhjeve, parimisht të pamundshme, i bënë të mundshme…

Merreni cilindo nga ata nënshkrues dhe bindeni këdo qoftë se nuk e ka bërë të pamundshmen të mundshme! Duke qenë një kriminel lufte, ose/dhe duke qenë një profiter lufte, ose/dhe duke qenë një keqpërdorues i fondeve emergjente të kohës së (para)luftës, ose/dhe duke qenë një plaçkitës, ose/dhe duke qenë një shantazhues, haraç vënës, ose/dhe duke qenë një uzurpues i pronës publike, ose/dhe duke qenë një i dyshuar për vrasjet politike pas luftës, ose/dhe duke qenë një i korruptuar, ose/dhe duke qenë një keqpërdorues i parasë publike, ose/dhe duke qenë falsifikues i titujve profesionalë dhe shkencorë, ose/dhe duke qenë manipulues me tenderë, ose/dhe duke qenë vjedhës votash…

Prej kreut e deri te kokrra e misrit e degës së partisë në fshatin më të humbur.

Kur e pamundshmja bëhet e mundshme, vetëkuptohet, nuk është se thjesht ndodh një e keqe, e momentit, e cila i ngatërron vetëm persona a grupe të caktuara, në të vërtetë përmbyset vetë rendi i vlerave. Shkohet deri në atë derexhe sa është turp të mos bësh gjëra të turpshme. Një gjendje të tillë e ka regjistruar për mrekulli edhe Kapuçinski te Perandori, në rrëfimin e njërit prej ministrave, sipas të cilit, në oborr kishin ardhur punët ashtu sa të mos vidhje, të mos ishe i korruptuar, të mos plaçkisje, të mos mashtroje, të mos spiunoje, të mos përndiqje, të mos vrisje ishte e turpshme.

Mund të mos jetë korrekte dhe e hijshme që unë tani të përcjell këtu ndjesi e mendime të pavërtetuara për të gjithë, ama, sot, nuk është asfarë përjashtimi të dëgjosh edhe vetë të përvuajturit ta justifikojnë të keqen e filanit me arsyetimin se të gjithë po e bëjnë atë të keqe dhe s’ka mbetur derë tjetër pos kësaj dhe, ç’është më e keqja, do të ishe budalla po të kërkoje derë tjetër.

Vetëm se, themi ne, gjithmonë ka edhe një derë tjetër.

Po prite, si idiot, ‘Para (derës së) ligjit’ kurrë s’do të hysh në të. Duhet (dera është e hapur) të hysh.