Shkon EULEX-i, vjen Xhabiri!
Nga Lavdim Hamidi – Ka ikur nga drejtësia kosovare, mirëpo nuk fshihet prej saj. Pa kurrfarë hezitimi e tregon vendndodhjen, duke e përcjellë trendin e komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale, ashtu siç po veprojnë së fundi presidentja dhe kryeministri i shtetit ku kërkohet ta vuajë dënimin ish-kryetari i Kaçanikut.
Po të ishim shtet i mirëfilltë ligjor, Xhabiri do të ishte prapa grilave, mirëpo ja që askush nga zyrtarët e lartë nuk po merret me të, pasi që janë të zënë me “cicërima” në “Twitter”, apo postime në “Facebook”.
Këtë trend të komunikimit virtual po e aplikon edhe Xhabir Zharku me komoditet nga Arlov i Suedisë. Madje pak javë më parë ai u uronte miqve Vitin e Ri 2014, duke shpresuar se ky vit do të jetë i realizimit të dëshirave, duke marrë në kthim urimin që sa më të shpejt të vijë në Kosovë.
Ish-kryetari i Kaçanikut, për t’iu shmangur Dubravës, pas dënimit që iu caktua prej 3 vjetëve burgim për veprën penale të detyrimit dhe për armëmbajtje pa leje, u arratis nga Kosova pa “një therrë në këmbë”, me pretekstin se nuk po gjen drejtësi këtu.
Madje ai është ankuar në padrejtësitë që i ka bërë Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit- EULEX, i cili e kishte dënuar për veprat e cekura dhe do të duhej ta vuante dënimin.
Zharku edhe mund të jetë ngutur që lëshoi vendin dhe pasojat e ikjes së tij së paku i përjetuan palmat e famshme të Kaçanikut që tashmë janë tharë.
Ka mundur të qëndrojë në Kosovë e të mos shkojë asnjë ditë të vetme në burg, ashtu si shumë bashkëpartiakë të tij, përderisa misionit të EULEX-it edhe ashtu po i vjen fundi në qershor, apo shtator të këtij viti.
Pas pak muajve pritet të ketë prani shumë të vogël të Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të Ligjit, kryesisht me detyra monitoruese e këshillëdhënëse, e assesi ekzekutive.
Po të qëndronte në Kosovë e të mos dilte “kaçak” në Suedi, ish-kryetari i Kaçanikut do të mund të fitonte madje edhe ndonjë pozitë të lartë në Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu siç fitoi edhe ish-kryetari i Ferizajt, Bajrush Xhemajli, i cili po ashtu është i dënuar nga gjykatat, por kjo nuk e pengon që të jetë i lirë, pasi që Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur të kthejë rastin në rigjykim.
Xhemajli madje në zgjedhjet e fundit partiake është emëruar sekretar organizativ i PDK-së, pavarësisht se para mbajtjes së tyre ai gjykohej për shkaktimin e aksidentit automobilistik në Prishtinë, ku mbeti i vdekur një djalë i ri.
Realisht, prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë kanë mundur të merren me shumë raste të tilla si të Xhemajlit, por, ja që nuk janë marrë dhe “peshqit” e mëdhenj të përfolur për korrupsion e krim të organizuar kanë dështuar t’i nxjerrin para drejtësisë.
Ekzistojnë edhe një mal vërejtjesh tjera për punën e këtij misioni. Mjafton që Zharku pa frikë se mund të arrestohet, iu çon “të fala” kur po do nga Suedia.
Dorën në zemër, Kosova si një demokraci e re, edhe më tutje ka nevojë për një mision të Bashkimit Evropian në fushën e sundimit të Ligjit me kompetenca ekzekutive, e jo vetëm këshilluese.
Kompetencat këshilluese po i kërkojnë me ngulm vetëm pushtetarët kosovarë, të cilëve u konvenon anarkia, pasi që në këtë mënyrë do të vazhdojnë me pasurimin e paligjshëm, ashtu siç kanë vepruar deri më tani.
Në ditën që do të nisen për në vendet e tyre, shumë gjykatës e prokurorë të EULEX-it ka mundësi ta takojnë në Aeroportin e Prishtinës Xhabir Zharkun, duke u kthyer në vendlindje. Këtu do të marrin fund edhe “padrejtësitë” e sistemit të drejtësisë, pasi që “drejtësia” do të vihet në vend nga prokurorët e gjyqtarët vendorë të shantazhuar nga politika.


