Mobi Casa

“Dislike” Hashim!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Lavdim Hamidi – Gazetarët e pyesin për marrëveshjet politike të arritura në Bruksel gjatë dialogut me palën serbe, ndërsa Hashim Thaçi përgjigjet për suksesin e Qeverisë së tij në ndërtimin e kilometrave të rrugëve dhe autostradave në Kosovë.

Madje, kur u pyet javë më parë se kush është fajtori për humbjen e disa komunave në zgjedhjet e fundit lokale, kreu i partisë u përgjigj se: PDK-ja u rikonfirmua si partia më e madhe në vend.

Të shpeshta kanë qenë rastet, kur siç thuhet në popull, “është pyetur për lisa, ndërsa Thaçi është përgjigjur për fshesa”. Pra, pyetjeve të përfaqësuesve të mediave në vend, shefi i Qeverisë u përgjigjej ashtu siç dëshironte, ndërsa të kota përfunduan insistimet për të marrë përgjigje konkrete.

Nuk mbahet mend që nga përfundimi i luftës, Kosova të ketë pasur Qeveri më të mbyllur për opinionin sesa Qeveria Thaçi 2. Ngjason me ato pushtete paternaliste që gjithmonë kanë çfarë të fshehin. Siklet të tillë reflekton në baza ditore edhe Qeveria e kryeministrit Thaçi. Tentimi për t’u mbyllur jo gjithmonë i ka mbajtur fshehtë skandalet e qeverisë së tij.

Për më shumë se tre vjet kjo Qeveri funksionoi pa zëdhënës, ndërsa i vetmi zyrtar shtetëror që komunikonte në disa raste me gazetarët, edhe atë kryesisht nëpërmjet mesazheve telefonike, ishte zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi.

Shefi i Qeverisë dhe i partisë duke e parë se kjo qasje e komunikimit me publikun nuk po funksionon, së fundit vendosi të jetë më aktiv në rrjetet sociale “Facebook”, duke ia plotësuar kështu edhe dëshirën e kamotshme të djalit, Endritit.

FIDANISHTJA

Hashim Thaçi si prind, në jetën private mund t’i plotësojë edhe shumë dëshira e kërkesa djalit, ashtu siç i premtoi nga Korea e Jugut se do t’ia blejë një telefon “Samsung Galaxy”, mirëpo si zyrtar i lartë publik është i obliguar të jetë më transparent dhe më llogaridhënës në raport me taksapaguesit kosovarë.

E transparenca nuk do të rritet me postimet e shpeshta të kryeministrit nëpërmjet profilit të tij në “Facebook”, pasi që në këtë mënyrë do t’i përçojë vetëm ato mesazhe që i leverdisin personalisht e jo ato gjëra që është i interesuar t’i mësojë publiku i gjerë.

Thaçi është dashur ta ketë të qartë se kjo mënyrë e komunikimit nëpërmjet rrjeteve sociale nuk i ndihmoi, madje doli të jetë kundërproduktiv edhe për ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili për një periudhë të shkurtër arriti t’i bëjë më shumë se 100 mijë miq në “Facebook”, ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri partia e tij pësoi debakël.

Një fat të tillë mund ta ketë edhe Thaçi në zgjedhjet e parlamentare të vitit 2014, pavarësisht se të dielën prapë nëpërmjet rrjeteve sociale u shpreh optimist për fitoren e PDK-së në këto zgjedhje.

Këtë optimizëm Thaçi e pati edhe në zgjedhjet e fundit lokale, mirëpo më 1 dhjetor partia e tij humbi në shumicën e qendrave më të mëdha të Kosovës.

Ky trend i komunikimit virtual dhe në të njëjtën kohë duke u fortifikuar në raport me gazetarët është një veprim që nuk meriton “like”, por “dislike” për kryeministrin e Republikës së Kosovës.