Kur e kthej kokën mbrapa
Nga Avni Zogiani – Nuk po dua të shkruaj për atë që ndodhi gjatë këtij viti, sepse e dini vetë. Nëse e përjashtojmë luftën dhe periudhën para saj, ky vit ishte viti më i rëndë në Kosovë që e dëmtoi me pasoja që shumë vështirë do të rikuperohen. Asgjë më shumë mbi këtë vit.
Mirëpo, në fund të vitit secili reflekton dhe mendon çka bëri vitin që shkoi. Prandaj, unë kësaj radhe do nxjerr nja disa raste nga puna ime dhe e kolegëve të mi në gazetari nga Organizata ÇOHU!, përkatësisht nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, që patën rezultate direkte. Pra dua të jem pozitiv.
E para dhe më e rëndësishmja për mua raportimi i “Preportr”, përkatësisht reporterëve Besnik Boletini e Lorik Bajrami, për fëmijën e kthyer nga Suedia në një gjendje të rëndë shëndetësore. Nisi jetonte në Suedi dhe prej kohësh kërkonte një trajtim specifik për shkak të gjendjes së rëndë të tij.
Ai duhej të ushqehej me një procedurë speciale, me tub direkt në stomak, për shkak të një dëmtimi serioz në trurin e tij. Autoritetet suedeze padrejtësisht e kthyen Nisin dhe për këtë rast u njoftova nga një aktivist shqiptar në Suedi, përkatësisht nga Astrit Gashi. Reporterët tanë ndenjën me orë të tëra në Aeroportin e Prishtinës për të marrë materialet, dhe me t’u kthyer filluan një hulumtim të një shkalle të gjerë për ta kuptuar si ndodhi kjo. Ky hulumtim u përcoll me disa raportime tjera dhe u raportua në multimedia në platformën “Preportr”.
Disa muaj më vonë Qeveria Suedeze vendosi t’i mundësojë kthimin e Nisit me familjen e tij në Suedi, duke shpëtuar kështu jetën e tij. Në një tjetër rast, “Preportr” gjeti se i kthyeri nga Danimarka, Remzi Bahtijari, nuk do të mund ta ketë përkujdesjen e duhur shëndetësore në Kosovë. Ky i ri e kishte të domosdoshëm barin Abilify, me bazë Aripriprazol, bar që nuk gjendej në Kosovë.
Në të dy rastet qeveria e Kosovës i kishte vënë në lajthitje autoritetet gjegjëse duke i gënjyer se mund të sigurojë përkujdesje shëndetësore për të kthyerit. Hulumtimet e “Preportr” u raportuan edhe nga mediat e Suedisë e Danimarkës dhe rezultat direkt i këtyre hulumtimeve qeveritë skandinave reaguan.
Rasti tjetër që më bën të mburrem për vitin që po lëmë pas është gjetja e “Preportr” se mbi 100 milionë euro nga paratë publike, PDK u kishte shpërndarë nëpërmjet tenderëve kompanive që e financuan atë në zgjedhjet e fundit. Gazeta “Preportr” u fut si pikë diskutimi në Parlamentin e Kosovës nga Vetëvendosje! dhe deputetët diskutuan një ditë të tërë rreth këtyre të gjeturave.
Natyrisht po u përcoll ky debat mund të shihet qartë se kujt nga deputetët i pengon korrupsioni e kush e ka atë vetëm si një prerekuizitë elektorale, duke qenë se kishte të tillë që kur debatohet pa asnjë rast konkret mbushin diskutimet me retorikë kundër-korrupsion, por në këtë rast ata u sollën krejt ndryshe. Ky ishte debati i parë dhe i fundit serioz në fushën antikorrupsion në Parlamentin e Kosovës. Mbas publikimit të këtij raporti, disa herë ka rënë zilja nga asistentët e hetuesve të Prokurorisë Speciale, për të kërkuar dokumente shtesë. Po shpresoj se diçka është duke ndodhur në këtë drejtim.
Një rast tjetër që më vjen ta dalloj nga punët tjera që bëmë këtë vit është organizimi i komunitetit të disa fshatrave të Fushë Kosovës dhe Drenasit për të parandaluar një ndërmarrje të kompanisë Bechtel & Enka për të filluar eksploatimin e gurit në Malin Gospoja, mal ky që ka përreth disa liqene të mëdha. Nga takimet e mia me shefin e projektit të Autostradës “Ibrahim Rugova”, kuptova se ata as që kishin marrë para sysh opsione tjera duke qenë se Ministria e Transportit, përkatësisht ministri Fehmi Mujota, pa ndonjë vizitë në terren i kishin caktuar këtë mal si vendin ku mund të gërmonin.
Udhëheqësi amerikan i projektit, megjithëse dukej se ndjente problemin e komunitetit as që dha shenjë se do të ndërrojë mendjen. Nga këtu e kuptova se vetëm një rezistencë serioze e komunitetit mund të parandalonte këtë masakër që i përgatitej ambientit në një vend që nuk e ka Kosova diku tjetër. Një sistem liqenesh me biope për shpezët e gjallesat ujore, po përgatitej të ekzekutohej.
Në bashkëpunim me këshillat e fshatrave përreth dhe me Komunën e Fushë Kosovës, rezistuam, ndonjëherë fizikisht e ndonjëherë duke insistuar në licencën për ambient, të cilën Ministria e Ambientit nuk po ia jepte kësaj kompanie. Mali Gospoja me liqenet përreth u shpëtua, megjithëse Bechtel & Enka bëri një gropë enorme në Golesh, ku nuk gjeten asnjë rezistencë.
Megjithëse këto raste janë për të shitur mend, unë thjesht doja t’i riktheja në fund të vitit për të rikujtuar se për mua personalisht dhe besoj edhe për kolegët nga zyra, ia vlejti ky vit edhe pse Kosova mund ta ketë pasur vitin më të mbrapsht në historinë e pasluftës. Gëzuar!

