ARKATANA

Etika, gjaku dhe mjekët vaskularë

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Nga Alban Selimi – Mjekët vaskularë të Qendrës Klinike Universitare janë punëtorë të denjë. Ata kanë kaluar sfida të ndryshme e të rënda. Mijëra operacione në kohë paqeje e lufte. ‘Ushtarë’ të denjë që i qëndrojnë gatitu jetës së tjetrit.

I
Mjekët vaskularë të Qendrës Klinike Universitare janë punëtorë të denjë. Ata kanë kaluar sfida të ndryshme e të rënda. Mijëra operacione në kohë paqeje e lufte. ‘Ushtarë’ të denjë që i qëndrojnë gatitu jetës së tjetrit. Bënë histori të ndryshme venash e për venat. E dinë më mirë se gjithkush pse s’duhet këputur një dorë dhe cilat janë pasojat e një dore të këputur. E dinë më mirë se kushdo si qarkullon gjaku. Edhe kur ai nxehet, edhe kur është i ftohtë. Ka një vit e sa që kirurgët vaskularë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë ndarë në dy taborë. Janë nxehur gjakrat për një pozitë shefi, dhe beteja po ‘përgjak’ opinionin e hutuar. Në një anë (tabor) të gjithë kirurgët vaskularë dhe drejtori i tyre klinik dhe ai ekzekutiv. Dhe në tjetrën anë, një njeri i vetëm, Elmi Olluri, me një ‘ushtri’ të jashtme, që i jep të drejtën që s’po e fiton kurrë përbrenda.

II
Gjobat e kacafytjet për shkak të kësaj pozite shefi, brenda repartit nuk po ndalen. Është dënuar drejtori i QKUK-së Nijazi Gashi, është dënuar drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Mehmet Maxhuni, është dënuar Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Kurse ‘beteja’ e kirurgëve vaskularë nuk po ndalet. Së fundi një prokuror me një brigadë policësh, zbarkuan në Qendrën Klinike Universitare. Kjo për një fistulë të një pacienti, që Elmi Olluri nuk mundi (deshi) ta kryejë pa asistencë, kurse kolegët e tij, insistonin se ajo mund të kryhej pa pasur nevojë për asistim. Pacienti nga dializa, mbeti në sallë për disa orë, duke pritur që intervenimi i tij të zgjidhej. Alarmin e mori vesh e gjithë Kosova. Mjekët ‘gjaknxehtë’ lanë peng një plak, për qëllime të vetat. Doktorit Olluri, nuk iu zgjat një dorë e fortë ndihme, kur ai pati nevojë për të. Doktori, e futi pacientin në sallë, pa u siguruar që ndihma do t’i vinte, që kolegët e tij, s’do të tregoheshin për të ‘dorëkëputur’. Anakroni që zgjidhet vetëm me gjak të ftohtë.

Mobi Casa

III
Pacienti shpëtoi pa të keq. Mjekët sorollaten komisioneve etike, për të treguar se kush ka të drejtë. Po t’i dëgjosh palët gjakftohtë, iu jep të drejtën të dyja palëve. Dyfytyrësi që asnjëra palë nuk e pranon. Realiteti se Olluri s’mund të punojë i vetëm pa pasur besimin e kolegëve, qoftë kur punohet një fistulë, s’do të pranohet kurrsesi nga ky i fundit. Sikurse kolegët e tij, që nuk po pajtohen kurrsesi që Ollurin mund ta bojkotojnë si shef, por jo si mjek. Kjo për shkak se bie shërbimi, dëmtohet pacienti. Dhe të thuash se interesat personale janë vënë para pacientëve, mund të duket fyese.

IV
Komisioni etik i QKUK-së, para gazetarëve u mblodh për të shqyrtuar rastin e Kirurgjisë Vaskulare. Olluri dhe kolegët e tij, edhe aty kanë dhënë deklarata të ndara. Rasti ‘ripërtypej’ brenda një grupi mjekësh, kryesisht flokëthinjur, që nuk kishin njohuri më shumë se ato që kishin lexuar nga mediet për atë që kishte ndodhur.
Edhe një ‘gjellë’ po gatuhet për Kirurgjinë Vaskulare nga një komision pleqsh që synojnë të jenë të drejtë. Gjaku po nxehet kurse etika po vihet në dilemë. Çka i thonë kësaj mjekët vaskularë. Ata s’duhet të tregohen dorëshkurtuar. Duhet t’i harrojnë taborët, t’i shtrëngojnë fort duart njëri-tjetrit. Ndodhi çka ndodhi, t’i takojë së kaluarës. Pacientët kanë nevojë që, si gjakftohtë, të shohin si u rrjedh gjaku, në venat e sëmura. Të gjithë duhet ta kuptojnë, se për arritur te kjo, dy taborët duhet të humbasin diçka. Dikush duhet ta harrojë pozitën e shefit, e dikush ta harrojë t’ia zgjasë dorën e ndihmës kolegut. Ndryshe, etika, gjaku dhe mjekët vaskularë, s’do t’i kenë punët mirë!

(Autori është Redaktor i Sociales në gazetën Tribuna)