Patatofobia
Nga Ibrahim Rexhepi – Ndryshimet në paketën fiskale të Shqipërisë do të rrezikojnë marrëdhëniet ekonomike në Kosovë dhe rrezikojnë projektin e bashkimit doganor, si hap i parë drejt formave më të avancuara të integrimit.
Një mbledhje e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e paralajmëruar fillimisht për në muajin nëntor, e pastaj e shtyrë për dhjetor, nuk u mbajt fare. Nuk ka ndonjë termin të ri për takimin, nga dikush i cilësuar si historik e as që ka ndonjë lëvizje për organizimin e tij.
Duket se ende nuk ka gatishmëri për të hapur temat e ndjeshme që përshkojnë relacionet ndërmjet këtyre dy vendeve, së paku përderisa Prishtina dhe Tirana zyrtare të miratojnë disa dokumente të rëndësishme për fatin e vendit. E para, pos buxhetit për vitin 2014, ende e ka të hapur temën për privatizimin e PTK-së, kurse e dyta, krahas buxhetit e ka edhe paketën fiskale, e cila prek thellë, jo vetëm në relacionet brenda Shqipërisë, por edhe te ato me Kosovën.
Pra, Prizreni nuk u përdor as për një foto kujtimi, së paku që të demonstrohet gatishmëria e zbatimit ët projekteve të përmendura nga kryeministri shqiptarë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, në qytetin historik ndodhi ngjarja tjetër, aq shumë e debatuar gjatë kohës së Sali Berishës. U nënshkrua marrëveshja për ndërtimin e linjës së intekoneksionit, e cila eviton fytet e ngushta që ishin pengesë për bashkëpunim në fushën e energjetikës. Ndoshta, më në fund do të kemi këtë linjë, e cila, jo që eliminon dominimin energjetik të ndonjë vendi në rajon, por së paku në aspektin teknik i vë në pozitë të barabartë të gjithë partnerët në treg. Ndërkaq, si do të zhvillohet bashkëpunimi ndërmjet sistemeve energjetike në të dyja anët e kufirit, apo do të kemi vetëm një të këtillë, krejt varet nga vullneti i të dyja qeverive. Ndërkaq, pas një viti do të gjinden në një treg të madh, meqenëse dokumentet e nënshkruara në Athinë detyrojnë për liberalizim të tregut.
Mirëpo, ky optimizëm dhe kjo shpresë mbuloj një problem që në të ardhmen do të lëndojë rëndë marrëdhëniet tregtare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Paketa e re fiskale, e cila ka nxitur reagime të ashpra në Tiranë, parasheh tatimimin e disa artikujve, madje edhe të konsumit investues, të cilat deri më tani ishin të liruara nga TVSH-ja dhe taksat e tjera në kufi. Këto norma do të ndikojnë që produktet Kosovare të mos jenë më konkurrente në tregun shqiptarë. Kjo do të thotë se ato më nuk do të jenë të kërkuara nga konsumatorët. Madje, një problem u krijua edhe para hapjes së kësaj pakoje, kur në ditën e fundit të shtatorit qeveria e re shqiptare, anuloj disa vendime të qeverisë që kishte humbur pushtetin në zgjedhjet e nëntorit dhe në listën e mallrave që duhet t’i nënshtrohen TVSh-së i futi edhe tubat e prodhuara në Ferizaj. Sa për ilustrim po përmendim se kjo fabrikë, pas privatizimit, është aktivizuar kryesisht falë tregut të Shqiëprisë, ku tubat nga çeliku përdoreshin për ujësjellës dhe për ndërtimin e hidrocentraleve. Ndërkaq, ky artikull , me TVSH-në e kalkuluar në çmim, tash është i shtrenjtë dhe si i tillë rritë koston e secilit investim. Natyrisht, se ata më nuk do të kenë vend në këtë treg dhe kjo fabrikën nga Ferizaj do ta sjell në pozitë të rëndë financiare. Që absurdi të jetë edhe më i madh, zyrtarët e kësaj fabrike nuk kanë marrë asnjë përgjigje në ankesat që iu kanë drejtuar autoriteteve në Tiranë. Madje, as arsyetimin për nevojën e ndryshimeve të këtilla.
Sado që bllokimi i eksportit të tubave do të përkeqësoj edhe më tutje bilancin tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, madje edhe do të zvogëloj vëllimin e qarkullimit të përgjithshëm, ka rrezik që të njëjtin fat të kenë edhe produkte të tjera “Made in Kosova”, si ato të konsumit të përgjithshëm, po ashtu edhe të nevojshme për realizimin e projekteve të ndryshme. Pengesë do të jetë aplikimi i normave të reja tatimore dhe i akcizës. Këto ndryshime do të tensionojnë marrëdhëniet ekonomike brenda dy vendeve. Po ashtu, normat e reja tatimore do ta bëjnë të pavlerë një dokument në përgatitje, i cili synon të eliminoj të gjitha problemet teknike e burokratike në kufi, të cilat ngadalësonin ritmin dhe vëllimin e qarkullimit të mallrave.
Është krejt e kuptueshme se të dyja vendet kanë buxhetet dhe politikat e tyre fiskale. Por, përderisa nuk punohet më shumë për unifikimin e standardeve dhe hapjes së tregut, atëherë dele qartë se fjalët e mëdha ,për bashkimin doganor u përdorën për efekte mediave, e elektorale. Nga kjo, del rreziku se marrëdhëniet ekonomike Kosovë – Shqipëri nuk do të karakterizohen me “patatofobinë”, por edhe me fobi të tjera.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)


