Fundamenti

Dy ligje të mira

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi – Zhurma rreth buxhetit dhe PTK-së ka rrezik që në parlament të lë në heshtje dy ligje shumë të rëndësishme për biznesin, tregun, konkurrencën dhe prodhimin vendor – atë për antidampingun dhe prokurimin.

Futja e një neni që i mundëson Qeverisë së Kosovës që “ta kontrabandojë” një pasuri me vlerë prej 277 milionë eurosh, është çështje për shqetësim. Është e kuptueshme se kjo do të nxitë zhurmë të madhe në Kuvendin e Kosovës, madje edhe mundësinë që Ligji për Buxhetin e vitit 2014 të kalojë në duart e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ndodhë kjo, atëherë ka rrezik që qeveria për një kohë të ketë pagesat e kufizuara, por jo edhe të bllokuara.

Gjithashtu, nga agjenda e punës së Kuvendint të Kosovës ende nuk është hequr çështja e privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, si edhe hetimi i krejt këtij procesi. Nga ana tjetër, nga nivelet qeveritare vijnë deklarata se kontrata e shitjes do të nënshkruhet më 26 dhjetor, pa marrë parasysh epilogun që do t’ia japin deputetët. Prandaj, ka mundësi që krejt procesi i këtij privatizimi të mbyllet me një bazë të paqëndrueshme juridike. Deri më 26 dhjetor mund të mos sigurohet “po”-ja e Kuvendit të Kosovës, ndërsa, nëse kjo çështje kalon parmes ligjit për buxhet, atëherë sërish nënshkrimi i kontratës juridikisht mbete i pambuluar, meqenëse ky ligj hyn në fuqi në ditën e parë të vitit 2014.

Këto dy çështje është e natyrshme që të nxisin kundërshtime dhe përplasje në mesin e deputetëve, jo vetëm për shkak të këndvështrimeve partiake që kanë, por për faktin se bëhet fjalë për gjëra që mund të ndikojnë në zhvillimet e ardhshme ekonomik e sociale në vend. Ka rrezik që kjo zhurmë të lë në heshtje dy dokumente ligjore, të cilat kanë hyrë në procedurën parlamentare, të cilat janë shumë të rëndësishme për funksionimin tregut dhe të konkurrencës, si edhe për fuqizimin e biznesit vendor- posaçërisht atij prodhues. Fjala është për Projektligjin për masat antidamping dhe ato kundërbalacuese, si edhe ndryshimin ligjit për prokurimin publik.

ARKATANA

Rëndësia e ligjit të parë qëndron në faktin se ai përcakton rregullat, procedurat, kushtet e zbatimit të masave antidamping dhe kundërbalancuese, me qëllim të mbrojtjes së industrisë dhe prodhimit vendas në rastet kur dëmtohet nga konkurrenca e pandershme e tregtisë ndërkombëtare përmes importeve me çmime “damping”, ose të subvencionuara.

Ndërkaq, ndryshimi i ligjit për prokurimin publik, i jep përparësi ofertuesve vendor në krahasim me ata të huaj. Pas miratimit të tij, autoriteti kontraktues ka mundësi që pas shqyrtimit të ofertës më të favorshme, të zgjedhë atë që vjen nga një ofertues vendorë, por me kusht që të mos jetë më e lartë se 10 pikë në krahasim me atë të huaj. Po ashtu, gjatë aplikimit të kriterit të çmimit më të ulët të ofruar, do të merret ajo nga biznesi vendor edhe nëse është deri 15 për qind më e shtrenjtë se e ofertuesit që vjen nga jashtë. Ndonëse në dukje të parë duket se është një ligj favorizues, ai mund të hasë në kundërshtim të autoriteteve evropiane, me arsyetimin se dëmton konkurrencën. Mirëpo, duke ditur gjendjen në të cilën është biznesi vendor, si edhe aftësinë e dobët konkurruese, atëherë është e natyrshme që për një periudhë të mbështet dhe të mbrohet në garën për shfrytëzimin e parasë publike. Pra, është e kuptueshme që paraja e paguar nga tatimpaguesit kosovarë, të mbetet në vend, aty ku mundësitë janë reale. Madje, në këtë rast autorët e këtij dokumenti kanë mundur të fusin dhe një nen, përmes të cilit i ofrohen favore shtesë ofertuesit vendorë, nëse në ofertën e tij mbi 50 për qind të mallrave që ofron janë “Made in Kosova”. Me këtë mundësohet që produktet vendore të përfshihen sa më shumë në kontratat me autoritetet publike.

Në esencë janë dy dokumente ligjore, përmes të cilave krijohen rrethanat që biznesi vendor të përfitojë më shumë, pasi që do të ketë më shumë qasje në paranë publike. Mirëpo, ky qëllim mund të dështojë, nëse nuk eliminohen parregullsitë dhe korrupsioni brenda mekanizmave të prokurimit, apo nëse biznesi ofertues, duke ditur këtë përparësi përpilon ofertë joreale, e cila më vonë është e vështirë të implementohet. Ndërkaq, kalon prokurimin, pikërisht për shkak të parregullsive në aparaturën prokuruese. Po ashtu, edhe ligji i ri që sapo ka hyrë në procedurën parlamentare nuk mbështetet me mekanizma efikas dhe profesional, pastaj me një autoritet shumë të fuqishëm të konkurrencës, meqenëse krejt puna nuk mund të bëhet brenda një kabineti ministror i mbështetur nga një mekanizëm këshillëdhënës.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)