Selimi: MUP-i serb po legalizohet në Kosovë
Aktakuzën e ngritur në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër 11 pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Themelore Lëvizja Vetëvendosje e vlerëson të padrejtë dhe të motivuar mbi baza politike dhe etnike. Kurse rekrutimin e policëve të MUP-it në Policinë e Kosovës VV e cilëson legalizim të MUP-it të Serbisë në Kosovë.
Deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, akuzat ndaj pjesëtarëve të ROSU i quan si të panevojshme dhe të padrejta, të cilët sipas tij po bënin detyrën e vet.
Përveç kësaj, Selimi thotë se EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, në këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme, po përdorin standarde të dyfishta, pra varësisht se kush është në objektiv, shqiptarët apo serbët.
“Juve ju kujtohet që për shkelje të mundshme të evidentuara dhe gjithsesi edhe për imazhet e botuara dhe të shfaqura në opinion, të shkeljeve eventuale, asnjëherë as policia e EULEX-it, as Inspektorati i Policisë e as Drejtoria e Përgjithshme e Policisë nuk kishte marrë masa as atëherë kur, ju kujtohet, dolën të përgjakur protestuesit nga dhuna e policisë që i është ushtruar ndaj protestuesve, as atëherë kur e keni parë edhe vetë nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës të përgjakur, as atëherë kur keni pa edhe deputetë të caktuar të përgjakur, pra asnjëherë, Inspektorati i Policisë së Kosovës nuk mori masa ndaj tyre, edhe pse ishte bërë denoncimi ndaj tyre”, shprehet Selimi, transmeton KP.
Selimi, vlerëson se me pranimin e pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës, nuk ka shpërbërje të MUP-it, por futje të MUP-it brenda Policisë së Kosovës.
“Në vend që për vrasësit e Enver Zymberit të kishte aktakuzë për sulm ndaj Policisë së Kosovës, pikërisht në këtë polici po futen ata që hodhën plumba vrasës mbi të, e shokët e Enverit janë nën aktakuzë pse arrestuan pjesëtarë të MUP-it”, deklaroi Selimi.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në pjesën Veriore të Mitrovicës të premten ka filluar zyrtarisht integrimin e ish-pjesëtarëve të MUP-it në Policinë e Kosovës.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme çdo kontratë do t’i paraprijë procesi i verifikimit të identitetit të tyre nga ana e Agjencisë se Regjistrimit Civil të MPB dhe verifikimit të së kaluarës së tyre nga Policia e Kosovës dhe EULEX-it. /Telegrafi/


