Fundamenti

Mbi heroizmin

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Vjosa Osmani Sadriu – Shpallja e vetvetes hero dhe e dikujt tjetër antihero është një ndër antivlerat më të mëdha të pasluftës në Kosovës. Heronj të vetëshpallur që mendonin se e tërë Kosova është pronë e tyre dhe se mund të luajnë me pronën e individëve të tjerë dhe me shtetin, e kishin mbushur Kosovën përplot pas qershorit 1999, kur gati çdo e treta derë e banesave kishte mbishkrimin me ndonjë emër e mbiemër të cilit i paraprinte titulli Komandant apo Gjeneral. Ky keqpërdorim në emër të luftës bëhej përderisa ata që vërtetë kishin luftuar e sakrifikuar kishin mbetur mënjanë dhe nuk involvoheshin në vepra të tilla.

Për lirinë e Kosovës sakrifikoi secili qytetar. Nuk ka familje në Kosovë që nuk ka dhënë diçka që sot të gëzohet liria, dhe shumë prej këtyre familjeve kanë dhënë më të dashurit e tyre. Në mos njerëzit, kanë dhënë pronën, kanë humbur gjithë çka posedonin, dhe kanë vuajtur të gjithë së bashku. Rrallëherë mund t’i dëgjosh, megjithatë, këta qytetarë të ndershëm duke e përmendur këtë sakrificë të tyre, duke identifikuar dikë si hero apo dikë tjetër si antihero. Ata e dijnë, se merita është e të gjithëve dhe vuajtjet po ashtu ishin të të gjithëve. Ata e dinë që për Kosovën u luftua për dekada të tëra, dhe përpjekjet nuk ishin vetëm të viteve 1998-1999.

Kur filloi lufta në Kosovë, tashmë Kosovën e njihte gjithë bota. E njihte falë një vizioni shumë largpamës që edhe sot e kësaj dite përmendet me admirim nga shumica e liderëve botërorë. Duke qenë në masa të dhunshme kur të gjitha të drejtat themelore, përfshirë e drejta në informim, i mohoheshin popullit të Kosovës, Presidenti Rugova arriti ta bëjë Kosovën pjesë të hartës botërore, dhe të angazhonte shtetet më të fuqishme në botë në përpjekjet e Kosovës për liri e pavarësi. Këto shtete nuk na zhgënjyen as në kohën e luftës, por ajo ishte vazhdimësi e një përkrahjeje që me shumë mençuri ishte siguruar shumë më herët, nën lidershipin e Presidentit Rugova.

Fundamenti

Se sa e vlerësuan veprën e Rugovës qytetarët, e dëshmuan ditën e varrimit të tij, dhe po të njëjtin respekt e tregojnë edhe sot. Prandaj, në këta pak rreshta unë nuk kam nevojë t’a bindë askënd për rëndësinë e veprës së Rugovës. Por ka nevojë të thuhet se trumbetimet absurde të disa individëve, të shkoqitur nga realiteti, që tentojnë të denigrojnë një vepër të pastër për liri, duke quajtur Presidentin Rugova antihero, po denigrojnë kështu sakrificën e secilit qytetar. DemaÒ«i prandaj, nuk do të mund të zbehë respektin për Rugovën asnjëherë, por me këto deklarata ai vetëm e ka humbur edhe atë pak respekt që qytetarët mund ta kenë pasur për të. As njëmijë shtatore nuk janë të mjaftueshme për të reflektuar nderimin dhe admirimin që qytetarët e Kosovës kanë për burrështetasin dhe arkitektin e pavarësisë së Kosovës. Prandaj titulli ‘hero’ për Presidentin historik është jo vetëm më se i merituar, por është edhe reflektim i vullnetit të qytetarëve të cilit rrugëtuan bashkë me Rugovën gjatë dekadave të tëra të përpjekjeve për liri e pavarësi. Ata që nuk e nderojnë, por përkundrazi e përbuzin apo e quajnë antihero figurën e Rugovës, ata vetëm po i fyejnë qytetarët e Kosovës, sepse figurën dhe veprën madhështore të Rugovës nuk do të mund t’a njollosin kurrë.

(Autorja është anëtare e Kryesisë dhe Deputete e LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)