ARKATANA

Një marrëveshje jo e mirë me dy anë të medaljes

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Astrit Gashi – Disa fjalë për Republika Srpska, serbët e vërtetë të “Listes Srpska” dhe partitë tona në mërzinë elektorale!

E mbaj mend – se nuk ishte fort moti – kur Rexhep Hoti ( anëtar i Kryesisë së PDK-së) në një debat në Klan Kosova me sulme personale dhe argumente shpifëse, tentonte të më bindte mua dhe shikuesit se Asociacioni i Komunave Serbe ishte një OJQ. Qysh atëherë dihej se e tillë nuk do të ishte, sepse në vete mbante disa kompetenca që i tejkalojnë ato të OJQ’ve sikur ta zëmë sugjerimi për shefat e policisë… etj.

Të këtilla kompetenca ta zëmë nuk kishte Asociacioni i Komunave të Kosovës, një OJQ kjo e cila shërbente që kryetarët të mblidhen të bisedojnë mes vete e ta hanë naj qofte me Coca- Cola. Ky asociacion i ri serb, pra nuk ishte një KIPRED, INDEP apo GAP i ri. Kjo dihej që moti.

Në atë kohë pata thënë se Marrëveshja në Bruksel nuk është e mirë, por kam pritur të jetë, e ka mundur të jetë, edhe më e keqe. Si e tillë, pata thënë dhe i qëndroj edhe sot atij mendimi, se jo vetëm implementimi i saj, por edhe detajet që dalin ndërkohë, nëse nuk jemi të kujdesshëm, do ta bëjnë atë shumë të dëmshme. Detajet, dhe nëse kemi një aftësi e përkushtim të gjerë profesional dhe diplomatik, mund ta bëjnë atë shumë më të mirë se që është.

Tash jemi para një situate kur këto detaje, rrezikojnë që të përkeqësojnë edhe më tutje, veçanërisht nëse këtij Asociacioni i shtohen kompetenca dhe mundësi më të mëdha të manovrimit.

KKVITI

Ishte Ambasadorja Amerikane, Tracy Ann Jacobson, që e paralajmëroi për këtë rrezik Kryeministrin Thaçi, dhe jo vetëm atë, por të gjithë spektrin politik dhe shoqërinë kosovare, që në këtë moment është, kush më pak e kush më shumë, duke kaluar nëpër një fazë të “dhimbshme” të vuajtjeve për goditjet elektorale që morën kudo nëpër Kosovë.

Sa i përket fitores së “Lista Srpska”, thjesht duhet të mësohemi të kemi punë si shoqëri me “serbët e vërtetë” në shtetin tonë, e jo me disa “serbë të ndershëm”, të cilët i hanin edhe qoftet tona edhe të Serbisë, por nuk përfaqësonin askënd pos një grupi kriminal të tyre- që ishte i lidhur me kriminelët tonë.

Politikanët e fortë me një qëndrim të fortë e të drejtë ( najherë duhet të jenë), e bëjnë një marrëveshje jo të mirë, që të bëhet e shkëlqyeshme, dhe një tjetër të tmerrshme. Këtë të dytën nuk besoj se do ta lejojnë- dhe në këtë gjë duhet të ketë një konsensus nacional. Përkrahja Amerikane, të paktën aty, është!

(Titulli është i redaksisë)