ARKATANA

Një libër aktual për mbingarkesën e shkollarëve tanë

/ 8 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Doli nga botimi libri i dytë i Isa Hysenit me titull “Mbingarkesa e nxënësve”. Është një libër i rëndësishëm për punën e arsimdashësve tanë. Pse jo? Libri në fjalë ngërthen në vete materie interesante e të dobishme për të gjithë arsimtarët tanë, të cilët punojnë me ditar në dorë.

Isa Hyseni, tash i ndjerë, punën e tij shumëvjeçare si mësues, e ka “jetësuar” me anë të shkrimeve e trajtesave të botuara në revistën arsimore e pedagogjike “Shkëndija”, punime këto që flasin për rolin e pedagogut dhe për mbingarkesën e shkollarëve tanë në shkolla.

Autori, pak kohë para se të ndërrojë jetë, librin “Mbingarkesa e nxënësve” e ka përgatitur, por – ja vdekja e mori para kohe dhe vepra e tij nuk e pa ato ditë dritën e botimit. Mirëpo, pas tri vjetësh, libri i tij në fjalë u botua me ndihmën e familjes së tij dhe Drejtorisë së Arsimit në Gjilanit.

Është një libër doracak me interes të madh për arsimtarët tanë, të cilët punojnë akoma me ditarë nëpër institucione të ndryshme shkollore. Kështu, librit “Mbingarkesa e nxënësve” i paraprinë një parathënie dhe lëndë tjetër në formë analizash e vështrimesh të shkruara për jetën e shkollarëve tanë, të cilët, në ditë e sotme janë të ngarkuar jo vetëm me tekste shkollore, por edhe me“forma” të tjera të kësaj jete.

Pra, Isa Hyseni, këtë problematikë e ka paraqitur me artikuj shkrimi nëpër gazeta e revista tona, sidomos të botuara në revistën pedagogjike e arsimore “Shkëndija” në të cilën ka shfaqur dijen dhe përvojën e tij nga fusha e pedagogjisë dhe metodikës. Pra, I. Hyseni, autor, në këtë libër është munduar të japin çdo gjë nga vetja për brezat e rinj. Shih për këtë, ai duke punuar më fëmijë, sikur ka vërejtur lëshime dhe dobësi edhe në plan- programet tona shkollore. Ai u jep vërejtje hartuesve të këtyre plan-programeve shkollore.

Në librin “Mbingarkesa e nxënësve”, ai flet edhe për arsimtarin dembel e të plogësht, i cili shkon i papërgatitur në orën mësimore. Sheh nga afër mos ecjen përpara të dijes së shkollarëve të rinj. Nga ky fakt, por edhe nga shumë shembuj të tjerë që ilustrohen në libër, autori mundohet ta ndryshojë gjendjen në të mirë për fëmijët tanë, të cilët janë rrezja e parë e jetës.

Ai metodën e punës së mirë në mësim, e ilustron me shembuj e mendime të marra nga dijetarët e mëdhenj të kohës, të cilët e bëjnë veprën më të kapshme në aspektin shkencor e pedagogjik. Bile, ai disa herë e cek plan-programin mësimor si mbingarkesë për fëmijët tanë shkollarë.

Në anën tjetër, I. Hyseni ndalet edhe te shkollari ynë i sotëm, i cili është i ngarkuar me libra e me “sende” të tjera. Ky, si shton autori, është një faktor që ndikon në zhvillimin jo normal të fëmijëve.

Mandej, autori flet për një numër të arsimtarëve pa përvojë, të cilët, shkollarëve ju japin detyra të tepruara e pa nevojë. Në anën tjetër, autori i fajëson edhe përpiluesit e plan-programeve mësimore, të cilët fusin shumë lëndë për këtë moshë të re.

Librin “Mbingarkesa e nxënësve” i Isa Hysenit është i mbushur edhe me citate të pedagogëve të mëdhenj të kohës. E citon Mishel Montnenj, i cili tek fëmijët sheh dashurinë ndaj mësimit e punës.

FIDANISHTJA

Ai thotë: “Tek fëmijët duhet zhvilluar kënaqësinë dhe dashurinë ndaj mësimit dhe punës, për ndryshe, nga ata do të bëjmë gomarë të ngarkuar me libra!”. Autori flet për mësimin e kombinuar., për prindërit se si sillen me fëmijët e tyre, për faktin se, ata nesër mund të bëhen e ardhmja e vendit. “Duke i edukuar fëmijët, prindërit e tashëm krijojnë historinë e ardhshme të vendit tonë, andaj mu për këtë, edhe historinë e botës…

Andaj, çdo prind është i obliguar të merret me fëmijët e vet, pa marrë parasysh të gjitha vështirësitë që dalin me ta”. Autori i librin shton se mësuesi do të duhej të jetë mjeshtër i mësimdhënies, por njëherësh edhe aktor, ngase mësimdhënia është mjeshtri dhe art në punn e tij me ditar në dorë, (f.53).

Por, nuk anashkalohet edhe literatura e përdorur e autorit të librit. E, poetin ose bilbilin e gjuhës sonë, Naim Frashërin, autori merr këshilla shumë e vlefshme, kur shton: “Nuk arsimohen të vegjlit duke sharë e duke rrahur, po me të mirë, me të urtë e me butësi… Sepse, ky shembull i mirë i Naimit, është mjet edukativ dhe ka rëndësi të posaçme edukative, ku shton:” një mijë fjalë të mira të mëmës e tatës nuk vlejnë për fëmijën, sa vlenë një punë që e shohin me sytë e vet”, nga vepra “Mësimet” prej N. Frashërit.

Pra, Isa Hyseni ka shkruar një libër kryesisht për mësuesin e mirë, për dobësitë e tij si dhe për fëmijët që i dhimbsen se janë të ngarkuar në ditët e sotit me libra e me sende të tjera. Ai është që të korrigjohen planprogramet mësimore dhe fëmijëve t’u servohet një plan-program sa më praktik për këtë moshë. Prandaj, mësuesi në një proces mësimor bashkëkohor do të ishte orientues i punës mësimore.

Në kë të kontekst, futja e risive në mësim, do të mundësonte punën racionale dhe më efikase e më të shpejtë të mësuesit, shton autori në librin e tij (f. 53). Isa Hyseni e ka logjikën e shëndoshë kur thotë se, çdo gjë ndërrohet, por pishtari i arsimit nuk ndërrohet. Ndërrohen programet, librat, botuesit, pedagogët. Mbetet diçka që nuk lejohet të ndryshohet.

Ai është mësuesi, i pazëvendësueshëm për të gjitha kohërat. Pra, puna e mësuesit është e pandryshuar dhe s’dërrohet.
Autori thotë: “Nëse flasim për shkencën, atëherë duhet të kemi parasysh arsimin. Më me rëndësi nga të gjitha janë mësuesit dhe arsimtarët. Nga kjo fillohet, dhe atë, pa marrë parasysh sa dëshirojmë të fluturojmë lart, nuk guxojmë t’ia largojmë nga mendja”, sepse, ai, me qëndrimin e tij, me nxënës duhet të jetë humanist i madh dhe shkëlqyesi i jetës përpara.

Pra, duhet t’i dojë shkollarët, të jetë i ndershëm dhe i kujdesshëm ndaj tyre, dhe tek çdo njëri nga ta të shoh qytetarin e ardhshëm të atdheut. Arsimimi për një të ardhshme të vendit e të popullit është imperativ kohe. Mu për këtë është i nevojshëm ridefinimi i sistemi arsimor, ai duhet të jetë i hapur, fleksibil, adaptiv.

Gjithashtu, arsimtarët tanë, njëherë e përgjithmonë, duhet t’iu shmangen metodave klasike gjatë mbajtjes së mësimit. Lypset të ketë risi e assesi të vazhdohet po me të njëjtat mënyra, siç është vepruar kushedi para sa vitesh. Për këto risi, tashmë, kemi se ku të bazohemi meqë, në plan të parë, mund të shfrytëzojmë përvojën e shkollave në Shqipëri, të cilat nga viti 1993, shton autori i librit Isa Hyseni.

Në fund, autori flet dhe bënë një analizë për nxënësit që kanë pësuar në luftën e fundit 1999, ku ka numra të shumtë të fëmijëve, të cilët janë traumatizuar e me të tillë gjendjeje. Autori librin e parë “Jetë në ankth” (ditar lufte) e ka botuar në vitin 2004.

Ndërsa, librin e dytë “Mbingarkesa e nxënësve” e botoi ditë më parë në Shtypshkronjën Pika 5/A në Gjilan. /Tefik Selimi/rajonipress/