Thaçi: Të dëshmojmë punën që kemi bërë
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se presin që misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, të bëjë një vlerësim sa me pozitiv, një vlerësim real dhe të bazuar në fakte. Gjatë, takimit të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave, kreu i Qeverisë ka kërkuar nga të gjithë akterët e involvuar në këtë proces që të jenë sa më të përgatitur, në mënyrë që para misionit faktmbledhës të paraqesin të arriturat, progresin, statistikat dhe angazhimin që është bërë në përmbushjen e kritereve të parapara për procesin e liberalizimit të vizave.
Misioni faktmbledhës i Komisionit Evropian do të jetë në Kosovë nga data 2 deri me 6 dhjetor, për të bërë vlerësimin e përmbushjes së kritereve të tri nga pesë blloqet që janë paraparë për procesin e liberalizimin e vizave.
Pikërisht për këtë shkak, kryeministri Hashim Thaçi tha se kanë vendosur që ta thërrasin Komitetin për liberalizimin e vizave, për të diskutuar rreth përgatitjeve të nevojshme për mbarëvajtjen e këtij misioni faktmbledhës.
“Me lejoni të kujtoj se ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin tonë, pasi që këto kritere janë realitet, janë reforma që në çdo aspekt do të përfitoj vendi dhe qytetarët e Kosovës. Për këtë arsye është me së e rëndësishme të marrim një vlerësim sa me të sinqertë dhe të bazuar në fakte, pra një vlerësim sa me pozitiv. Besoj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka procesi i liberalizimit për vendin tonë, gjithashtu rëndësia e këtij misioni faktmbledhës është po ashtu i rëndësishëm. Po ashtu presim që javën që vjen nga 2 deri me 6 dhjetor të jeni maksimalisht të përgatitur, të siguroheni që stafi juaj të jetë i gatshëm dhe në krye të detyrës, të jenë të pajisur me të gjitha informatat dhe statistikat e nevojshme të gjitha ekipet”, ka thënë Thaçi.
Ai ka theksuar se këtë mision faktmbledhës e kanë pritur për një kohë të gjatë, qysh prej kur e kanë filluar procesin e liberalizimit të vizave dhe një mision të ngjashëm e kanë pasur në tetor të vitit të kaluar.
Thaçi ka deklaruar se kanë kaluar me shumë se një vit, kur Komisionit Evropian ka bërë vlerësimin e fundit, dhe për këtë arsye është shprehur me së i sigurt se zyrtarët me të cilët do të takohen ekspertet e BE-së, do të jenë në gjendje të prezantojnë një situatë shumë më të avancuar se atë që ka qenë para një viti dhe të dëshmojnë përkushtimin dhe seriozitetin që të gjithë e kanë treguar gjatë kësaj kohe.
“Ky mision siç thash edhe më herët do t’i vlerësoj tri blloqet e para, pra do të vlerësoj zbatimin e kritereve që lidhen me fushën e riatdhesimit, riintegrimit, sigurisë së dokumenteve personale, migrimit dhe azilit. Përderisa blloqet e mbetura mbetet të vendoset nga misioni evropian se kur do të bëjë një vlerësim të tillë, deri atëherë ne duhet dëshmuar punën që kemi bërë në zbatimin e këtyre kritereve dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë pa u ndalur se zbatuari të kritereve të tjera”, është shprehur Thaçi.
Kreu i Qeverisë u ka dhënë përfaqësuesve të institucioneve përgjegjëse për këtë proces, se janë ata të cilët do të dëshmojnë me punën e tyre që kanë bërë, dhe për këtë arsye ka kërkuar nga ta që gjatë misionit faktmbledhës të janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, të kenë me vete të gjitha të dhënat, dhe t’i prezantojnë ato ashtu siç janë dhe siç i kanë zbatuar.


