Fundamenti

Pacolli: Gjendja duhet të ndryshohet në Mitrovicë

/ 2 minuta lexim
ARKATANA

Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, bashkë me kandidatin për kryetar të komunës së Mitrovicës nga kjo parti, Agim Bahtiri, kanë vizituar të hënën përfaqësues të bizneseve të ndryshme, si dhe qytetarë të shumtë, duke kërkuar votën e tyre gjatë raundit të balotazhit që do të mbahen më 1 dhjetor.

Pacolli ka thënë se Mitrovica ka probleme të shumta dhe se varfëria ka kapluar qytetarët e këtij qyteti, andaj ka bërë thirrje që kjo gjendje të ndryshohet.

“Është nder dhe gjë patriotike të ndihmosh njerëz që kanë nevojë, ndërsa jam i lumtur që kam gjetur një kandidat për kryetar, i cili mendon dhe vepron njëjtë sikur unë”, ka thënë Pacolli, duke shtuar se me ardhjen e AKR-së në pushtet do të punohet ndershëm.

ARKATANA

Ai ka përmendur sërish kombinatin Trepça për të cilin ka pohuar se nuk duhet të shitet assesi.

“Punësimin dhe të gjitha të mirat për qytetarët jemi në gjendje vetëm ne t’i bëjmë, andaj ndihmojeni këtë kauzë dhe më 1 dhjetor dilni masovikisht për ta votuar Agim Bahtirin”, ka theksuar Pacolli, duke u shprehur i bindur në fitoren e AKR-së në Mitrovicë.

Ndërkaq, kandidati për kryetar komune, Agim Bahtiri, ka potencuar se nuk e ka lënë Evropën për t’u pasuruar, por për t’i ndihmuar këtij populli këtu. “Ka ardhur koha për ndryshime në Mitrovicë dhe kjo gjendje duhet medoemos të ndryshohet”, ka thënë, mes tjerash, Bahtiri.