Aksion humanitar për Shqiponjën: Luaj futboll, shpëto jetë
Gjilan – Edhe kolegët e Shqiponjë Kastratit nuk kanë qëndruar duarkryq. Ata kanë ndërmarrë një aksion mjaft interesant, duke organizuar një turne futbolli për grumbullimin e mjeteve të nevojshme.
Rinor Rexha nga Këshilli Organizativ i studentëve shpjegon detaje më të hollësishme rreth këtij turneu dhe apelon për një pjesëmarrje masive të lojtarëve që dëshirojnë të bëhen pjesë e shpëtimit të një jete duke u argëtuar.
“Ne si Këshill Organizativ të fakulteteve të Edukimit, Juridikut dhe Ekonomikut kemi vendosur të organizojmë një turne në futboll të vogël, që t`i dalim të ndihmë koleges sonë Shqiponjë Kastratit që ka nevojë më shumë se kurrë për ndihmën tonë”.
Sipas Rexhës turniri do të zhvillohet në Sallën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti” në Gjilan me datën 25, 26, 27 nëntor. Paraqitja e skuadrës kushton 10 euro, dhe mjetet e grumbulluara nga ky organizim do t`i dërgohen familjes Kastrati.
Intervenimi është emergjent dhe i domosdoshëm andaj të gjithë ata që kanë mundësi të kontribuojnë në shërimin e Shqiponjës, mund ta bëjnë në xhirollogarinë: 1507001005054559 në Bankën Raiffaisen./rajonipress/

