Ekspertët e inskenimeve
Nga Vjosa Osmani – Sadriu – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet për kryetarë komunash para pak ditësh. Edhe pse një proces i tejzgjatur, që shpërfaqi problemet në përgatitjen e zgjedhjeve, është me rëndësi që ky proces sqaroi shumëçka, përderisa rezultate për asambletë komunale ende nuk kanë përfunduar. Partitë që garuan në këto zgjedhje lokale, megjithatë, garuan kryesisht me programe të kandidatëve të kryetarëve të komunave, dhe jo me programe të asambleistëve individualë, të cilët po ashtu u votuan me emër e mbiemër meqë listat ishin të hapura. Prandaj një analizë e thjeshtë e sistemit të tanishëm tregon se vota për kryetarë komunash është më e saktë për të treguar fuqinë e partive politike, se sa ajo për asamble komunale.
Dhe çka tregojnë rezultatet për kryetarë komunash? Përveç faktit që LDK është në balotazh në shumicën dërmuese të komunave (në më shumë komuna se partitë e tjera), votat kumulative për kryetarë komunash tregojnë një trend të rritjes së jashtëzakonshme që dëshmojnë rikthimin e besimit të qytetarëve në LDK-në. Dhe të ballafaquar me këtë rritje të LDK-së dhe me humbjet e tyre, parti të caktuara në vend nuk zgjodhën mjet për të sulmuar LDK-në dhe përdorën metodat që i dinë më së miri: shpifjet, inskenimet dhe akuzat e paargumentuara.
Rezultatet e certifikuara nga KQZ tregojnë një dallim prej 9340 votash në mes të kandidatit të LDK-së dhe atij të VV-së për kryeqytetin. Pra, afërsisht dhjetë mijë qytetarë më shumë i besuan Kryetarit Mustafa. Ky besim është përkthyer në vota dhe dallimi është jashtëzakonisht i madh. Por partitë që nuk e arritën këtë besim zor se të pajtohen me realitetin e humbjeve të tyre. PDK humbi dhjetëra mijëra vota vetëm në Skenderaj e Drenas dhe shumë të tjera anekënd Kosovës, ndërkaq përkrahja për VV-në u përgjysmua dhe ra në 8%. Duke e parë rikthimin e fuqishëm të LDK-së, këto dy parti u bënë bashkë në akuza dhe u sinkronizuan në qëndrime si asnjëherë më parë.
Disa të arrestuar në Qendrën e Numërimit për gjoja manipulim rezultatesh, zgjuan në këmbë PDK-në e VV-në, me akuza qesharake se kinse LDK, me urdhër të drejtpërdrejt nga kryetari Mustafa, paska urdhëruar një veprim të tillë. Së pari, Prokurori i rastit kishte deklaruar se manipulimi apo gabimi teknik është bërë në favor të një kandidati, pa përmendur emër. Së dyti, prokurori po ashtu u deklarua se mund të ndodhë të ketë qenë gabim teknik gjatë numërimit. Së treti, ky gabim apo manipulim kishte të bënte me rreth 95 vota.
Në një situatë të tillë, është shumë e natyrshme të shtrohen një sërë pyetjesh: Si është e mundur që deputetë të Vetëvendosjes dolën me deklarime në facebook rreth këtyre arrestimeve (dhe me akuza se LDK ka vjedhur) ende pa dalur asnjë deklarim zyrtar nga policia e as prokuroria? Si është e mundur që zyrtarët e po të njëjtës parti gjuajtën akuza në drejtim të LDK-së kur as prokuroria as policia asnjëherë nuk e përmendën emrin e kandidatit për të cilin qenka bërë manipulimi/gabimi? Në anën tjetër, pse ata nuk i dorëzojnë faktet (nëse posedojnë ndonjë) në prokurori dhe të lejojnë që institucionet e pavarura të merren me këtë rast, në vend se të bëjnë ndërhyrje politike në këto institucione. Kjo vlen sidomos për PDK-në, zëdhënësi i së cilës me një gjuhë totalisht joargumentuese akuzoi kreun e LDK-së për vjedhje, por asnjëherë s’e mori guximin të marrë përgjegjësi për fjalën publike dhe t’i drejtohej prokurorisë nëse posedon fakte. Natyrisht që as njëra, e as tjetra parti nuk posedojnë asnjë argument që do të mund ta përfshinte LDK-në në një rast që ka të bëjë me punëtorë që s’kanë lidhje me LDK-në, meqë punësohen dhe paguhen nga KQZ-ja.
Por ajo që posedojnë me bollëk, është aftësia për inskenime dhe propaganda të cilën e kanë praktikuar me mijëra herë deri tani për të dëmtuar kundërshtarët e vetë politikë. Këto dy parti, nuk e kuptojnë se metodat e tilla do t’ua humbin edhe atë pak mbështetje që ju ka mbetur, sepse shpifjet dhe tentimet e tilla për denigrim të kundërshtarit politik nuk janë të pranueshme për qytetarët e Kosovës. Ata provojnë që humbjet e tyre t’i mbulojnë me shpifje, por do të përfundojnë edhe më keq se me 3 nëntor, sepse qytetarët e Kosovës as nuk i duan e as nuk i meritojnë të tillët.
Përfundimisht, këto 9340 vota dallim në mes të kandidatit të LDK-së dhe atij të VV-së tregojnë se ka qenë më së paku në interes të LDK-së që të përfshihej në një rast të tillë manipulimesh. Çfarë i duheshin LDK-së edhe 95 vota në një dallim kaq të madh? Çfarë diference do të krijonte një gjë e tillë kur këto janë rezultate të rundit të parë i cili ka përfunduar, kur dihen qartë kush janë dy kandidatët që shkojnë në balotazh, dhe në rundin e dytë gjithçka fillon nga zero? Prandaj, ata që inskenuan këtë rast me qëllim të dëmtimit të LDK-së, do të dalin në shesh së shpejti dhe qytetarët do të shohin fytyrën e vërtetë të tyre. LDK e ka mbrojtur votën e qytetarëve me 3 nëntor dhe këtë do ta bëjë edhe me 1 dhjetor. Por po ashtu do ta mbrojë edhe dinjitetin e qytetarëve nga ata që kurrë nuk ofruan alternativë tjetër pos fyerjes, shpifjes e denigrimit.
(Autorja është anëtare e Kryesisë dhe Deputete e LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna).

