Poetët dhe krijuesit muzikorë – pasuri e diasporës shqiptare
Për të Njëmbëdhjetën herë me radhë, në Malmë të Suedisë, u takuan krijuesit letrarë dhe muzikorë të diasporës shqiptare. Vendin e parë për poezi e mori krijuesja e re, Liridona Jakupi, me poezinë “Vallëzoj nën ombrellën time”, kurse në krijimtarinë muzikore Sami Piraj me veprën “Fanar” të interpretuar nga anëtarët e Operës së Malmës.
Në këtë manifestim që tashmë është bërë tradicional dhe organizohet nga Unioni i Shoqatave Shqiptare në Suedi, me poezitë e tyre dhe veprat muzikore, garuan 23 poetë dhe 5 kompozitorë.
Si zakonisht, Festivali i Poezisë dhe i Muzikës Krijuese Shqiptare, nisi me promovimin e librave të botuara brenda dy festivaleve. Me këtë rast u bë promovimi i veprës së Dr.Ramë Bujës me titull “Kosova në krizën jugosllave” si dhe përmbledhja e vjershave në shqip e suedisht e krijuesit Rizah Sheqiri me titull “Vetëm zemra është poet – Bara hjärtat är poet”.
Juria e Festivalit, në përbërje Dr.Sali Bashota, Ahmet Bella dhe Muhamet Muriqi, pasi dëgjuan krijimet e të gjithë garuesve, vendosën që t´i ndajnë të gjitha shpërblimet e Festivalit të XI.
Vendin e parë për poezi e mori Liridona Jakupi me poezinë “Vallëzoj nën ombrellën time”, vendi i dytë iu nda krijuesit Qerim Raqi për poezinë “Zjarri në sytë tu” dhe vendi i tretë iu nda Syleme Bogiqit për poezinë “Nëna”.
Vendi i parë në krijimtarinë muzikore iu nda Sami Pirajt për veprën “Fanar” të interpretuar nga anëtarët e Simfonisë së Qytetit të Malmës.
Penda e Festivalit iu nda krijueses Yllka Sheqiri për poezinë “Parrënjësi”, kurse Çmimi tradiconal i Festivalit që ndahet në kujtim të poetit Kosovë Rexha – Bala iu nda poetit Sevdail Zejnullahu për poezinë “Arka e shenjtë”.
Në hapje të Festivalit të XI të Poezisë dhe të Muzikës Krijuese Shqiptare në Diasporë, një fjalë rasti e mbajti ideatori i këtij manifestimi, kompozitori Ahmet Bella, i cili pos tjerash foli edhe për vlerat dhe antivlerat e kulturës shqiptare në Diasporë.
Festivalin e përshëndetën përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Diasporës së Republikës së Kosovës, Agim Bërdyna dhe Ardita Uka, të cilët të shoqëruar nga Adem Krasniqi e Xhevat Isufi ishin mysafirë.
Për të gjithë pjesëmarrësit si dhe për ata që financiarisht mbështetën këtë manifestim, organizatori ndau mirënjohje publike.
Pas përfundimit të pjesës zyrtare, në sallën reprezentative “Bergakungen” u mbajt mbrëmje shoqërore ku të pranishmit i argëtuan solistët Shaip Alija dhe Afërdita Xani./express/


