UBT

Opozita shpëton qeverinë!

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, përderisa rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi po e shpëtojnë vetë partitë opozitare. Këto janë vlerësimet e analistëve politikë, pas lëvizjeve të fundit të disa deputetëve nga pozita në opozitë.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) thotë se me distancimin e Jakup Krasniqit dhe Fatmir Limajt nga PDK-ja dhe me kalimin e disa deputetëve prej subjekteve të koalcionit qeverisës në partitë opozitare mund të konkludohet se Qeveria nuk e ka shumicën në Kuvend. Por, sipas tij, rrëzimin e kësaj qeverie po e shpëton opozita.

“Nisur nga fakti se disa deputetë nga subjektet politike që udhëheqin me vendin, tanimë janë rreshtuar në anën e subjeteve politike opozitare si dhe ripozicionimi i Krasniqit dhe Limajt kundër politikave qeveritare, nxjerr konkluzionin se kabineti qeveritar nuk e ka shumicën në Kuvend. Por nga ana tjetër, nisur nga fakti se ka subjekte politike që edhe pse zyrtarisht janë në opozitë, kujdesen për ligjet dhe politikat e Qeverisë së Kosovës, atëherë e bën të vështirë konstatimin se a mund të votëbesohet qeveria aktuale apo jo”, ka thënë Selmanaj.

Sipas tij, për ta tejkaluar këtë gjendje janë dy mundësi: Riformatimin e qeverisë, ose me zgjedhjet e parakohshme parlamentare. “Por, shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa reformën e legjislacionit zgjedhor do të ishte e dëmshme për procesin elektoral dhe demokracinë në Kosovë”, pohon ai.

Ndërsa Fadil Lepaja, analist, ka deklaruar se e vetmja alternativë serioze është një qeveri kalimtare, teknike, e cila do të përfundonte përgatitjen e aspektit ligjor për një proces demokratik zgjedhor.

“Mendoj se duhet një qeverisje kalimtare që përgatit rregullativën ligjore dhe i përgatit kushtet për një palë zgjedhje të rregullta dhe të cilat realisht do të ofronin alternative demokratike. Prandaj qeveria kalimtare, teknike është për mendimin tim e vetmja alternativë që duhet marrë me seriozitet”, ka thënë Lepaja.

PDK: E kemi shumicën!

Shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka deklaruar se qeveria e ka shumicën e nevojshme në Kuvend dhe se me probleme po përballen vetëm në rastet kur dy apo tre deputetë të partnerëve të koalicionit janë në udhëtim jashtë vendit.
“Janë larguar disa deputetë nga grupi parlamentar i Koalicionit Kosova e Re, megjithatë ende kemi numrin e mjaftueshëm të deputetëve, përjashto vetëm në ato raste kur deuptetët janë në udhëtim dhe mungesa e dy apo tre deputetëve po shkakton probleme dhe po e pamundëson kuorumin për votim”, ka deklaruar ai.

Edhe pse dy nga themeluesit e partisë në pushtet, Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të tre nëntorit u kanë bërë thirrje qytetarëve në disa komuna që mos ta votojnë partinë që udhëhiqet nga kryeministri Hashim Thaçi, Grabovci thotë se Krasniqi e Limaj nuk janë distancuar nga PDK-ja.

“Fatmir Limaj i ka pasur telashet e veta që i ka pas, e ka pasur të pamundur që të marrë pjesë në seancat plenare, ndërsa Krasniqi ka qenë vazhdimisht në mbledhje, ka udhëheq si kryetar i Kuvendit, ndërsa Grupi parlamentar funksionon normalisht”, ka shtuar Grabovci.

Sipas tij, i vetmi deputet i PDK-së që e ka braktisur këtë subjekt politik është Nijazi Idrizi, i cili i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërsa kalimin e deputëve prej një subjekti politik në tjetrin ai e arsyeton si të drejtë legjitime të deputetëve. “Aktualisht vetëm deputeti Idrizi është larguar nga Grupi parlamentar i PDK-së dhe aktivitetin e tij e zhvillon në kuadër të një grupi tjetër parlamentar. Është e drejtë e garantuar me ligj, me Kushtetutë. Është vullnet i pavarur i secilit deputet veç e veç”, ka pohuar Grabovci.

Opozita e pret reformën zgjedhore

Partitë opozitare shprehen të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por thonë se më mirë do të ishte që fillimisht të përfundohej reforma zgjedhore.

ARKATANA

Megjithatë, sipas tyre, në rast se Qeveria synon që ta fusë në mënyrë të jashtëligjshme në rend të ditës privatizimin e PTK-së, nuk përjshtohet mundësia që të mbahen zgjedhjet edhe pa reformë.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kjo parti është e gatshme për zgjedhje megjithatë preferon që fillimisht të përfundohet reforma zgjedhore në mënyrë që të evitohen manipulimet në zgjedhje.

“Sa i përket Lidhje Demokratike të Kosovës, për ne si LDK është po ashtu esenciale që të përfundojë reforma zgjedhore para zgjedhjeve të parakohshme dhe në momentin që kjo reformë të hyjë në fuqi në atë moment të shkojmë në zgjedhje në mënyrë që deri në një masë të caktuar së paku të provojmë t’i eleminojmë metodat e abuzimit përrmes formave ligjore”, ka thënë Osmani.

Por kjo parti nuk e garanton që do ta presë reformën zgjedhore në rast se synohet të privatizohet në mënyrë të jashtligjshme PTK-ja. “Në qoftë se PDK-ja vazhdon të insistojë që ta fusë privatizimin e PTK-së në rend të ditës në mënyrë të jashtëligjshme, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të shkohet në zgjedhje edhe para reformës zgjedhore”, ka shtuar Osmani. Gazeta “Zëri” gjatë ditës së premte ka tentuar t’i kontaktojë nëpërmjet telefonit edhe shefat e grupeve parlamentare të dy partive tjera opozitare, Vetëvendosjes dhe AAK-së, mirëpo ata nuk janë përgjigjur në telefon.

Lëvizjet e deputetëve

Deputeti Nga Në

Alma Lama Vetëvendosje LDK

Agim Kuleta Vetëvendosje I pavarur(LB)

Aurora Bakalli Vetëvendosje E pavarur(LB)

Muhamet Mustafa KKR LDK

Emin Gërbeshi KKR I pavaruar

Nijazi Idrizi PDK AAK

Disa deputetë serbë Kanë krijuar grup të ri./zeri/