UBT

Daci: 30 përqind ia fituam AAK -së

/ 15 minuta lexim
ARKATANA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci ka folur për votat e fituara në koalicion me AAK’në e Ramush Haradinajt, duke thënë se rezultatet e arritura nuk janë për t’i vajtuar.

Ai përmend edhe shifrat e ndikimit të LDD’së te 120 mijë votat e AAK’së dhe renditjen e saj si partia e tretë.

“Jo, nuk do të thosha 50 përqind, por 30 përqind po”, përgjigjet Daci, kur pyetet sa ka qenë ndikimi i partisë së tij te rezultati i përgjithshëm i AAK’së.

Daci ka thënë të jetë i gëzuar edhe për rritjen e LDK’së, por thotë se nuk ka vend për eufori për shkak se ka pasur rënie të partisë së parë.

Akademiku ka dhënë vlerësime edhe për një koalicion të mundshëm mes AAK’së dhe PDK’së duke thënë se një bashkëpunim i tillë është i rrezikshëm për Kosovën.

Për komandantët, Daci thotë se s’kanë ndryshuar asnjë pikë prej përfundimit të luftës.

“Jo. Mjerisht, jo. As nuk kanë teori”, përgjigjet Daci, derisa thotë se asnjëherë s’e ka harruar ballafaqimin e parë me Komandantët në Parlamentin e Kosovës

“Kurrë nuk e harroj. Kurrë nuk e harroj. Lëndimin më të madh në jetë dhe shpresoj të fundit e kam pas prej tyre. Por, ajo nuk më pengon me i përkrahë kur bëjnë mirë diçka”, ka shtuar ai.

Express: Si i vlerësoni rezultatet zgjedhore të koalicionit AAK-LDD? Ku është Lidhja Demokratike e Dardanisë?

N. Daci: Unë kam një mendim të njëanësuar në krahasim me vlerësimet e Ramushit që i ka dhënë me zgjedhjet për LDD’në. LDD’ja është në koalicion me AAK’në. LDD është aktive brenda kapacitetit të vetë financiar dhe zhvillimor. Është aktive, ekziston, ka qenë pjesë aktive e fushatës së koalicionit dhe mendoj se rezultatet e arritura si koalicion nuk janë të kënaqshme, por nuk janë për me i vajtu, për me nem ose me i sha. Nuk janë negative. Në këtë koalicion edhe kontributi i LDD’së është evidentë.

Express: Sa është kontributi i LDD’së në rezultatin e AAK’së?

N. Daci: Të themi objektivisht, për shembull, AAK prej themelimit e ka pasur një përqindje konstante. Dhe, e ka pas një fatkeqësi të madhe, për shembull, padrejtësisht ka qenë pa zot shtëpia shumë gjatë. Në ato raste kur nuk ka zot shtëpia, atëherë ka telashe të brendshme. Unë e përgëzoj AAK’në për punën që ka bërë për këto pesë – gjashtë muaj prej se ka ardhur Lideri. E ka kthyer atë mekanizmin në pozitivitet, por në këtë pozitivitet është një kontribut jo i madh, ose jo për lëvdatë edhe i autoritetit të LDD’së. Prandaj, në partneritet dhe në koalicion edhe të mirat edhe të këqijat ndahen proporcionalisht përgjegjësive dhe benefiteve që i kemi.

Express: Megjithëkëtë në konferencën e Liderit të AAK’së pas zgjedhjeve gati se e vajtoi rezultatin dhe tha se nuk e kanë pritur këto rezultate. Aty nuk e ka përmendur as LDD’në…

N. Daci: Ramushi ka qenë tejet, po e theksojë, tejet korrekt për LDD’në dhe koalicionin. Por, ka pasur telashe shumë të mëdha të brendshme. Sepse ne të gjithë shqiptarët e kemi një që s’mund ta durojmë konkurrencën. Për shembull, ti je sportist më i mirë, unë më i dobët, unë këqyri me ta vu ndërskamcën. LDD e ka një potencial intelektual të fuqishëm. Janë tre anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Asnjë njeri nuk është pa një fakultet të fuqishëm. Ka një potencial të konsiderueshëm, i cili mjerisht është shpërndarë. Por, realiteti është se LDD vërtetë është gjallë, është mirë e shëndetshme dhe nuk do të dorëzohet në punën e vetë sepse unë pres ditë më të mira.

Express: Sigurisht se ju keni analizat e juaja dhe shifra sa është rritur AAK më koalicionin me LDD’në.

N. Daci: I kam të gjitha shifrat, por nuk janë përfundimtare. Dhe, pas rezultateve përfundimtare në dhjetor dikund do të dalim edhe me analizë edhe me konkluza për t’i realizuar.

Express: Është rrit AAK 50 përqind me LDD’në?

N. Daci: Jo, nuk do të thoja 50 përqind, por 30 përqind po. Aq sa e kemi përgjegjësinë.

Express: AAK nuk pati rezultate fort të mira sa i përket garës për Kryetar të Komunave. Por, Partia e Ramushit doli e treta. A ndikoi edhe LDD në këtë rezultat pozitivë të AAK’së. ?

N. Daci: Unë besoj po. Jo dështimi, por ngecja në veçanti në Pejë dhe në Gjakovë është barra kryesore e euforisë shqiptare. Shikoni, kur ju jeni lider mendoni se prej zyrës me i thanë dynjajës shko puno. Edhe Peja, edhe Gjakova kanë rezultate të pamohueshme nën udhëheqjen e AAK’së e në veçanti Gjakova…. Mendoj se në total, AAK dhe LDD duhet të jenë pozitivisht të organizuar, por jo të lumtur dhe të kënaqur, por procesi i trentit të këtij koalicioni e ka marrë jo vetëm drejtimin, por edhe shpejtësinë. Sepse ne ende në jemi në karburant me qymyr.

Express: A i ka kushtuar në këto zgjedhje Ramush Haradinajt afërsia me Liderin e PDK’së, Hashim Thaçin?

N. Daci: Unë besoj se i ka kushtuar në rezultat, po e ka rrit autoritetin e tij si burrështetas. Me marrë përgjegjësi në dëm të vetin për mos me e dëmtu proceset për Kosovën. E ka dëmtu sigurisht pjesëmarrja e në Bruksel. Pjesëmarrja ndonjëherë në seanca plenare. Por, unë e komplimentoj Ramushin që ka fuqi politike për proceset që dëmtohet brendia e popullatës e shtetit e rrezikon Partinë. Kësaj, radhe do t’i ketë këto nevoja më të pakta në zgjedhjet nacionale….

Express: Me këto rezultate, a mund të bëhet z. Haradinaj Kryeministër vitin e ardhshëm?

N. Daci: Me këtë rezultat jo. Por, me rezultatin që do të arrihet në zgjedhjet nacionale mundet me qenë sepse mbaji në mend në shtetet e BE’së me dy tre qind vjet traditë me nga një vit, një vit e gjysmë nuk munden me kriju qeverinë. Prandaj, me një rezultat pozitiv që do të arrihet garantsisht i koalicionit AAK-LDD, shanset janë krejtësisht reale. Rezultati që ka arritur ky koalicion është i besueshëm për me arrit në qëllimet që Ramushi të jetë dhe do të jetë Kryeministër i Kosovës.

Mobi Casa

Express: Kryeministër në koalicion me cilën parti? N. Daci:Ajo nuk është detyrë parësore e imja – është e partnerit më të madh – në këtë rast të AAK’së. Ne po krijojmë një afërsi të natyrshme AAK-LDD dhe një konsultë të përhershme. Është mirë që ndikimet e mia janë pozitive që të ruhet një ekuilibër i raporteve me LDK’në dhe partitë tjera që dëshirojnë të afrohen.

Express: Cili është vlerësimi juaj për rritjen e LDK’së në këto zgjedhje?

N. Daci: Unë i gëzohem, në mënyrë shumë të sinqertë po e them. Ka qenë një shtëpi që një kohë të gjatë kam jetuar dhe me të cilën kam arrit një lloj suksesi me thanë të pjesërishëm. Nuk është sukses i LDK’së sa është rënie dhe disfatë e të tjerëve. Në qoftë se 30 mijë votues në vjet të rinj, për katër vjet 120 mijë votues dhe ti i ke marrë vetëm pesë mijë prej tyre dhe të thuash jam më i madhi. Është eufori e juaja që ka me të kushtu nesër me punë. E përgëzojë për atë që numrat po flasin. Por, mos të harrojmë se ka rënie drastike në Prishtinë.

Express: Por në garën për Kryetar komunash, PDK është vetëm 1680 vota më shumë se LDK?

N. Daci: LDK është gjithmonë euforike e pabazë. Është mësu, është eduku me famën e Ragovës që e ka pas, edhe hambarin e Rugovës e ka mbushur edhe dikush tjetër. Dhe, kanë mbetur në ato iluzione. Struktura ekzistuese-menaxhuese nuk ka shumë përvojë të punës, të kontributit vetanak. Tash, për shembull një patate më shumë euforia dhe dalin të gjithë. Një hije e zezë që ishte ditëve të fundit, kjo në Qendrën e Numërimit të Votave 110 mijë vota të pavlefshme. Për mua PDK është forca prijëse sot në Kosovë me tendencë në qoftë se nuk arrin me u liru prej koncepteve që i ka brenda edhe ajo. Kur niset rënia vështirë ndalet. Këtë e kanë dokumentuar shumë parti.

Express: Kohëve të fundit kemi parë një afri mes partive të dala nga lufta. A kanë ndryshuar ky krah prej se kanë hyrë në politik pas vitit 1999?

N. Daci: Jo. Mjerisht jo. As nuk kanë teori. Shikoni, njerëzit e luftës duhet t’i çmojmë për kontributin që e kanë dhënë, për kontribuuesit real. Por, duhet të ruhemi përgjithmonë. Ose kurrë mos me i lënë në pozicione vendimmarrëse kryesore në politik. Ose me iu dhanë ekipe që janë shkolluar dhe janë civilizuese. Komandantët vlerësojnë me kohën e komandës së tyre. Dhe, harrojnë se jeta ka ndryshu dhe rrethanat kanë ndryshu. Një këshillë e imja është që nuk mund të udhëhiqet në shekullin e XXI një shtet, një komunë, një familje me grushtin e të kaluarës. Vetëm analizoni premtimet në zhvillim ekonomik kanë shkuar në Bansko dhe për tri ditë e kanë hartuar projektin e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Kanë hipur në skija për herë të parë dhe tash s’po dijnë me zbrit prej atyre skijave. Lufta duhet të vlerësohet drejt, duhet mbrojtur, duhet stimuluar, duhet të përkrahen luftëtarët që sot janë në gjendjen më të vështirë të jetës së tyre falë edhe komandantëve të tyre sepse janë në pushtet. Në krejt botën, unë e analizoj, kur është udhëhequr me grushtin e luftës fundi ka qenë katastrofik. Pa marrë parasysh se në cilin sistem ka ndodhur.

Express: Pas publikimit të rezultateve të këtyre zgjedhjeve kemi parë disa takime mes z. Haradinaj dhe z. Thaçi në përpjekje për t’u bërë bashkë në disa komunapër t’u ballafaquar me LDK’në?

N. Daci: Unë e vlerësojë pozitivisht që rrinë bashkë. Se një kohë nuk kam ndejtë bashkë. Të ndenjurit bashkë, ne të dy po këmbejmë mendime. Unë them gjithmonë se kur bashkëpunojnë krerët e udhëheqjes ka veç të mira. Kur nuk falsin po shajnë prapa shpine, lloj-lloj epitetesh që sillen te shqiptarët, ajo është e keqe shumë. Por, unë nuk them se ndonjëri prej tyre i beson njëri -tjetrit saqë me thënë u krye kjo punë.

Express: Sa janë mundësitë që pas zgjedhjeve të ardhshme të kemi një Qeveri bashkë me z. Haradinaj dhe z. Thaçi?

N. Daci: Unë besoj fuqishëm po, por në qoftë se pas atyre qëndrojnë ekipe civile shumë të fuqishme. Përndryshe, në asnjë mënyrë. Shkatërrim edhe i tyre edhe i Kosovës.

Express: Pra, është i rrezikshëm një koalicion AAK-LDK?

N. Daci: Po i rrezikshëm. Mbani mend, ju mund të jeni Kryeministër që ju aplaudon populli juaj, në qoftë se ministrat i keni, dhe ministrat që i zgjedhin ekipin e profesionistëve. Ministrat tonë dhe udhëheqësit tonë i kanë këshilltarë me pampers që mund të jenë shumë të ndershëm. Por, me i dhënë këshillë dikujt duhet ta kishit shkollën, atë shkollë të aplikuar në përvojë të rezultateve pozitive. Prandaj, unë jam i hapur. Raportet e mia janë krejtësisht normale me Thaçin, me Haradinaj, me Isën me të gjithë. Kurrë ndonjërit nuk i bëj sugjerime armiqësore. Kanë shansin me qenë në qeverisje bashkërisht me rrit famën e fitores të Kosovës në atë luftë çlirimtare. Por, besueshmëria është e njëjta që edhe me shkatërru në qoftë se nuk e kanë dikend të fuqishëm dhe si ekipe që me i kontribu suksesit.

Express: Por, ju jeni afër një komandanti dhe keni lidh edhe koalicion me te…

N. Daci: Është shumë interesant që unë me ata komandat me të cilët rri shohë shumë potencial pozitiv, në qoftë se ka kush i thotë se kjo nuk është mirë. Por, mund të bëhet kështu. Unë kam vërejtur te Komandanti Haradinaj që ka në ekip njerëz edhe të mençur edhe të civilizuar, por si gjithkund ka edhe të tjerë.

Express: A e keni harruar ballafaqimin e parë me komandantët ne Kuvendin e Kosovës?

N. Daci: Kurrë nuk e harroj. Kurrë nuk e harroj. Lëndimin më të madh në jetë dhe shpresoj të fundit e kam pas prej tyre. Por, ajo nuk më pengon me i përkrahë kur bëjnë mirë diçka.

Shqipëria s’ka kapacitete për asgjësimin e armëve kimike

Express: Debati për asgjësimin e armëve kimike të Sirinë po vazhdon në tërë Shqipërinë. Sa janë kapacitetet e shtetit shqiptar për t’i shkatërruar këto armë?

N. Daci: Në parim, asnjë vend ballkanik, por në veçanti këto pjesët shqiptare nuk kanë kapacitete as njohuri për proceset e shkatërrimit të armëve kimike. Industria luftarake e luftës prodhon substanca që nuk i ka njohur ndonjëherë historia e toksicitetit ose rrezikshmërisë së lartë. Është numerikisht shumë i madh ky numër i komponimeve dhe kurrë nuk i japin publikut emrin e saktë të asaj substance, atij helmi ose atij komponimi. As formulën kimike dhe as biologjike të saj. Pa e pasur ju këtë element, nuk ka teori ju me e gjet metodë qysh mundeni me u mbrojt prej saj. Shqipëria dhe Kosovë nuk kanë as traditë, as institucione që kanë një kohë të gjatë të përvojës dhe që munden me siguri me i garantu popullatës së vetë një gjë të tillë. Këtë nuk mundet asnjë superfuqi me ia garantu popullit të vetë. Nuk po flas për përgjegjësi politike sepse kur ju hyni në proceset globale, pos përfitimeve ka edhe obligime. Por, obligimet duhet të merren vetëm të asaj natyre që ti ke kompetencë dhe kapacitet. Për këtë çështje që po bisedojmë, Shqipëria dhe Kosova nuk kanë as kompetencë, as kapacitet. Sepse e kanë mjedisin të stërngarkuar me të gjitha helmet e mundshme. Shpirtnisht popullata nuk mundet me pranu edhe një shtesë tjetër. Komponenta shumë më e rëndësishme, ka filluar një imazhpozitiv me u zhvillu për Shqipërinë si destinim për turizëm. Dhe, unë llogaris se ajo gjatësi bregdetare diku 420 mijë kilometra duhet të jetë motori i lokomotivës zhvillimore të Shqipërisë.

Express: A munden politikanët shqiptarë t’i thonë SHBA’së t’i thonë jo shkatërrimit të armëve në Shqipëri?

N. Daci: Liderët shqiptarë, nuk po them vetëm të Shqipërisë, duhet të jenë edhe të respektueshëm politikisht dhe njerëzisht, por brenda kufijve të jetës që zhvillohet. Ndonjëherë, Lideri politik që dëshiron të krijojë vetëm famë duke e nënçmuar vetveten, shtetin e vet, ose popullatën i kthehet bumerang shumë shpejt. Jo me qenë arrogant ose i pakujdesshëm, i paedukuar, por analizën që iajep partnerit e bind që nuk mund ta mbash një popullatë me një gjendje të këtillë. Nuk mund t’i sugjerojë as Qeverisë këtu e as në Shqipëri. Unë do të habitesha shumë në qoftë se Qeveria e Kosovës do të merrte një vendim pa e konsultu popullatën e vetë dhe kjo vlen edhe për Shqipërinë.

Express: Por, deri më tash, edhe liderët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë vështirë i kanë thënë jo ndonjë propozimi të ndërkombëtarëve?

N. Daci: Kjo është e meta kryesore e zhvillimit të nivelit demokratik te shqiptarët. Në vend që me ju përgjigj, me ju dhënë llogari popullit që të ka ngrit, të ka shkollu, të ka eduku, ta ka dhënë votën – në për karrierë individuale ose për ndonjë beneficion personal i qesim faqen e zezë kombit, shtetit.