Pas 20 vitesh kapet kosovari, “hajn specialist i dritareve”
Mbetet mister mënyra se si ai ka mundur të vjedhë edhe në shtëpitë e ruajtura nga qentë. “Në asnjë rast nuk është shënuar që ndonjë qen lehte pas tij”.
Ka „vepruar“ prej 20 vitesh në Austri, Slloveni, Gjermani dhe Zvicër. Specializim i tij i ngushtë ka qenë thyerja e dritareve dhe hyrja përmes tyre për të vjedhur. Shqiptari 45 vjeçar nga Kosova, duke bërë me qindra vjedhje sipas skemës gjithnjë të njëjtë, ishte bërë shumë i njohur si “shpuesi i dritareve”.
Ai është arrestuar nga policia austriake në Slloveni ndërsa selinë e kishte pasur në Francë.
45 vjeçari kishte rënë në sy me metodën e tij speciale të shpimit, për herë të parë në vitin 1997 në landi Kärnten të Austrisë. Metoda e tij duket e thjeshtë por shumë efektive. Ai ka përdorur vetëm një turjelë dore dhe një hallkë zinxhiri, thonë në policinë e landit.
Me turjelë shponte një zgavër në xhamin e dritares, pastaj në zgavër fuste hallkën, me të cilën e ngrinte lartë rezen e dritares. Kosovari ka sulmuar zakonisht rreth mesnatës dhe nuk i ka penguar shumë nëse banorët e shtëpive të sulmuara kanë qenë aty gjatë “operimeve” të tij.
Mbetet mister, pranon policia, mënyra se si ai ka mundur të hyjë edhe në shtëpitë e ruajtura nga qentë. “Në asnjë rast nuk është shënuar që ndonjë qen lehte pas tij”, deklaron një zëdhënës.
Personi i cili nga 30 tetori ndodhet në paraburgim ka vjedhur para dhe stoli në vlerë prej më shumë se një milion eurosh. Deri më tash ai nuk e ka pranuar veprën e cila i ngarkohet. “Ai nuk po flet me policinë”, ka thënë zëdhënësi.
Ndërkohë, hetimet janë duke vazhduar, të fokusuara sidomos në zbulimin e bashkëpunëtorëve të shqiptarit te arrestuar./albinfo/


