Mustafa: Akuza për vjedhje votash, synim për dëmtim të personalitetit tim
Lideri i LDK-së, njëherësh kandidat për mandatin e tretë në postin e të parit të Prishtinës, Isa Mustafa, ka reaguar ndaj disa shkrimeve nëpër portalet tona, ku thuhet se janë arrestuar disa zyrtarë të KQZ-të, të cilët, sipas mediave, kanë qenë duke vjedhur vota për kandidatin e LDK-së për kryetar të Prishtinës.
Në reagimin e tij, Mustafa ka thënë se është indikative që kjo çështje hapet pikërisht para balotazhit dhe ka për qëllim ta dëmtojë personalitetin e tij, duke shtuar se ai nuk ka patur nevojë të vjedhë vota, pasi që diferenca mes tij dhe kundërkandidatit nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, ka qenë shumë e madhe, raporton Zëri.
“Në portale lexova se disa zyrtarë të KQZ-së janë arrestuar për shkak se kanë dashur të manipulojnë vota gjatë rinumërimit në favor të LDK-së dhe kandidatit për kryetar të Prishtinës, Isa Mustafa. Unë dënoj çdo tentim të prekjes së votës, por po ashtu theksoj se kjo është përgjegjësi e KQZ-së.
Diferenca ndërmjet meje dhe kundërkandidatit tim, z. Ahmeti është shumë e madhe në vota, prandaj është shumë indikative që tani para balotazhit të hapen afera të tilla, të cilat qartë shihet se kanë për qëllim të dëmtojnë personalitetin tim. Vlerësoj se Policia dhe Prokuroria do të duhej të sqarojnë rastin në procedurë ligjore pa afera mediave”, ka shkruar Isa Mustafa në profilin e tij në Facebook.

