ARKATANA

Lutfi Hazirit nuk ia ndien për koalicionin e Hashim Thaçit me Ramush Haradinaj

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Lutfi Hazirit nuk i ka bërë përshtypje takimi i sotshëm mes Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt. Ai thotë se koalicioni i tij është me qytetarët, dhe si i tillë, është koalicion i pathyeshëm. Në një prononcim për Gazetën Express, Haziri komenton edhe deklaratat e Isa Mustafës se çështja e shamisë i takon Gjykatës Kushtetuese. “Këtë do ta shihni pas 1 Dhjetorit”, shprehet ai.

Lutfi Haziri duket se ndihet i pathyeshëm në Gjilan, pavarësisht koalicioneve që po bëjnë kundërshtarët e tij për garën e balotazhit që zhvillohet më 1 Dhjetor.

Të martën, Shefi i PDK’së, Hashim Thaçi takoi në një restorant të Prishtinës Kryetarin e AAK’së, Ramush Haradinajn, ku u dakorduan për të qenë bashkë më 1 Dhjetor në krah të Qemajl Mustafës dhe kundër Lutfi Hazirit.

Por kjo s’ka kurrfarë relevance për kandidatin e LDK’së.

“Secili i zgjedh partnerët e vet”, deklaroi Haziri për Gazetën Express.

“Unë veç e di që ne, Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan, kemi koalicion me qytetarët që na kanë ofruar mbështetje dhe do të na ofrojnë edhe me 1 Dhjetor”.

Mobi Casa

Deri në zgjedhjet e 3 Nëntorit, koalicionet më të mundshme janë parë ato mes LDK’së dhe AAK’së. Por, në këto zgjedhje, AAK më shumë po lidh koalicione me PDK’në.

Lutfi Haziri është pyetur rreth kësaj teme dhe nëse kjo dëmton pariparueshëm koalicionet e ardhshme mes LDK’së dhe AAK’së, por ai s’ka dashur të jap asnjë koment.

Ndryshe, Lufi Haziri mori shumicën e votave në raundin e parë për Kryetar të Gjilanit. Ai gjatë fushatës ka bërë premtime të mëdha, por një prej premtimeve që janë komentuar më së shumti është ai se “kur të bëhet Kryetar, asnjë vajzë me shami myslimane nuk do të largohet nga shkolla”.

Këtë deklaratë e ka komentuar dje edhe Shefi i tij, Isa Mustafa, i cili ka thënë se për këtë vendos Kushtetuesja e jo Haziri.

“Është fakt që për shamitë vendos Kushtetuesja dhe unë jam implementues i obligimeve kushtetuese. Këtë do ta shihni pas 1 Dhjetorit. Do të veproj ashtu siç ajo vendos”, ka thënë Haziri për Express kur është pyetur rreth deklaratave të Mustafës.