ARKATANA

Nxënësit e Luginës kanë mbetur “cullak”

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Pas konfiskimit të 5 mijë e 60 librave në shkollën fillore “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, nxënësit e Luginës së Preshevës tanimë kanë mbetur pa asnjë libër shqip dhe nuk kanë se çfarë të mësojnë.

Të gjitha librat që nga klasa e parë deri në të katërtën janë konfiskuar, duke përfshirë edhe Abetaren Unike, të cilën vetë Serbia e ka lejuar.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se të vetmit që kanë mbetur në shkollë janë nxënësit dhe mësimdhënësit, ndërsa shkollat në Luginën e Preshevës kanë mbetur si shkollat e Kosovës në vitet ’90.

“Tani librat do të jepen prej dorës në dorë dhe shpjegime të mësuesve ashtu si të munden ata, e njëjta situatë është siç kanë qenë edhe fëmijët gjatë viteve ’90-ta. Të gjitha librat i kanë konfiskuar. Vetëm nxënësit që nuk i kanë marrë atë ditë. Të gjitha i kanë konfiskuar me abetare e me të gjitha, edhe për kundër asaj që abetarja është e lejuar”, ka deklaruar Mustafa.

Në anën tjetër, Jonuz Musliu, kryetar i Kuvendit Komunal të Bujanocit, ka thënë se institucionet e Kosovës, Shqipërisë dhe ato ndërkombëtare duhet të reagojnë në lidhje me këtë që ka ndodhur në fshatin Raincë.

Sipas tij, kjo nuk do të duhej të ndodhte pasi që shqiptarët nuk kanë se si të mësojnë ndryshe, përpos në gjuhën shqipe.

Musliu po ashtu u shpreh se e njëjta gjë nuk po ndodhë edhe në Veri të Mitrovicës, ku serbët e atjeshëm mësojnë në gjuhën serbe dhe me plan-program të Serbisë dhe për këtë ai fajëson institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare që nuk po bëjnë aq sa duhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

ARKATANA

“Me çdo kusht dhe urgjentisht duhet të intervenojnë edhe Bashkësia Evropiane, por natyrisht edhe Kosova e Shqipëria që gjëra të tilla të mos ndodhin më, që të mos konfiskohen tekstet të cilat janë në gjuhën shqipe, përndryshe situata do të eskalojë. Nuk durohet më kjo dhunë e ky terror që po u bëhet shqiptarëve”, ka deklaruar Musliu.

Ndërkaq Galip Beqiri, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, “akuzon” shqiptarët për këtë që ka ndodhur, pasi që, sipas tij, vetë shqiptarët e kanë lajmëruar këtë rast.

“Dhe ndërkohë dikush prej shqiptarëve e ka lajmëruar këtë rast dhe inspektorët e arsimit të Preshevës së bashku me policinë kanë bërë kontrollimin e kësaj shkolle dhe i ka zbuluar në një klasë disa libra”, ka thënë Beqiri, i cili e dënon rënd këtë ndërhyrje të Policisë dhe inspektoratit të arsimit në shkollën fillore “Zenel Hajdini”.

Sipas tij, Këshilli Nacional Shqiptar ka bërë disa kërkesa në Ministrinë e Arsimit të Serbisë që të lejohen librat dhe, sipas tij, për momentin vetëm 12 libra nga Shqipëria janë të cilat përdoren nëpër shkolla.

Në lidhje me situatën e krijuar në Luginë të Preshevës ka reaguar edhe Lëvizja “Vetëvendosje”, duke e quajtur si terror ndaj shkollës shqipe në Preshevë dhe vazhdimësi e politikës antishqiptare serbe.

“Ky veprim është vazhdim i diskriminimit sistematik që Serbia po ja bën popullatës shqiptare në Luginën e Preshevës. Konfiskimi i librave nën pretekstin se nuk na qenkan me plan-program të Serbisë, është terror shtetëror ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe të drejtës universale për arsim në gjuhën amtare, të fëmijëve shqiptarë atje”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e “Vetëvendosjes”./zeri/